Nuk ka ndodhur asnjëherë që një politikan shqiptar të ketë patur një përplasje kaq të fortë, kaq direkte dhe kaq me pasoja, sa ka patur dhe ka Sali Berisha me SHBA. Lufta nisi pas shpalljes “non grata” ndaj Sali Berishës. Shprehje si “PD do hajë bar nëse nuk përjashton Berishën”, “PD të zgjedhë të ardhmen në vend të së kaluarës”, apo “SHBA ndërpret marrëdhëniet me PD nëse kryetar i saj do jetë Berisha”, janë të barasvlefshme me një grusht të madh amerikan ndaj Berishës. Në këtë mes e pëson dhe Ilir Meta. Sinjalet vijnë sërish nga Uashingtoni. Amerikanët i kanë dhënë goditje dyshes Meta-Berisha një muaj para zgjedhjeve lokale. Vetëm 2 ditë para nisjes zyrtare të fushatës elektorale të zgjedhjeve vendore që do të mbahen më 14 maj, i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar do të vizitojë Shqipërinë. Escobar do të vizitojë Tiranën zyrtare ditën e sotme, 11-13 prill. Zyrtari i lartë amerikan do të takohet me kryeministrin Edi Rama e presidentin Bajram Begaj. Ndërkohë nga opozita pritet që të takohet me kreun e komanduar të Partisë Demokratike Enkelejd Alibeajn, Gazment Bardhin e Jorida Tabakun, ndërsa siç edhe pritet do të shmangë takimin me Sali Berishën dhe Ilir Metën.
Koaliconi i “non gratave”
Koalicioni që ata kanë krijuar për të hyrë në zgjedhjet e 14 majit mund të quhet koalicioni i “non gratave”. Berisha-Meta janë bashkë kryesisht në luftën kundër SHBA-ve, ku janë të koordinuar dhe me një strategji të qartë sulmi.
Duke e ditur të dy që janë ‘non grata’ në SHBA, e filluan sulmin ndaj partnerit tonë më të madh që herët, para zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Luftë kjo që u intensifikua pas shpalljes së Sali Berishës “non grata” nga SHBA.
Nga ana tjetër, Ilir Meta e ka nuhatur se do të hyjë në “listën e zezë” të SHBA njësoj si Sali Berisha. Ai e di që në letrat që ka DASH, aleati që SHBA thotë se zoti Berisha ka kryer korrupsion dhe ka ndaluar drejtësinë të bëjë punën e saj, është emri Ilir Meta. Pikërisht kjo frikë që kanë të dy, i ka tërbuar dhe nuk ndalojnë së kundërvëni ndaj SHBA-ve.
Hetim ndaj “non gratave”
Escobar është dhe tmerri i “non gratave”. I dërguari i qeverisë amerikane për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar është i pari që u ka bërë thirrje institucioneve shqiptare që ta hetojnë ‘non gratën’ e Sali Berishës, pasi është i bazuar në fakte dhe prova. “Vendimi për ta përcaktuar(sanksionuar) atë ishte një vendim institucional.
Nuk ishte një vendim individual e s’ishte një vendim politik. Ishte një vendim që ne e morëm për shkak të korrupsionit që gjetëm. Unë do t’u bëja thirrje institucioneve në Shqipëri ta shqyrtojnë këtë. Por dua të them, se ne ende kemi partnerë të mirë në PD, ne duam që PD të jetë një kontribuues i fortë dhe i rëndësishëm i stabilitetit politik në Shqipëri.
Unë do t’u bëja thirrje mbështetësve të PD të mendojnë për imazhin që përcjellin, nëse do të kishin në krye njerëz, që janë përcaktuar nga Sekretari i Shtetit për korrupsion”, deklaroi Escobar disa muaj më parë për “Zërin e Amerikës”. Pra, Escobar përsëriti dhe njëherë se ka fakte dhe prova të cilat kanë çuar në vendimin për të shpallur Berishën të padëshiruar në SHBA, duke nënvizuar se janë prova të cilët i kanë gjetur në institucione.
Njëherësh ai ka lënë për të kuptuar se ato mund të përdoren dhe nga SPAK për të filluar hetimet. Dhe kur deklarata është publike pikërisht nga i dërguari i qeverisë amerikane për Ballkanin Perëndimor, posaçërisht në VOA, kjo tregon qartë se në takimet e herëpashershme të kreut të SPAK në Shqipëri apo gjatë vizitave të Uashington, me përfaqësues të qeverisë amerikane, atij i është kërkuar fillimi i këtij hetimi. Vizita e tij përpara zgjedhjeve paralajmëron zhvillime të bujshme dhe shmangia e Berishës dhe Metës është një mesazh i fortë për politikën shqiptare.