Ndeshja e parë çerekfinale e luajtur mbrëmë ishte ajo mes Fejnordit dhe Romës. Në fakt, ishte ndeshja që mori më shumë vëmendje, për shkak të armiqësisë që ka midis dy klubeve, një armiqësi që arriti kulmin me finalen e vitit të kaluar në Conference League luajtur në “Air Albania” të Tiranës, një sfidë e fituar nga italianët.
Në Holandë besonin se Fejnord do të hakmerrrej, e në këtë grup bënte pjesë edhe trajneri Arne Slot. Dhe me të vërtetë Fejnordi arriti të hakmerrej ndaj Romës (mund të thuhet përkohësisht pasi është luajtur vetëm njëri takim), duke e mundur me rezultatin 1-0.
Ishte një supergol i realizuar nga Mats Ueifer, në minutën e 10-të të pjesës së dytë, që i dha fitoren skuadrës holandeze, ndërkohë që duhet thënë se Roma humbi një shans të artë në fund të pjesës së parë me Pelegrinin, që gaboi nga pika e bardhë e penalltisë (goditi shtyllën pingule).
Për ndeshjen e kthimit trajneri Murinjo duket i shqetësuar, pasi për shkak dëmtimesh do të mungojnë dy titullarë të rëndësishëm sikurse janë Abraham dhe Dibala. Takimet e kthimit do të luhen javën e ardhshme, më 20 prill. Në duelet e djeshme çerekfinale të Ligës së Europës, një finale e parakohshme mund të konsiderohet ajo mes Mançester Junajtid dhe Seviljes, që prodhoi gola dhe emocione.
Sabitzer shënoi dy gola të shpejtë për anglezët në minutat e 15-të dhe 21-të, duke i dhënë drejtim suksesit. Pjesa e parë mbyllet 2-0, por në të dytën pati një rivalitet të fortë nga spanjollët, që synonin të shënonin të paktën një gol sa për t’i mbajtur në lojë për ndeshjen e kthimit.
Dhe ia dolën me golin e Navas në të 85’, madje barazuan me El Neshirin në minutën e 3-të shtesë. Me këtë barazim 2-2, në ndeshjen e kthimit avantazhet shkojnë për ekipin spanjoll.
Po mbrëmë, Juventusi fitoi me vështirësi ndaj Sportingut të Lisbonës, 1-0, me gol të Gatit në minutën e 73-të. Ky rezultat e lë të hapur mundësinë e kualifikimit, pavarësisht epërsisë së dukshme të “Zonjës” italiane.
Çerekfinalja e fundit luajtur mbrëmë ishte ajo mes Leverkusenit dhe ekipit belg të Rojal Union SG, përfunduar në barazim 1-1. Po mbrëmë, në kuadër të Konferencë Ligës, u lujajtën mbrëmë 4 çerekfinalet e para. Rezultati më i thellë u shënua nga Fiorentina që fitoi 4-1 në transfertë ndaj polakëve të Leç Poznanit.
Europa League
Fejnord-Roma 1-0
Leverkusen-Rojal Union SG 1-1
Juventus-Sporting 1-0
Mançester Junajtid-Sevilja 2-2
Conference League
Gent-Uest Hem 1-1
Anderleht-Alkmar 2-0
Bazel-Nice 2-2
Leç Poznan-Fiorentina 1-4