Ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-presidenti Ilir Meta kanë ngritur një koalicion me pretendimin për të hyrë në zgjedhjet e 14 majit, por që në fakt e gjitha kjo është një lëvizje anti-amerikane ku po bashkohen të gjithë ish- ministrat dhe zyrtarë të lartë të korruptuar nga frika e veprimit të SPAK. Ndryshe koalicioni që ata kanë krijuar për të hyrë në zgjedhjet e 14 majit mund të quhet koalicioni i “non gratave”.
Berisha-Meta janë bashkë kryesisht në luftën kundër SHBA-ve, ku janë të koordinuar dhe me një strategji të qartë sulmi. Duke e ditur të dy që janë ‘non grata’ në SHBA, e filluan sulmin ndaj partnerit tonë më të madh që herët, para zgjedhjeve të 25 prillit 2021.
Luftë kjo që u intensifikua pas shpalljes së Sali Berishës “non grata” nga SHBA. Nga ana tjetër, Ilir Meta e ka nuhatur se do të hyjë në “listën e zezë” të SHBA njësoj si Sali Berisha. Ai e di që në letrat që ka DASH, aleati që SHBA thotë se zoti Berisha ka kryer korrupsion dhe ka ndaluar drejtësinë të bëjë punën e saj, është emri Ilir Meta.
Pikërisht kjo frikë që kanë të dy, i ka tërbuar dhe nuk ndalojnë së kundërvëni ndaj SHBA-ve. Por jo vetëm kaq. Hijet ruse rrethojnë koalicionin e tyre. Aq sa po ta shikoni me vëmendje, koalicioni i “non gratave” po shkon në zgjedhjet e 14 majit me ngjyrat e siglës si flamuri rus.
Logoja si flamuri rus
Ilir Meta dhe Sali Berisha kanë disa ditë që e kanë publikuar siglën zyrtare të koalicionit të tyre “Bashkë fitojmë”. Tek logoja mbizotërojnë gjithsej tre ngjyra. E kuqe blu dhe e bardhë, ku vihet re qartë ngjashmëria që kanë me flamurin rus. Së fundmi po dalin dokumente që faktojnë lidhjet e Berishës e Metës me rusët. Në skenë ka dalë bashkëshortja e Metës, Monika Kryemadhi, e cila ka marrë para nga rusët. Ajo ka rol kryesor në partinë e ish-presidentit.
Gjithashtu ishte dhe deklarata e Lulzim Bashës për implikimin e familjes Berisha me Moskën që shkaktoi bujë në media. Jo vetëm kaq, Berisha dhe Meta janë të vetmit politikanë shqiptarë që janë akuzuar drejtpërdrejt nga funksionarë të huaj se kanë lidhje të forta me Rusinë.
Për Berishën ishte ish-funksionari iFBI Mark Rossini në vitin 2019. “Në Shqipëri po zhvillohen protesta të drejtuar nga Sali Berisha i cili është nën influencën ruse. Ai dhe familja e tij ka humbur pushtetin. Nëse SB rikthehet në pushtet Putin do të marrë në kontroll Kosovën dhe Shqipërinë. Putin kërkon dalje direkte në portet e Adriatikut.
Pa mendojeni pak”, deklaronte ai. Gjithashtu përmendim këtu dhe reagimin e fortë të ish-zyrtari i BE, Knut Fleckentesin. Vetë Berisha e ka thënë në media se ky i fundit kishte deklaruar në një takim që ish-kryeministri është njeri i rusëve. “Erdhi ky në Tiranë, Knuti në verë dhe takoi shoqërinë civile. 5 organizata, që të 5-ta të sponsorizuara nga Soros dhe u tha mos u mërzisni se Saliun e nxisin rusët”, shprehej Berisha.
Akuzat për Ilir Metën
Një tjetër element është se mediat ruse kanë shkruar me qindra artikuj që mbështesin Ilir Metën. Më poshtë po rendisim disa detaje jo shumë të njohura për lidhjet e vjetra të ish-presidentit me Rusinë. Në vitin 2002, Ilir Meta ka zhvilluar një vizitë në Moskë.
Vizita është mbajtur më 11 dhjetor dhe ka zgjatur disa ditë. Meta në atë kohë mbante postin e zv/kryeministrit dhe të ministrit të Jashtëm, ndërkohë që kryeministër ishte Fatos Nano. Që pas kësaj vizite afrimiteti i Metës me rusët është rritur ndjeshëm.
Gjithashtu gazeta e ka thënë kohë më parë se opozita me në krye Metën dhe Beirshën po ndjekin skenarë që i shërbejnë vendeve armike. Madje dhe ndërkombëtarët kanë deklaruar disa herë se individë të caktuar në vend, e sidomos Sali Berisha kanë lidhje me rusët. Faktet deri më tani kanë treguar se vetëm këta dy personazhe kanë patur kontakte me Rusinë.
Falë ndihmës së tyre bënin lobime në SHBA. Edhe tani dyshimet janë se Meta e Berisha po ndjekin skenarë për interesat e Moskës, me qëllim që vendi të shkojë drejt mosbindjes civile. Ajo që e fakton një gjë të tillë është se sipas ekspertëve ndërkombëtarë, Rusia ka kthyer sytë nga vendet në krizë dhe me paqëndrueshmëri politike duke patur parasysh dhe situatën e luftës në Ukrainë. Sipas tyre, në shtetet Ballkanike ku ka përplasje operojnë dhe fraksionet ruse dhe rajoni ynë është i duhuri për tu shfrytëzuar si një front i dytë nga Vladimir Putini./Elmas Bogdani