Nga Anri Bala
Nuk e kuptova, përse u kritikua moderatorja dhe i ftuari, që folën për historinë e një qeni?! Kritikat më dhanë një shije të hidhur, për mënyrën e perceptimit të gjërave. Të flasësh për mikun tënd, se ka vuajtur dhe pavarësisht se ai është vetëm një kafshë, është gjëja më normale në këtë botë. Qeni është një mik i mirë dhe i rëndësishëm, për ato që e kanë dhe i’a vlen dashuria dhe dhembja për të, tu transmetohet të gjithë atyre, që janë njerëz dhe i duan kafshët.
Ndaj, kritikat se u fol për një kafshë, kur Shqipëria ka problematika të tjera të mëdha, janë amatoreske, kur flitet për llojshmërinë e problematikave, që duhet të pasqyroj një media. Por, duhet të ndjehen tërësisht të ndyer, nga koka tek këmbët, të gjithë ata që harrojnë e as që shqetësohen, kur në media dalin lloj lloj qensh, që flasin… në disa gjuhë, por më të preferuarën kanë qençen. Kjo është masakër dhe dhunë psikologjike, për çdo njeri, që nuk mund të mësohet me lehjet pa pushim, të së njëjtës race.
Këto lloj qensh, të tipit “langua”, i ftoni e i mikloni, duke u hedhur kocka, që të lehin sa më shumë, paçka se krijojnë një kakofoni, që nuk e merr vesh i pari të dytin, por ju gëzoheni ama, se i’a arritët qëllimit… i kacafytët. Ju nuk i ftoni për gjë tjetër, vetëm të kacafyten dhe të rrisni numërin e atyre që i shikojnë… qytetarëve, që në të vërtetë shtohen, e ju mallkojnë deri në brez të shtatë!
Edhe njëherë e përsëris, të qytetarëve, sepse ato që ju dëgjojnë dhe i kënaqni me këto shfaqje steriotipe, nuk hynë as tek fshatarët, por tek… kafsharët.
Kjo më bëri që t’ju drejtohem edhe njëherë njerëzve: “Duajini kafshët, por ato të vërtetat, që nuk kanë gojë, por vuajnë të të flasin, të të japin dashuri dhe të të betohen, se gjëja më e afërt për to… jeni ju”!
Kjo më detyroj që t’ju drejtohem, bastexhive të ekranit: Largoni qentë nga ekrani, ato qen që flasin, vjedhin, grabisin, që janë të njohur për bëmat e tyre të ndyra. Lërini t’iu vij ngordhja ngadalë ngadalë dhe mos tentoni t’i shëroni, sepse nuk mundeni, sepse shumë nga ju vuani nga sëmundja e tyre dhe pacienti vetëm mund ta ngushëlloi pacientin, por jo ta shëroj.
Mjaft po mundoheni për t’i shëruar vizualisht për sytë e popullit, e kjo gjë nuk i shëron fizikisht, por i sëmurë më tepër në sytë tanë. Ju nuk po bëni gjë tjetër, por pa dashje, po i ndihmoni të fundosen, nga lodhjet e lehjeve pareshtur. Për hirë të kafshës besnike dhe të dashur, të paktën na bëni një nder edhe ne: Nëse nuk i ndaloni dot qentë e mëdhenj të mos lehin, të paktën ndaloni langojtë.
Ndërsa ne, si njerëz, do e respektojmë lotin për qenin mik dhe do e ruajmë urrejtjen për stallën e qenve me dy këmbë… politikën!/Ekskluzive.al