Nga viti 2016, 150 fëmijë dhe adoleshentë në Shqipëri kërkuan ndihmë pasi u ka ndodhur një ngjarje e rëndë në internet.
Sipas Qendrës për Mbrojtjen e Fëmijëve, shumica e ngacmuesve seksualë janë meshkujt nga 24 deri në 44 vjeç.
“44% e fëmijëve shikojnë çdo ditë materiale pornografike; 47% janë kontaktuar nga një person i panjohur në internet; 62% konfirmojnë që kanë shokë dhe shoqe që shohin pornografi; shumica e qytetarëve të huaj që kontaktojnë fëmijët shqiptarë janë nga Mbretëria e Bashkuar, 33%; Italia 14% dhe SHBA 8%”, shprehet Altin Hazizaj, drejtor i CRCA, shkruan TCH.
Në Shqipëri, fëmijët e përdorin internetin rregullisht, duke aksesuar lehtësisht edhe në faqe të papërshtatshme për moshën e tyre. Po prindërit, çfarë thonë? A i kontrollojnë dot fëmijët?
“Mundohemi t’u vëmë orare”, thonë disa prindër.
“Fiks Fare” tregoi se si të rriturit ngacmonin seksualisht të mitur nëpërmjet internetit. Ky investigim nxiti pozitën dhe opozitën në Kuvend që njëzëri të deklarohen pro miratimit të ligjit që mbron minorenët. Kërkesa për ndryshimin e Kodit Penal është bërë nga Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve.
“Bëhet fjalë për disa vepra të reja penale, komunikimi i fëmijëve për qëllime seksuale, nxitja e fëmijëve për tu përfshirë në marrëdhënie seksuale. Shumica e këtyre krimeve ne kërkojmë që të dënohen nga 7-8 vjet deri në 20 vjet”, deklaron Hazizaj.
Sipas studimit të CRCA-së, në vitin 2016 rezulton se vetëm gjysma e krimeve seksuale ndaj fëmijëve janë dënuar në gjykatat shqiptare. Pra, si sistemi i policisë, edhe ai drejtësisë janë të papërgatitur, si për të mbrojtur fëmijët, ashtu edhe për të dënuar krimet seksuale ndaj tyre.
“Shqipëria nuk ka një regjistër të krimeve seksuale. Në të gjithë botën janë të regjistruar në komisaritatet e policive, dihet vendndodhja e tyre dhe ata nuk mund të lëvizin nga një qytet në tjetrin pa raportur te policia. Në Shqipëri, persona të tillë i kemi të punësuar në arsim, në polici, në ushtri, në institucionet shtetërore, duke i shërbyer fëmijëve”, shprehet Hazizaj.