Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dje gjatë një takimi me strukturat e Policisë Bashkiake dhe Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit u shpreh se ndërtimet pa leje në kryeqytet janë ulur me 95%. Ai u shpreh se ky fakt është një sukses për qytetin dhe se zaptimet e hapësirave publike në të kaluarën janë arsyeja pse pengohen projektet e punëve publike.
“Më parë politika futej në çdo kantier pune. Ju kujtohet kantieri këtu te Liqeni? Ju kujtohet kur liruam kantierin në anën tjetër të Liqenit? Ju kujtohet kur u lirua “Bulevardi i Ri”? Ju kujtohet kur u lirua sheshi “Skënderbej” nga kioskat dhe çudirat aty? Ju kujtohet kur u lirua Parku “Rinia”? Ju kujtohet kur u lirua Lana?
Sot shumë njerëz, përfshi edhe disa prej nesh, i kanë harruar dhe është shumë mirë që i kemi harruar sepse vërtet janë përralla nga e kaluara. Sot Lumi i Tiranës nuk përmbyt më. Sot sheshi “Skënderbej” nuk është një grumbull i madh kancerogjen nga marmitat e makinave.
Sot Parku “Rinia” është një hapësirë e jashtëzakonshme në mes të qytetit. Sot “Pazarin e Ri” edhe Kalanë i kemi harruar si kanë qenë. Dikur ishin pirgje me plehra, sot janë dy vendet më të vizituara në Tiranë.
Sot “Bulevardi i Ri” po fillon përgatitjet për të pasur ndërtesën e re të Bashkisë së Tiranës, ashtu siç do të jenë edhe disa nga hotelet më dinjitoze, ashtu siç do ketë edhe hapësira të tjera”, deklaroi ai. më tej kryetari i Bashkisë theksoi se nuk do tolerohet më askush që pengon këto projekte, apo punën e Bashkisë, për vendosjen e rregullit dhe ligjshmërisë në rrugë e në shkolla.
“Shumë prej këtyre punëve i kemi harruar, por një gjë nuk duhet ta harrojmë: mirënjohjen dhe respektin për ato uniforma të Bashkisë së Tiranës që i mundësuan projekte të tilla. Siç ka guximtarë, që nuk duhet ta bëjnë këtë gabim dhe të mendojnë se gjatë fushatës do tolerohen shkeljet e vogla, ashtu ka edhe guximtarë në politikë, në sojin tim, të cilët thonë se ‘po të rrëzojmë këta që bëjnë rregull në qytet, që vendosin disiplinë e që vënë shumë gjoba, ne do t’ju lejojmë të ktheheni siç keni qenë’.
Shkojnë te shitësit ambulantë dhe u thonë ‘do kthehemi prapë dhe do shtrihemi prapë nëpër rrugët e Tiranës’. Por, sa të jem unë kryetar bashkie, nuk do kthehemi asnjë centimetër pas, për t’u shtrirë nëpër rrugë, për të ndenjur mbi plehra, për të lëshuar kafshët kudo dhe për të filluar ndërtimet pa leje, sepse Tiranës i ka shkuar për mbarë ligjshmëria, rregulli, disiplina”, nënvizoi Veliaj.