Nga Kristo Mërtiri
E kam dëgjuar nga mëhallalinjtë tiranas në Kryeqytet, vite më parë. Thonë se është kthyer në anekdotë humoreske dhe është përhapur gojë më gojë edhe në krahina të tjera shqiptare:
“Osmën Gazepi dhe Koco Kota shkuan një ditë në burgun e Burrelit. Ishte një nga burgjet e rinj të ndërtuar ashtu që as miza të mos hynte brenda. Ata ishin të interesuar që të bëhej sa më mirë.
-Sikur të na vinin të dyve në burg ?,-pyeti Osmëni Kocon.
C’thua, malukat, thyej gjuhën !
-E po burgu ashtu, si për ne do ndërtuar…
-I mencëm je zotrote.
-Do menduar zoti Kryeministër, si ta shkojmë pleqërinë. Ku i dihet kësaj dynjaje jallane…
-Gjuhëdjall ! T’u thaftë goja me gjithë mendjen !…
-Unë një fjalë lëshova, “mistrec”, dhe i mbeti në qafë tërë qytetit !,-u përgjigj Osmani.
-Druaj, se do na mbetet neve burgu,-tha Kocua si i pikëlluar…
E kujtuam pasditen e së shtunës, kur po flisnim për frytet e Reformës në Drejtësi. Një miku im, Profesor i nderuar në pension dhe që ka mbetur në apartamentin e “kohës së Enverit”, me kontribute jo të vogla në fushën e Arsimit dhe që unë e thërras me dashuri “o djali i Cotit të Beratit”(me origjinë përmetar), lexon rregullisht median e shkruar dhe kuvendon qetësisht e me plot argumente bindëse.
Buzëqeshte me episodin e mësipërm dhe përpiqej të hynte në “valle” duke cituar shkrime e intervista konkrete, e aspak përrenjtë psikikë me pseudonime e baltovina në internet. Dhe citon shpesh me seriozitet një urtësi të mocme për Gazetarinë:” Mos harroni, lavdia dhe merita e disave është se shkruajnë mirë; e të tjerëve është se nuk shkruajnë fare”. Varu teneqenë atyre që gjithë jetën e shtynë si anonimë dhe nuk ngopeshin me letra anonime për jetët e të tjerëve !…”.
Mirëpo, sebep i ndërrimit të bisedës u bë intervista e një deputeti ish ministër dinjitoz, që u pyet edhe për arrestimet e zyrtarëve të majtë, duke lëshuar definicionin se ky fakt i vërtetë “është një sinjal që Prokuroria po godet korrupsionin që si pas tij zhvillohet vetëm në pushtet”. Përgjithësisht, dakort deri këtu.
Po pse, Shqipëriza jonë paska deputetë, ministra e zyrtarë të korruptuar, vetëm nga lëndinat majtiste ? Të jemi të sinqertë, kjo pyetje ka kohë që vërtitet hapur në opinionin publik edhe si një njëanshmëri zuzare e “namusqare”, militanteske e tinëzare. Njerëzia nuk është e verbër dhe as shurdhe ! Ajo shikon e irritohet përballë vilave në Gjirin e Lalëzit, në Lundër a Farkë, nëpër brigjet e deteve Adriatik e Jon, apartamentet luksoze në Kryeqytet e gjetkë etj.
Gati të gjithë rrogëtarë e ish rrogëtarë në Shtetin e së “Drejtës”, katapultuar padrejtësisht në Polit(h)ikë, nëpër Parlamente dhe Qeveria të majta e të djathta, nëpër Drejtoria të Përgjithshme dikasteresh e institucionesh të varura e “të pavarura”, pa përmendur këtu merimangat familjare, fisnore e të krushqive, ato miqësore e me themele të dukshme financiare brenda interesave të fëlliqura dhe jashtë Ligjit që u përplaset në fytyrë kryesisht fukarenjve e njerëzve “pa shpatulla të ngrohta” ose të papunëve të thjeshtë në fshat e qytet !
Po pse, kulmi i korrupsionit dhe maja e ajsbergut të kësaj dukurie të shëmtuar, qenkërka te kryetari i Bashkisë së Bulqizës ?! Por rasti i tij me nëpunësit e tjerë, personalisht mendoj se nuk duhet të përdoret si ajo copa e kuqe nëpër duart e toreadorit përballë demave të hazdisur në abuzime e vjedhje. Përndryshe, politizimi i skajshëm të xnjerr zbuluar dhe aspak “fitore e madhe” e Prokurorisë apo e Gjyqësorit përballë Qeverisë së majtë!
Së pari, nga zotërinjtë e SPAK-ut e të BKH-së që paguhen çdo muaj majmërish në krahasim me cilindo në republikën tonë demokratike, nuk po jepet ende përgjigje para opinionit publik që gëlon e pret shpresëpashuar:
Vetëm disa zyrtarë të majtë e bënë trokë Shqipërinë tonë hallemadhe ? Rrokullimat dhe vithimat ekonomike nuk mund të fshihen nga kujtesa popullore e historike, që nga “Ceku i Bardhë” e tepër mashtrues; rrafshimi i veprave industriale, bujqësore e blektorale dhe katandisja në skrap e fitime marramendëse në kohën e qeverisjes së djathtë; privatizimet ulëritëse nga individë kokë e këmbë të korruptuar e hajdutë me cizme, që i lanë punëtorinë dhe specialistët me gisht në gojë; ngritja e kështjellës hatabërëse të Piramidave mbi kurrizin e taksapaguesve-qytetarë fakirë e të ndershëm; pallatet e kullat vezulluese shumëkatëshe që shushatin e u bëjnë karshillëk të hapur atyre që nuk kanë vjedhur e nuk vjedhin asgjë shtetërore e publike etj. etj. Po cilit po i tunden e shkunden prangat ?! Të vazhdosh të heshtësh a të dorëzohesh përballë këtyre ujqërve të vjetër e të rinj që shpalosin flamurët “opozitarë”, vec të tjerave, do të thotë të ulësh në maksimum besimin e njerëzisë.
Së dyti, logjistikën e nevojëshme për magjistratët e Prokurorisë së Posaçme, nuk ua siguron dot opinioni i shëndoshë publik. Nëse “disa hetues nuk punojnë as me qejf”(sic u informuam javën që shkoi), përse nuk japin dorëheqjen ose ti largojnë nga detyrat jo të zakonëshme në Pallatin e Drejtësisë ? Po rrogat e majme, a i marrin me qejf cdo muaj ? Në kushtet e vendit tonë, për ata është investuar shumë nga brenda e jashtë Shqipërisë.
Në një kohë kur me mijëra e mijëra pensionistë që kanë derdhur pa kursim djersë, mundim e sakrifica të mëdha nëpër mëmëdheun e dashur, mbijetojnë e mbyllin mezor muajin nëpër dyqanet e supermarketet ushqimore. Dhe as që bëhet fjalë për t’u veshur, për ilacet e pleqërisë apo për të rregulluar dhëmbët e dhëmballët e gojës ! Mirë ata që i ndihmojnë fëmijët, po qindra të tjerë që rrojnë të vetmuar në varfërinë, fatin e ndershmërinë e tyre të rrallë ?…
Së fundi, kaq shumë të merakosur e të telikosur jeni vallë për “sekretin e hetimit”, sepse sipas drejtuesve të Prokurorisë së Posacme “në rast se njëri prej prokurorëve duhet të marrë në pyetje një person, kolegët e tjerë të zyrës duhet të dalin jashtë” ?! Nuk është as për të qeshur e as për të qarë.
Ose më tej. Përse nuk guxojnë t’i përmendin me emra e mbiemra 8 ish gjyqtarë që “janë dërguar në Gjykatë” ? Apo kur na thuhet ne joanalfabetëve se “Janë rritur me 30 për qind çështjet lidhur me korrupsionin”! Statistika të tilla me rrënjë moniste e pluraliste nuk na gudulisin hiç. Shyqyr, që herë pas here, ca dosje bien nëpër duar “gazetarësh” (kupto: përgjues e tellallë të neveritshëm dhe shpërdorues të Ligjit) dhe rrjedhin çuditërisht nga mehmurët tuaj të pacipë e krejt të papërgjegjshëm ! Përse e mbani gojën kyçur dhe nuk na thoni asnjë me emër e mbiemër ?
Njerëzit e korruptuar nuk janë vetëm shifra fjalimesh e raportesh për veprimtari zyrtare. Edhe pyetja në krye të shkrimit për deputetë e ministra të majtë me pranga “të djathta”, ka mbetur varur përballë opinionit publik dhe kërkon përgjigje. Teorizimet boshe dhe justifikimet me qoshe nuk i ha më njeri. Si i vlerësoni e i mbroni rrogat tuaja marramendëse në bordero e karta bankare ?…
Të rrimë shtrembër e të flasim drejt. Njerëzia e percepton ndoshta ndryshe nga ju situatën e derisotme : Ai ha një ka dhe fshin buzët, ti ha një koqe fik e të hedhin byzylykë në duar!