Kolegji i Posaçëm i Apelimit është mbledhur dy herë deri tani për të vendosur nëse ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla duhet t’i rinisë procesi i vetingut, mirëpo ky i fundit nuk ka qenë prezent në asnjë prej seancave dëgjimore. Në seancën e tri ditëve më parë, avokati i tij mbrojtës, Sokol Hazizaj bëri të ditur se Llalla ndodhet në Turqi, lëvizje e cila ngjalli mjaft dyshime dhe u përfol si tentativë për të kërkuar azil. Mirëpo për ish-kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi një lëvizje e tillë nga ana e ish-kryeprokurorit është e gabuar.
Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, Klosi u shpreh se nëse Adriatik Llalla është i përfshirë në afera, nuk do t’i shpëtojë dot procesit hetimor të nisur për të. Ai theksoi se një fajtor nuk mund të shpëtojë nga ndëshkimi i tij. “Ai e di shumë mirë që nuk është zgjidhja largimi për të sepse është një personazh shumë i rëndësishëm. Nuk është zgjidhje për të azili. Kështu që nuk kam besuar ndonjëherë në eksperiencat e tij dhe kam përshtypjen që nëse është e vërtetë prapë po gabon.
Nuk shpëton një personazh, në qoftë se është fajtor, sepse unë nuk di asgjë. Nuk mund të hyj në gjynah, por unë thjesht kam dëgjuar që ai është në proces hetimor, por që ai të largohet për të shpëtuar ose për t’iu shmangur më duket e gabuar.
Gjermania është një vend që nuk do të na ndihmonte fare nëse ai do të ishte fajtor në punën e tij. Për Turqinë pastaj nuk di të them sepse natyrisht nuk është një vend i mirëfilltë demokratik, por për Gjermaninë nuk ka asnjë shans. Kështu që nëse këto janë përpjekjet e tij për tu shmangur e ka gabim”, deklaroi ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi.
Shqetësimi i garantëve
Ndërsa avokati Idajet Beqiri largimin e Adriatik Llallës në drejtim të Turqisë e quajti si një lëvizje që tregon shumë. Në një prononcim për ”SOT”, Beqiri nënvizoi se tashmë me ikjen e ish-kryeprokurorit askush nga garantët e tij nuk është më i sigurt. Duke akuzuar familjen Berisha se e caktuan Llallën në postin e kryeprokurorit për t’i mbrojtur, Idajet Beqiri tha se tashmë ata ndihen të shqetësuar. “Adriatik Llalla u përdor keq nga familja Berisha.
Garantët e tij, nuk janë më të garantuar për veten e tyre. E vetmja gjë që mund t’ia bënte më të lehtë kalvarin e pafund të vuajtjeve Llallës dhe familjes së tij, është kërkimi dhe marrja prej tij i statusit të të penduarit dhe të bashkëpunëtorit me drejtësinë, duke mos kursyer asnjë zyrtarë të lartë dhe vetveten e tij nga të gjitha krimet. Këtë gjë e ka të vështirë ta bëj Llalla. Nuk është ai kapacitet që i del Zot vetes. Dërgimi i prokurës së Llallës nga Turqia flet shumë. Ka shumë arsye dhe prapamendime pse u shfaq në Turqi emri, nënshkrimi, apo pse jo, edhe fiziku Llalla! Veç një gjë harrojnë këta myteberët e politikës shqiptare, në demokraci, të gjithë janë të vdekshëm!”, deklaroi avokati.
Dështimi i Llallës
Idajet Beqiri, në vijim të reagimit të tij, lëshoi sulme të ashpra ndaj ish-kryeprokurorit. Ai u shpreh se Llalla për sa kohë mbajti postin e Prokurorit të Përgjithshëm, korri vetëm dështime dhe nuk u e kreu për asnjë moment detyrën siç duhet. “Kur Berishës i vunë këmbët në një këpucë dhe e detyruan të largohet nga pushteti, Berisha konsolidoi në postin e lartë të Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llallën.
Berisha e caktoi Llallën përkundrejt betimit se, sa të ishte ai Prokuror i Përgjithshëm, Berishës, Lirisë, Shkëlzenit, Argitës, Jamarbërit, mbesave të tij, Lulëzim Bashës dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të tjerë në krime me Sali Berishën, nuk do t’u hynte asnjë gjemb i vetëm në këmbë! Adriatik Llalla nuk e kreu dot sipas ligjit funksiononin e Prokurorit të Përgjithshëm.
Ai kreu vetëm detyrat që i jepte përditë Berisha për të shantazhuar kundërshtarët e tij, dhe mbi të gjitha për të mbuluar, djegur e shkatërruar të gjitha dosjet dhe provat e krimeve të rënda të Berishës, Familjes së tij dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të tij.