Ambasadori italian në Tiranë, Alberto Cutillo në një intervistë për Ora News, tha se beson se negociatat për Shqipërinë do të hapen këtë qershor, duke nënvizuar se Italia ka punuar bashkë me Shqipërinë për të bindur skeptikët.
Por ka ende punë për të bërë nga ana e Shqipërisë besoj, lufta ndaj korrupsionit, goditja e grupeve kriminale… A po jep ndonjë ndihmë Italia në këtë fushë?
Po, unë besoj se Italia po e bën për dy arsye. E para sepse ne duam ta ndihmojmë Shqipërinë në këtë rrugë dhe e dimë se me të drejtë në Bruksel e shohim me shqetësim të veçantë efikasitetin e luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, prandaj të ndihmojmë Shqipërinë është e rëndësishme për rrugën europiane të Shqipërisë.
Por e bëjmë edhe për një arsye egoiste, nuk ka arsye pse ta fshehim. E dimë se problemet për Shqipërinë rrezikojnë të kthehen probleme për Italinë. Kriminaliteti që vepron në Shqipëri e sheh Italianë si tregun natyral në të cilin do të veprojë lirisht prandaj kemi një interes kombëtar përpara se të kemi një interes ndërkombëtar për të përforcuar masat që Shqipëria po aplikon për luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit.
Unë besoj që ky bashkëpunim që tashmë zgjat prej 30 vjetësh ka qenë gjithmonë intensiv por në këtë periudhë ka arritur rezultate më të mëdha se në të kaluarën, prandaj ne jemi të kënaqur për zhvillimet e fundit në Shqipëri por presim si të gjithë gjithmonë diçka më shumë
Çfarë është ajo gjëja më shumë?
Sipas meje ka dy aspekte të veçanta. E para ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit duke nisur nga niveli i poshtëm. Ky fenomen nuk është fenomen vetëm i zyrtarëve por është një fenomen që shpesh është i përhapur në të gjitha institucionet shqiptare. Kjo mbase është një trashëgimi edhe nga regjimi komunist, i një sistemi ku nevojitej të kërkoje nder për të bërë diçka.
Këtu ka nevojë për një kërkesë nga shoqëria civile më shumë se nga institucionet sepse duhet të punojnë së bashku për të zhdukur këtë fenomen edhe në përmasat e tij kulturorë. Dhe pastaj ka një luftë ndaj grupeve të mëdhenj kriminalë.
E dimë që këto grupe ekzistojnë, e dimë që janë të fuqishëm, e dimë që dinë të mbrohen dhe duhet të tejkalohen këto mbrojtje. Asnjë përjashtim nuk duhet bërë në luftën kundër kriminalitetit. Koncepti i pandëshkueshmërisë nuk mund të ekzistojë në një shtet demokratik. Në këtë front shoh progres por siç thashë më parë ka gjithmonë diçka më shumë për të bërë dhe ne besojmë që Shqipëria është në gjendje ta bëjë.
Po për negociatat jeni optimistë?
Ne besojmë ende se Këshilli Europian i qershorit është ai që do të hapë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. E dimë që jo të gjithë vendet anëtare janë të bindur. Kemi ende rreth një muaj kohë për të ndihmuar ata që kanë ende dyshime për t’i kapërcyer ato.
Detyra kryesore i takon natyrisht Shqipërisë dhe e përsëris se kur them Shqipërisë, kam ndërmend sigurisht qeverinë, autoritetet duke përfshirë edhe qytetarët shqiptarë që mund të japin një kontribut në këtë çështje.
Italia do të ndihmojë në këtë rrugë, do të dialogojmë me partnerët që kanë ende dyshime dhe të shpresojmë që nga tani e deri në qershor të kapërcehen. Është një sfidë, nuk është e lehtë por duam ta luajmë deri në fund
Pra ka një garanci që bashkëpunimi do të vazhdojë?
Ka një garanci madje unë besoj se bashkëpunimi, ashtu siç tregon aktiviteti i sotëm po hyn në një fazë të re, në një fazë pune së bashku që do të japë me siguri rezultate për të ardhmen e këtij vendi.