Avokati Idajet Beqiri ka denoncuar se ish-truprojën e Sali Berishës, Izet Haxhinë kanë tentuar ta helmojnë në burgun e Reçit. Në një komunikatë për mediat, Haxhiu pretendon se punonjës të burgut të Reçit i kanë dërguar në qelinë e izolimit, Haxhisë një qese me ilaçe dhe i kanë thënë që ia kanë dërguar familjarët. Por sipas Beqirit, Haxhia menjëherë ka kontaktuar me familjarët e tij, pasi çdo ushqim apo ilaç e merr nga motra e tij. Beqiri shkruan se motra i ka thënë Haxhisë se nuk ia ka dërguar ajo qesen me ilaçe dhe kështu sipas tij kjo është një tentativë për ta helmuar dhe për ta hequr qafe.
Beqiri thotë se Haxhia ka kërkuar takim me drejtorin e burgut të Reçit, por i kanë thënë se ilaçet i janë dërguar gabimisht. Ndërkohë. Beqiri thotë se po përpiqen që të eliminojnë Haxhinë pasi ka kundërshtarë të fortë dhe sipas tij kjo tentativë vjen edhe pas kallëzimeve të forta që Haxhia ka bërë ndaj Sali Berishës, të cilin e ka akuzuar si të përfshirë në vrasjen e Azem Hajdarit, apo edhe për Ilir Metën. Haxhia ka thënë vite më parë kanë dhënë 1 mln euro për ta eliminuar fizikisht. Izet Haxhia është i vetmi person i dënuar me 21 vite burg për vrasjen e Azem Hajdarit.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, sqaron opinionin publik mbi disa deklarata në portalet online, sipas të cilave janë informuar nga Avokati Idajet Beqiri, se klienti i tij Izet Haxhia në IEVP Reç Shkodër, “ tentohet të helmohet, me ilaçe dhe vitamina në dhomën e izolimit”
Sa më sipër informojmë opinionin publik se; Me datën 07.04.2023 një të burgosuri tjeter me të njejtin emër (Izet.A), i kanë ardhur ilaçe nga familja nëpërmjet postës dhe janë administruar në zyrën e informacionit për kontroll dhe miratim të mjekut, sipas procedurave përkatëse.
Infermjerët e turnit, V.Gj dhe A.S kanë marrë ilaçet nga zyra e informacionit dhe janë nisur për tja dërguar personit të cilit i kishin ardhur (Izet.A) dhe gjatë kalimit nga sektori i observimit kanë parë emrin e Izet Haxhisë në derë të dhomës dhe e ka pyetur nëse të kanë ardhur ilaçe nga familja. I dënuari Izet Haxhia është përgjigjur se nuk më kanë ardhur ilaçe dhe infermjerët V.Gj dhe A.S, i kanë kërkuar falje duke e sqaruar se ilaçet ishin të të dënuarit Izet. A. Sot datë 12.04.2023, gjatë daljes për në gjykatë i dënuari Izet Haxhia nisur nga keqkuptimi i datës 07.04.2023, i ka shprehur një oficeri të institucionit se mund të më helmojnë.
Sqarojmë se i dënuari Izet Haxhia, nuk është transferuar në asnjë Institucion të Ekzekutimit të Vendimeve Penale Tiranë, siç portalet shkruajnë, por është shoqëruar tranzit për të marrë pjesë në gjyq me datë 13.04.2023, ora 10:00. Pas përfundimit të seancës gjyqësore, i dënuari do të kthehet përsëri në IEVP Reç Shkodër. Pra këto deklarata janë absolutisht të pavërteta”, thuhet në reagim.