Opozita e Maqedonisë së Veriut ka kërkuar “ndëshkim” të ministrit të Jashtëm, Bujar Osmanit. Kjo pasi sipas tyre, në një takim me homologun spanjoll, Hoze Manuel Albarez, ka folur vetëm në gjuhën shqipe. Akuza, vjen nga VMRO-DPMNE-ja të cilët thonë se me këtë shkelet Kushtetuta. Opozita kërkon përgjegjësi dhe dorëheqje nga Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani.
“Kërkojmë përgjegjësi penale për Osmanin, organet kompetente menjëherë të ngrejnë procedurë dhe përfundimisht në Maqedoni të ngrihet procedurë adekuate për vepra që cënojnë imazhin e vendit. Osmani të dorëhiqet nga pozita Ministër i Jashtëm dhe është më e pakta që mund ta bëjë pas këtij veprimi joshtetërore dhe nënçmues për qytetarët e Maqedonisë,”- tha Marija Miteva, zëdhënëse e VMRO-DPMNE-së.
VMRO-DPMNE thotë se qeveria LSDM-BDI dhe Bujar Osmani si Ministër i Jashtëm, shkelin vlerat kombëtare, duke i bërë thirrje Osmanit të nisë ta respektojë vendin dhe në komunikimet ndërkombëtare të prononcohet në gjuhën zyrtare maqedonase.