Për popullin flet realiteti i hidhur, nënshtrimi ndaj të keqes, kapitullimi përpara saj, braktisja e atdheut dhe jo marrja në dorë e fateve të tij.
Romeo Kara
Për qeverinë, flasin veprat e pamjaftueshme e jo fjalët e bukura, skandalet dhe jo shou, mungesa e vizionit dhe jo përrallat demagogjike. Për opozitën ish-qeveritare, flet këmbëngulja për të mos ndryshuar në përbërje dhe mendësi, për të mos u penduar kurrë për çfarë ka bërë dhe për të mos u bërë asnjëherë forcë progresive politike në shërbim të atdheut.
Për drejtësinë flet realiteti ku kriminelët jetojnë të qetë, të respektuar dhe në drejtim të punëve të vendit, pasuria e pamerituar dhe besnikëria ndaj klaneve politike mafioze. Për besimtarët, flet vetë realiteti, ku ata nuk materializojnë atë që predikojnë dhe nuk e kuptojnë se besim do të thotë të përballesh me të keqen. Për popullin flet realiteti i hidhur, nënshtrimi ndaj të keqes, kapitullimi përpara saj, braktisja e atdheut dhe jo marrja në dorë e fateve të tij.
Për pseudointelektualët, gazetarët e të tjerë si ta, flet qartë bashkëpunimi i tyre me të keqen duke helmuar mendjen e njerëzve dhe kompromentuar çdo mendim e veprim progresiv që në vezë. Për të ardhmen flet kjo e sotme kaotike dhe pa perspektivë.
Nëse duam të ardhme, duhet të çohemi që sot për të ndryshuar nga rrënjët këtë realitet, të hedhim poshtë kompromosin me të keqen, nënshtrimin ndaj saj dhe t’i drejtohemi të nesërmes duke u mbështetur në vlera të larta e të vërteta morale, zbatimi i të cilave do të shëroje plagët e së kaluarës dhe do të jenë garanci për të ardhmen.