Kryeministri Edi Rama është ndalur ditën e djeshme në qarkun e Elbasanit në kuadër të turit të llogaridhënës publike. Teksa ishte duke folur në panairin e punës, ku zbuloi se ka vende të lira pune, shefi i qeverisë ka shpërthyer në akuza të forta ndaj Lëvizjes Socialiste për Integrim, sa i takon abuzimeve në rrugën Tiranë-Elbasan. Rama u shpreh se rruga është në gjendje të mjerueshme, pasi është ndërtuar mbi bazë kontratash skandaloze, ndërsa shtoi se standardet janë kryefjala e investimeve publike për qeverinë që ai drejton.
Megjithatë, i pari i qeverisë theksoi se ata që përfituan tenderin dhe abuzuan me rrugën në fjalë, sipas tij, janë në qeli. “Ne nuk jemi këtu se do të na jepni votën në fund të qershorit, nuk jemi këtu për të na dhënë vota, por për t’u dëgjuar juve. Rruga Tiranë-Elbasan u bë një legjendë, me rrëshqitje dhe kontrata skandaloze, ku të tjerët kanë përfunduar në qeli”, deklaroi Rama.
Për rrugën Tiranë-Elbasan e nisur në 2008 dhe ende e papërfunduar u arrestua pak muaj më parë ish-kreu i ARRSH, Dashamir Xhika i emëruar nga Lëvizja Socialiste për Integrim, ndërsa janë marrë në pyetje dhe dy ish-ministra të Transporteve Haxhinasto dhe Dervishaj. Dashamir Xhika është në hetim edhe për rrugën Elbasan-Gjinar. Pra gjithë akuzat e bëra dje nga kryeministrit Edi Rama sa i takon abuzimeve më rrugën Tiranë-Elbasan, lënë të nënkuptohet se janë për eksponentë të LSI.
25 mijë vende pune deri në fund të vitit
Duke u ndalur tek papunësia, kryeministri Edi Rama u shpreh se prioriteti i këtij mandati është punësimi, ndërsa shtoi se numri i punësimeve nga Zyrat e Punës është rritur. Shefi i qeverisë theksoi se gjatë kësaj periudhe janë punësuar mbi 10 300 persona, ndërsa premtoi 25 mijë vende pune deri në fund të vitit.
“Unë dua ta ritheksoj edhe njëherë tjetër se jemi në një rrugë ku duhet të bëjmë shumë më tepër, por jemi në një rrugë të mbarë, pasi po shohim rritje të vazhdueshme të punësimit real. Vetëm në këtë periudhë, ne kemi kaluar në 10 300 të punësuar dhe besojmë shumë që do ta tejkalojmë objektivin e vitit. Ndërkohë që ka plot të tjerë që punësohen drejtpërdrejtë nga kompanitë, pa kaluar nëpërmjet zyrave të punës.
Megjithatë, objektivi ynë është që deri në fund të vitit, vetëm zyrat e punës, të punësojnë 25 mijë njerëz. Jam i bindur që do ta tejkalojmë edhe këtë objektiv. Nuk flasim për punësimet që bëhen në mënyrë direkte mes kompanive dhe individëve”, u shpreh ai.
Rama thirrje elbasanllinjve
Më tej nga Panairi i Punës në Elbasan, kreu i qeverisë ju bëri thirrje të gjithë atyre që janë në kërkim të një pune të kontaktojnë me kompanitë dhe zyrat e punës për t’u punësuar, qoftë si punonjës të thjeshtë, apo edhe në punë që kërkojnë formim të lartë. Sipas tij, janë plot 1576 vende të lira pune vetëm në qarkun e Elbasanit.
“Sot, në këtë hapësirë janë 1567 vende të lira pune që ofrohen nga të gjitha sipërmarrjet e pranishme. Vende të lira pune nga më të ndryshmet, vende të lira pune edhe me paga nga më të ndryshmet. Natyrisht ka vende të lira pune për punonjës të thjeshtë në manifakturë, por ka vende të lira pune edhe për financierë, ekonomistë dhe inxhinierë, vende që kërkojnë një formim të lartë dhe që paguhen edhe me rroga të larta.
Iu bëj thirrje atyre që na ndjekin dhe që janë banorë në kërkim të një pune në këtë territor, të vijnë dhe të kontaktojnë drejtpërdrejtë me kompanitë, ndërkohë që zyrat e punës janë në dispozicion për të bërë të gjitha ndërmjetësimet dhe lehtësimet e nevojshme të këtij procesi”, nënvizoi kryeministri Edi Rama./SOT