Arta Marku u betua si kryeprokurore në 18 dhjetor të vitit të shkuar. Pas gjashtë muajsh, pavarësisht zotimit se zonja Marku do të qendronte për pak kohë në detyrë ajo vazhdon ende në krye të organit të akuzës.
Në datën 7 dhjetor të vitit të kaluar, pas përfundimit të mandatit të ish- kryeprokurorit , Komisioni i Ligjeve çeli procedurat për kandidatët për prokurorët të përgjithshëm. Në këtë mbledhje u tha se Prokurori i Përkohshëm do të ishte fare pak në detyrë, madje Vasilika Hysi parashikoi afatin e qëndrimit jo më shumë se një muaj.
Por, me gjithë këto deklarata dhe jo vetëm, zonja Marku ka ndërmend që ta mbajë gjatë drejtimin e akuzës përsa kohë ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk duket në horizont.
Por, tashmë kanë kaluar disa muaj dhe kandidatët që synojnë Këshillin e Lartë të Prokurorisë janë ende nën vetting, çka do të thotë se shtyhet edhe koha e drejtimit të akuzës nga Arta Marku si kryeprokurore e përkohshme. Top Channel i kërkoi Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku strategjinë që ajo ka për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Në përgjigjjen zyrtare, ndoshta për të treguar vullnetin për transparencë, Prokuroria e Përgjithshme na referoi tek faqja e internetit ku është publikuar strategjia e Arta Markut.
Por, pavarësisht përkohshmërisë që u deklarua me muaj, e vërteta është se kjo strategji ka afatin nga 2018 deri në 2020, ndërkohë që askush nuk ka deklaruar se kaq do të jetë edhe mandati i saj në këtë detyrë të përkohshme.
Dhe për ta vulosur këtë situatë, megjithëse Arta Marku ka kompetenca të kufizuara si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme, edhe zyra e shtypit nuk e njeh me këtë status, por çdo vizitë të sajën e deklaron si takime të Arta Markut si Prokurore e Përgjithshme pa afat.