Nëse “vulëhumburi” Sali Berisha dhe vulaxhiu Ilir Meta me koalicionin që kanë krijuar për zgjedhjet e 14 majit po tentojnë të shiten në opinionin publik si shpëtimtarët e demokratëve, të bashkuar, të shëndoshur, të fortë, shtetformuese, ligjrespektuese, të moralshme, të gatshme fare të marrë në dorë drejtimin e Shqipërisë, fillimisht në zgjedhjet lokale e pastaj në ato të përgjithshme, komentet e forta të aktivistes së njohur Evi Kokalari e cila ndodhet në SHBA nxjerrin zbuluar prapaskena shumë të forta brenda opozitës.
Në reagimet e fundit të Kokalarit, vëmendja kryesore ka qenë dyshja Meta-Berisha, e cila sipas saj po shkatërron Partinë Demokratike. Ajo i ka shpallur luftë të hapur kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta duke e paralajmëruar se nuk do t’i ndahet derisa ta largojë nga “jeta” e demokratëve.
Gjithashtu sipas aktivistes bashkimi i Sali Berishës me Ilir Metën do të jetë më i keq se puçi që bëri Meta në vitin 2013 duke i lënë në opozitë që atëherë. “Në një notë më serioze, demokratëve të rithemelimit; ndoshta momentalisht jeni nën ethet e fushatës dhe e keni të vështirë ta shikoni me gjakftohtësi çfarë po i bëni Partisë Demokratike, por di t’ju them që mbas disa viteve do ta kuptoni çfarë po i bëni vetes.
Nëse mendoni që Ilir Meta ja u bëri puçin në 2013 dhe ju ka lënë në opozitë që atëherë, ishte problem, po ju them që kjo që po ju bën tashti është një dëm që nuk do ta merrni veten më kurrë”, u shpreh Kokalari.
“Zari” i Metës brenda demokratëve
Kokalari gjithashtu ka nxjerrë dhe prapaskenat nga skemat e Ilir Metës gjithë këtë periudhë për të shtrirë “duart” tek PD. Ajo quan Belind Këlliçin si “zar” të Ilir Metës. Sipas Kokalarit, Meta e përdori Këlliçin duke i dhënë fakte për inceneratoret që ky i fundit sillte në parlament në emër të PD-së.
“Që Metës ja shkrepi në 2021 të merrte PD nëpërmjet Bashës, këto janë fjalë që kanë dal nga goja e tij dhe inteli që kam është më se i saktë. Që ky donte Këlliçin të merrte postin e kryetarit mbas rithemelimit sepse Këlliçin e bënte si të donte dhe e ka përdorur si zar që kur i jepte ”fakte” për inceneratoret që ky i sillte në parlament në emër të PD-së, dhe ky është fakt. Berishës personalisht nuk ja fal që bëri këtë lloj koalicion, megjithëse e di që ju ja keni falur me që vazhdoni e ndiqni pa pipëtirë”, tha aktivistja.
Kokalari “shënjestron” Metën
Nga ana tjetër aktivistja ia ka bërë të qartë Ilir Metës se e ka “nën” radarët e saj. Ajo shkruan se Meta duhet të kuptoj që nuk do ti ndahet, as sot, as në të ardhmen. “Ju rruga e mbarë ju qoftë. E kam të vështirë t’ju uroj suksese kur shoh ku po shkon gjithë ai mund. Mbas disa viteve, do vini të më thoni që isha nga të paktat 100% kundër kësaj masakre që po i bëhet PD-se, por sërish do jetë shumë vonë për ju.
Sa për Ilir Metën, i sugjeroj të ndalojë propagandën se mua më paguan Veliaj, sepse ai e di shumë mirë që kjo nuk është e vërtet, sepse siç ka thënë ai vetë “Të ishte se blihej ajo, e kishim zgjidhur atë problem”. Meta duhet të kuptoj që unë e di shumë mirë çfarë po i bën PD-së, dhe nuk do ti ndahem, as sot, as në të ardhmen. E kam respektuar për aq kohë që ai bënte politikën e tij. Me që ka kaluar çdo cak, dhe unë do bëj të njëjtën gjë. Në shënjestër e kam, dhe aty do jetë derisa të dalë komplet nga kjo parti”, përfundon shkrimin e saj Kokalari.