Afrimi i zgjedhjeve vendore ka rritur ankthin në radhët e partive politike në vend. Ndonëse bëhet fjalë për pushtetin lokal, këto zgjedhje janë një tregues i qartë i asaj se çfarë do të ndodhë në zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2021.
Nga njëra anë janë sfidë për qeverinë, e cila do të masë veten e saj para publikut se ku është krahasuar me rezultatin e 25 qershorit. Nga ana tjetër sfida më e madhe është për opozitën. Nëse Basha i humbet këto zgjedhje, qëndrimi i tij në krye të PD do vihet shumë në pikëpyetje sepse bëhet e treta herë që PD humbet me të në krye.
Por sfidë është dhe për LSI, pasi Kryemadhi për të parën herë do hyjë në zgjedhje si kryetare. Po ashtu vetë LSI hyn në zgjedhje këtë herë në opozitë dhe duke qenë se baza e elektoratit të saj ishin të punësuarit, kjo mund të sjellë disfatë.
Për këtë arsye të gjitha palët janë vënë në lëvizje që të fitojnë zgjedhjet e 2019. PS prej muajsh ka nisur përgatitjet duke reformuar bazën dhe duke piketuar kryebashkiakët që nuk rikandidojnë dhe emrat që do futen për të parën herë në garë. Nga ana tjetër dhe PD me LSI kanë nisur ristrukturimet e degëve. Por ditët e fundit janë dhënë sinjale se partia më e shqetësuar është Lëvizja Socialiste për Integrim. Gazeta një ditë më parë e deklaroi se arsyeja që PD dhe LSI nuk po shkojnë mirë kohët e fundit janë zgjedhjet vendore.
Një burim i tha gazetës “Sot” se Kryemadhi nuk ka shumë besim te Basha dhe ka kërkuar garanci që tani që PD dhe LSI të hyjin bashkë në zgjedhjet vendore të 2019. Gazeta ka mësuar se frika më e madhe e LSI është se mund të riaktivizohet pakti Rama-Basha para zgjedhjeve vendore. Më 18 maj pjesë e paktit ishte reforma zgjedhore dhe i gjithë qëllimi ishte që të shkrihet LSI.
Ndërkombëtarët kanë kërkuar që reforma të mbyllet para qershorit 2019 dhe nuk përjashtohet të kemi një takim të ri Rama-Basha. Kjo ka vënë në alarm Metën, Berishën dhe Kryemadhin, të cilët ditët e fundit kanë nisur sulmet ndaj liderit demokrat. LSI po e sulmon përmes medieve pranë saj, ndërsa Berisha ka filluar të ngrejë klane në PD që nxitin dhunë dhe revolta me qëllim rrëzimin e qeverisë.
Roli i Berishës
Në opozitë janë krijuar dy linja. E para është ajo e Bashës, i cili është i moderuar ndaj qeverisë. Dhe linja e dytë është ajo Berisha-Meta-Kryemadhi, që janë shumë herë më radikalë. Burime pranë selisë blu i thanë gazetës se arsyeja se përse deputetë pranë Berishës po nxisin dhunë dhe LSI është e ashpër, janë pikërisht zgjedhjet vendore.
Partia e Metës ka kërkuar që tani një pakt me Bashën dhe garanci që nuk do ketë tradhti në zgjedhjet vendore, por që PD ende nuk ka vendosur. Frika e LSI është se këto zgjedhje vendore mund të sjellin kapitullimin e saj politik. Ndonëse ka 19 deputetë, nëse ajo humb bashkitë në zgjedhjet vendore, disfata në zgjedhjet e 2021 është e pashmangshme.
Shumë militantë e kanë braktisur LSI dhe të vetmit që e mbështesin janë të punësuarit në bashkitë që drejtohen ende prej saj. Ndërkohë, krah LSI është rreshtuar dhe Berisha. Prej disa ditësh ai ka bërë thirrje për revolta, ndërsa dje u ripërsërit e njëjta deklaratë. Këtë herë ish-kryeministri shfrytëzoi pretendimet se po survejohet Basha, duke kërkuar mosbindje civile. Më herët ishte Flamur Noka që konfirmoi se në opozitë po ngrihet një grup deputetësh që do të ndërmarrin reagime të ashpra ndaj qeverisë. Pas këtij grupi dyshohet se fshihet dyshja Meta-Berisha.