Rezart Hoxha nga Vlora, jeton prej më shumë se 26 vjetësh në Londër. Ai erdhi sot në “Shqip” nga Rudina Xhunga në Dritare Tv për të treguar historinë e tij të ‘97-ës.
Si u largua nga trazirat e ‘97-ës, me një anije luftarake drejtë Italisë bashkë me 500 bashkatdhetarë.
Ndonëse nuk e dinin se çfarë i priste në anën tjetër të detit, Rezarti dhe shumë të tjerë, vendosën të sfidojnë fatin e tyre.
Rezarti rrëfen si arritën të hyjnë në një anije luftarake të ankoruar në Pashaliman, që kontrollohej nga banditët e armatosur për t’u nisur më pas drejt Italisë.
Ne shprehet Rezarti, nuk e dinim e dinim që po jetonim historinë e Shqipërisë në ato momente, atë pjesë të historisë që do të shkruhet një ditë.
“Ndodhesha në Shqipëri kur filluan ato rrëmujat në ‘97-ën. Isha 18-19 vjeç. Mbaj mend në ‘97-ën kur dilja në qytetin e Vlorës, ishte një zonë luftë. Dyqanet ishin qëlluar me armë. Ishte e pabesueshme që po ndodhte diçka e tillë në qytet. Pastaj u hapën depot e armëve, apo nisën edhe grevat e urisë. Unë kam qenë spektator i ‘97-ës. Fatmirësisht nuk kam qenë e as nuk jam entuziast armësh. Mbas hapjes së depove të armëve, filluan të iknin njerëz drejt Italisë.
Ika edhe unë. Ne shkuam te zonan ku rrinin nëndetëset në Karaburun. Flota detare tanimë kontrollohej nga banditët. Nuk i kontrollonte më shteti. Shteti kishte braktisur çdo gjë. Banditët kishin kapur 2-3 anije dhe nuk lejonin njeri të afrohej. Nuk kishte shans të futeshe në anije, sepse ishin banditët, ata merrnin veç familjet e tyre dhe nuk mund të shkoje. Ishin të gjithë me armë, ne nuk kishim.
Në anijen që donim të iknim ne kishin hipur 300-500 veta dhe nuk kishe shans të afroheshe sepse të qëllonin me armë. Ne nuk kishim as mbështetje në atë anije që të hipnim. Banditët e kishin gati anijen dhe vetëm se nuk kishin drejtues, pra nuk kishin kapiten anijesh nuk iknin dot as ata.
Dëgjova atëherë që i kishin dërguar njerëz me armë te shtëpia kapitenit dhe e kërcënuan duke i thënë ose do të vish me dëshirë, ose me pahir. I dhanë mendësinë të merrte familjen dhe të shkonte në anije. Ne e kishim humbur shpresën totalisht për të hipur në atë anije. Fatmirësisht një nga kushërinjtë e mi njohu një nga këta të “ekuipazhit” dhe i foli. Bëmë një marrëveshje dhe hipëm në anije. Na futën në një qoshe në atë anije e pritëm deri sa erdhi kapiteni.
U nisëm ngadalë sepse edhe anija nuk ishte në gjendje të mirë funksionale. Kishte shumë armatime nëpër këmbë, ishte në gjendje luftarake. Ne filluam të luanim me predhat që kishim nëpër këmbë. Sapo kaluam Sazanin dhe u afruam në ujërat italiane, ata që kontrollonin anijen, filluan të hedhin armët në det, ne hidhnim predhat.
Ata e dinin që shumë shpejt do të kishim përpara ushtrinë italiane. Sa u futëm në ujërat internacionale na erdhën anije gjigante luftarake italiane dhe helikopterë luftarakë. Ishte i jashtëzakonshëm ky moment sa doli edhe nëpër mediat italiane me foto. Ne nuk e dinim që po jetonim historinë e Shqipërisë.
Ne ishim emigrantë në atë anije, por ishim në një anije luftarake. Nuk e kishim kuptuar gravitetin e asaj që po ndodhte. Arritëm në Itali, ishte pak agresive pritja në ‘97-ën, sepse nuk ata dinin me çfarë njerëzit kishin të bënin duke e ditur çfarë po ndodhte në Shqipëri. Na bënë kontrolle të ashpra, por në fund arritëm në Itali dhe pas disa kohësh qëndrimi aty, nisi aventura e re drejt Londrës.”, tha Rezarti në “Shqip” nga Rudina Xhunga.