Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj sulmoi ashpër liderët e opozitës Sali Berisha dhe Ilir Meta si dhe kandidatin e tyre në kryeqytet në 14 maj, Belind Këlliçin, të cilin e ka rival.
Në studion e “Reportv”, ai akuzoi Këlliçin dhe përfaqësuesit e tjerë të opozitës se kanë aksione në disa kulla të paligjshme që po ndërtohen në Tiranë. Veliaj shtoi se nuk flet për projektin e pastrimit të ujërave të zeza në Tiranë, pasi e ka penguar Meta. “Nuk flasin më për pikën e pastrimit të ujërave të zeza në Tiranë. Për atë projekt, gjysma e Partisë së Ilir Metës është futur në burg. Mbaruan lekët e japonezëve para se të përfundonin punën.
Dhe kur ‘kukulla’ e radhës e mori vesh këtë nuk foli më. E keni vërë re që nuk merren më me kullat? Patjetër! Se kur marrin fondet ua japin ndërtuesit, kushti është që të mos flasin më. Familjarët e tyre janë projektues kullash. Një pjesë e tyre janë aksionerë në kulla”, tha Veliaj. Më pas, ai ironizoi Berishën për hapjen e fushatës elektorale në “Air Albania”, ku shumë vende ishin bosh.
Sipas Veliajt, ish-kryeministri ka nevojë për psikologë. “Në një moment Saliu kishte më shumë kandidatë sesa spektatorë. Dikur e quante ‘arena e korrupsionit’. Stadiumi ishte gjysmë dhe ajo gjysma ishte për Ilir Metën dhe kur ai mbaroi fjalimin të gjithë ikën dhe për Berishën më erdhi keq. Ai ka nevojë për ndihmë psikologjike”, përfundoi fjalën e tij Veliaj në “Report TV”.