Silvio Berluskoni vijon kurat dhe nata e dytë në spital ka qenë pozitive. Ai po u përgjigjet mirë kurave dhe shëndeti i tij është më i mirë sesa ditën e shtrimit.
E përditshmja italiane ka arritur t’i shkëpusë edhe një koment mbi gjendjen e tij ishpresidentit të Milanit, i cili nga shtrati i tij në “San Rafaele” ka deklaruar:
“Situata që po kaloj është e vështirë, por do t’ia dal mbanë edhe këtë herë. Kam arritur të dal kokëlartë nga shumë situata të ndërlikuara dhe delikate”.
Gjatë ditës së sotme, 86-vjeçari do t’u nënshtrohet analizave të tjera klinike, teksa mjekët që po e kurojnë nuk do të publikojnë ndonjë buletin mjekësor përpara ditës së hënë. Berluskoni vijon të jetë në repartin e reanimacionit dhe po kurohet për një infeksion në mushkëri. Ky problem ka lindur si pasojë e leucemisë që iu diagnostikua Kavalierit në fund të marsit.