E shtuna ishte dita e shqiptarëve në ringun profesionist. Pas sukseseve të mëdha të vëllezërve Keta në Arenën e Boksit të Mynihut, ku siguruan të gjithë fitore, në orët e vona ishte radha e një tjetër shqiptari, këtë herë me origjinë nga Kosova, Robin Haxhi Krasniqi, i cili po ne Gjermani mundi rusin Kashtanov në 12 raunde, në një ndeshje shumë të fortë e me rivalitet, por me kosovarin që bëri diferencën raund pas raundi, duke ia marrë ndeshjen rusit me pikë.
Me këtë sukses, Haxhi Krasniqi fiton titullin europian në EBU, duke pritur në radhë për të sfiduar titullin botëror. Në prani të një numri të madh spektatorësh, ku nuk mungonin tifozeria shqiptare me flamujt kuqezi e me daulle që simbolizonin festën, Krasniqi nuk i përmbajti lotët për këtë sukses të madh e të merituar.