Prej kohësh kompania celulare “ONE Albania”, po përballet me një sërë ankesash dhe problemesh të rënda, duke humbur disa prej abonentëve të saj, për shkak se nuk ofrojnë shërbimet as të telefonisë dhe as të internetit.
Problemet e rënda në funksionimin e sistemit operativ dhe rrjedhimisht shërbimit ndaj qytetarëve kanë nisur prej muajsh, edhe klientët e kompanisë nuk po gjejnë zgjidhje, por po paguajnë faturat për një shërbim të munguar. Mbifaturimet dhe mungesa e shërbimit, kanë bërë që abonentët e “One Albania” të largohen drejt operatorit tjetër.
Dy kompanitë që kaluan në pronësi të 4iG International, One Albania dhe Albtelekom, kishin lajmëruar qytetarët se më datë 1 Prill 2023 do të bashkoheshin dhe rrjedhimisht të gjithë abonentët që ishin pjesë e Albtelekom, do të kalonin automatikisht në ONE Albania.
Ky proces me sa duket ka dështuar me sukses dhe abonentët kanë mbetur pa shërbim për ditë të tëra. I ashtuquajturi “proces i unifikimit” nuk është realizuar për shkak të problemeve që nuk janë përballuar dot nga sistemi operativ indian “BOSS”.
Edhe pas një jave nga tentativa për bashkim të operatorëve dhe bartjen e abonentëve në një sistem dhe numër të vetëm, situata ende nuk është përmirësuar. Kompania ka lënë një afat të dytë, datën 8 Prill, për të riprovuar unifikimin e rrjetit.
Për situatën e krijuar ka reaguar dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), i cili thotë se është informuar nga operatori One Albania sh.a. për procesin teknik të migrimit të numrave celularë nga rrjeti i Albtelecom në rrjetin e sipërmarrësit One Albania. Por, njoftimi i Autoritetit në fjalë lidhet me procesin e datës 1 Prill, jo problematikat e mëpasshme dhe tentativën që do të kryhet përsëri nesër, më datë 8 Prill.
Ende sot, më datë 10 prill, të komunikosh përmes një numri “One Albania” është e pamundur, pasi në momentin që klienti provon të lidhet, një mesazh zanor thotë se: “Lidhja me numrin e kërkuar nuk është e mundur”, sqaron një klient i vjetër i kësaj kompanie. Prej javësh klienti ankohet se telefoni i tij nuk mund të bëj thirrje dalëse tek asnjë numër tjetër, as përmes internetit pasi ai nuk punon, veç thirrjeve hyrëse që janë funksionale.
Ndërsa një klient tjetër sqaron, se për problematikën në fjalë ka disa javë që është ankuar tek Shërbimi Ndaj Klientit, por pa gjetur zgjidhje edhe pas depozitimit të disa ankesave për të njëjtin problem. Klienti shpjegon se edhe paraqitja në dyqanet e “One Albania” nuk kanë sjellë asnjë dobi për rregullimin e problemit, ku përfaqësueset janë shprehur se ky problem është i përgjithshëm dhe do të vazhdoj të vijoj. Dakort por me çfarë kostosh?!
Ekskluzive.al do të denoncojë të gjitha rastet e shërbimit skandaloz të rrjetit “One Albania”, e cila premtoj se do ishte lider në info komunikim por doli që po kalon ditët e saj më të vështira, pasi klientët po i largohen dita ditës për sa kohë nuk ofrojnë shërbimin.
Sot është e pamundur të lidhesh me numrin 123, i vënë në dispozicion për ankesat te Shërbimi ndaj Klientit, dëshmon një klient tjetër, i cili edhe pas 1 ore nuk arriti të lidhej me shërbimin në fjalë.
Sipas denoncimit, gjatë telefonatës radha e pritjes tek “One Albanai” kalonte nga 5 pozicione në 7, gjë e cila nuk është parë në asnjë vend të botës, pasi radha bie nuk shtohet, por edhe pas disa tentativave dhe pritjeve të gjata, kur afrohej momenti për tu lidhur me operatorin, linja ndërpritej. Madje klienti shton se edhe pasi “One Albania” i ofron të zgjedh që të kontaktohet nga kompania duke shtypur numrin 2 gjatë telefonatës me Shërbimin ndaj Klientit, askush nuk të merr mbrapsht.
Ky fluks ankesash drejt numrit 123, ka të bëj me rritjen e pakënaqësisë së kompanisë për shërbimin ndaj klientëve të tyre, të cilët të vetmen mundësi për zgjidhjen e problemit e kanë duke depozituar një ankesë, e cila mbetet pa përgjigje dhe jetime prej disa javësh tashmë./VIJON…