Nga Ulvi Zajmi
Njihej si “Shkolla e Vagabondëve”, edhe pse në shumicën e herëve nuk kishte lidhje me vagabondazhin. Zyrtarisht quhej Shkolla apo “Kolonia e Riedukimit” dhe ka ekzistuar e funksionar për disa dekada në Tiranë, si një mjedis edukues, vetëm për fëmijët me probleme sociale.
Por, si lindi ideja, cilët ishin ata që e ndërtuan, e drejtuan, dhe cili ishte kontingjenti i fëmijëve? Nga Gramshi, transferimi në Yzberisht të Tiranës, pas një urdhri të kryeministrit Mehmet Shehu, dhe marshimi në këmbë i fëmijëve. Si e kujton sot Ivan Koli, një nga drejtuesit e njohur të këtij institucioni, që nga krijimi dhe mbyllja e asaj shkolle, që merrej vetëm me fëmijët jetimë, të braktisur e keqbërës.
Hapi fillestar në Yrshek, pastaj në Gramsh
Shtëpitë për edukimin e fëmijëve, kanë funksionuar prej vitesh në mjaft shtete, si ato të Kampit Socialist, me në krye ish-Bashkimin Sovjetik, gjithashtu në Europë me: Italinë, Francën, Anglinë, e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithçka e bazuar mbi ligje dhe me programe të detajuara mirë.
Një sistem i tillë, për strehimin e fëmijëve jetimë e të braktisur, ka ekzistuar edhe në Shqipëri, gjatë periudhës së pushtimit fashist, por që ishte nën influencën italiane. Tentativa e parë për të hapur një shkollë apo “Qendër Edukimi të Fëmijëve” me probleme sociale, u projektua në vitin 1952, për në Yrshek, afër Tiranës, por dështoi shumë shpejt, ende pa nisur të funksionojë, ndonëse u grumbullua një kontingjent prej 60-70 fëmijësh e të rriturish, deri në 20 vjeç, që akuzoheshin për grabitje etj.
Tentativa e dytë, vjen në vitin 1957, kur u krijua “Kolonia e Edukimit të Fëmijëve”, disa kilometra larg Gramshit, një qytet i shkëputur dhe pa shumë komunikim me pjesën tjetër të Shqipërisë. Fillimisht, nuk kishte kritere të mirëfillta, madje në grupet e para të fëmijëve, kishte jo vetëm minoren, por edhe të rritur.
Rreth 100 të tillë, u vendosën në disa kapanone ish-reparte ushtarake të braktisura, ndërkohë që fillimisht, ata futeshin në karantinë, ku qëndronin disa ditë për, t’u bashkuar më pas me grupin. U hartua një rregullore, ndërsa u bë thirrje e përgjithshme, për afrim të kuadrove për të shërbyer në këtë Koloni.
Enrik Çoba, drejtori i parë
Drejtori i parë i kësaj shkolle, ka qenë Enrik Çoba, një zotni shkodran shumë korrekt, serioz dhe i përkushtuar, që mori detyrën për të ngritur të parën Shkollë apo Koloni Edukimi. Bashkë me të, afrohen edhe disa kuadro, si: Stefan Mihali, (mësues i gjuhës shqipe), Myftar Marku, edukatori për fizkulturën, ndërkohë që u morën edhe disa ushtarë, për të kryer shërbimin ushtarak, duke ruajtur ndërtesën, madje aty flinin dhe trajtoheshin. Për të marrë eksperiencë, Enrik Çoba, u dërgua në Rusi, për një periudhë 3-mujore, për të parë nga afër “Kolonitë e Makarenkos”. Çoba, qëndroi drejtor deri në vitin 1966, për t’u zëvendësuar nga Ceno Doracaj.
Modeli “MAKARENKO”?
Anton Makarenko, ukrainas, pedagog, psikolog, edukator, njeri i afërt i Leninit, ishte i pari që aplikoi teorinë “kolektive” të trajtimit të fëmijëve. Menjëherë pas “Revolucionit Socialist të Tetorit” dhe Luftës së Parë Botërore, në vitin 1917, ai iu kushtua fëmijëve minoren të braktisur, të mbetur jetimë nga lufta, vjedhës, keqbërës dhe pa familje.
Themeloi koloninë e parë të punës “Kolonia Gorki”, ku fillon eksperimentimin si edukator, një model sovjetik shumë i njohur dhe efikas për kohën e mëvonshme, bazuar në konceptin e Makarenkos, për ndihmën dhe integrimin në shoqëri të fëmijëve të pashpresë. Vdiq papritur në Moskë, në vitin 1939, kur ishte 51 vjeç, por sistemi që ai ndërtoi njihet si: “Kolonitë e Makarenkos”. E tillë ishte edhe ideja që, shteti shqiptar projektoi e që funksionoi për disa dekada. Vite më vonë, për të parë nga afër shkollën e Tiranës, erdhi një ish-nxënës i “Kolonisë Makarenko”, tashmë në rolin e drejtorit të saj.
Vizita e Mehmet Shehut, vjen transferimi
Deri në vitin 1960, Shkolla e Riedukimit, qëndroi në Gramsh. Pikërisht në fund të këtij viti, kryeministri Mehmet Shehu, shkon në Gramsh dhe viziton “Koloninë”. I habitur nga rregulli, funksionimi, pastërtia, disiplina e fton drejtorin t’i tregojë mënyrën e organizimit. Duke shfrytëzuar mundësinë dhe situatën entuziaste të Mehmet Shehut, me intuitë, Çoba, i propozon, duke i kërkuar Shehut transferimin e shkollës, në një qytet që të ishte më afër jetës aktive e sociale, pasi Gramshi, ishte krejtësisht i izoluar. Pa kaluar shumë kohë, vjen urdhri për transferim në Yzberisht të Tiranës.
Marshim në këmbë drejt Tiranës
Të pajisur me plaçkat e trupit mbi shpinë, pas një marshimi të gjatë, nxënës dhe edukatorë kanë udhëtuar në këmbë për tri ditë përgjatë rrugës automobilistike nga Gramshi, deri në kryeqytet, shpeshherë duke fjetur rrugës. Ndërtesa njëkatëshe e caktuar për këtë qëllim, ishte bërë gati në Yzberisht, një fshat në periferi të Tiranës, në perëndim të saj, vetëm 6-7 km nga Tirana dhe shumë afër me Kombinatin e Tekstileve “Stalin”. Me kushte dhe mundësi të tjera, krejt ndryshe nga ai i Gramshit, fillon një tjetër etapë, tashmë ndryshe për Koloninë e Riedukimit.
Kontigjenti i parë me fëmijë
Në Yzberisht, bashkë me kontingjentin e ardhur nga Gramshi, u krijua një grup me rreth 100 fëmijë, nga e gjithë Shqipëria, hajdutë xhepash, jetimë të braktisur nga familjet, rrugaçë të lënë jashtë kontrollit, nga ata që kishin braktisur shkollën, nga familje me shumë fëmijë etj. Vinin të zhveshur, të hutuar, pa ditur se izolimi disavjeçar, do t’u shërbente për t’u shmangur nga një rrugë apo mundësi, që i shtynte në faje apo krime të rënda. Në vijim, numri i tyre u rrit deri në 200, ndërkohë që përfshirja e vajzave, ishte e ndaluar në Shkollën e Riedukimit.
Si funksiononte kolonia
“Kolonia e Riedukimit”, kishte si qëllim edukimin e fëmijëve, ndërmjet punës dhe shkollës, madje kjo e fundit, ishte në plan të parë. Me idenë e funksionimit si një shkollë gjysmë e hapur dhe jo e izoluar tërësisht, fëmijëve u jepej mundësia të merrnin zanate, si: marangoz, tornitor, axhustator, murator etj., për ata që kishin arsimin shtatëvjeçar dhe në shkollë e punë, ata që ishin analfabetë. Gjithçka brenda atij mjedisi, duke filluar nga kushtet higjieno-sanitare, dhomat e gjumit, klasat për mësim e studim, biblioteka, mensa, kuzhina, kinoklubi, ofiçina për punë mësimore e prodhuese etj., dhe i gjithë institucioni, varej nga Ministria e Brendshme. Godina ruhej nga disa roje ushtarë dhe pak policë, që shërbenin aty në mbarëvajtjen e sigurimin e Kolonisë. Në ato fillime, kishte raste që fëmijët largoheshin, pasi nuk e duronin rregullin apo disiplinën, por policia i kapte dhe i kthente përsëri aty.
Gjetja ideale e Enrikut
Për disa vite, shkolla vuante nga mungesa e personelit të përgatitur, pasi deri në ato vite, rekrutimi i kuadrove, ishte i vështirë, sepse shkolla nuk preferohej si vend pune dhe si edukatorë, qëndronin njerëz pa nivel profesional. Në vitin 1964, Enriku, duke parë këtë mungesë, informohet se ka një kontingjent me mësues të emëruar në qytete të ndryshme të vendit, që kishin bërë kërkesë për t’u rikthyer në Tiranë, pranë familjeve të tyre.
Ai i propozon Ministrisë së Brendshme, idenë e tij, për të punësuar këta mësues në Shkollën e Riedukimit. Fillimisht i takoi e bisedoi me ta, nëse pranonin apo jo që të visheshin oficerë dhe të kryenin punën si edukatorë në këtë shkollë me profil specifik. Për ata mësues që kishin familjet në Tiranë dhe nuk kishin nevojë të sistemoheshin me shtëpi, ishte një avantazh i madh. Afrohen specialistë të përgatitur për mësim e prodhim, e bashkë me ta edhe 5-6 kuadro të prapavijës. Pa harruar Fatimen, k/kuzhinieren ikonë, të kësaj kolonie.
1969, mbyllja e pamotivuar
Në vitin 1969, tashmë e organizuar dhe kur gjithçka funksiononte, papritur vjen urdhri për mbylljen e saj. Nuk u dha një motiv bindës, përveç ndonjë arsyeje anemike, të tipit që: “Shqipëria është vend socialist dhe s’ka nevojë për shkolla të tilla”. Edhe propozimi që ajo të bëhej shkollë-konvikt 11-vjeçar, profesionale, me djem edhe vajza që do të vinin nga qytete të tjera për shkollim, duke i integruar të ardhurit me kontingjentin brenda shkollës, për të krijuar një atmosferë ndryshe në trajtimin dhe komunikimin midis fëmijëve, nuk u miratua.
Një arsye, mund të ishte edhe fakti se: ushtarakët e angazhuar aty, ankoheshin në vazhdimësi, sepse shkonin aty në orën 13:00 dhe rrinin deri në orën 21:00, duke u shkëputur nga familja e shoqëria. Ata kishin privilegj vetëm të shtunat e të dielat, që të qëndronin pranë familjeve. Pas mbylljes së shkollës, fëmijët e liruar, u kthyen në familje, apo u shpërndanë në mënyrë sporadike, duke u sistemuar në konvikte, qytete e vende të tjera, dhe aty erdhi Shkolla Bujqësore.
Viti 1973, rihapja në të njëjtin vend
Në vitin 1973, shkolla u rihap në të njëjtin vend e ndërtesë. Nuk ishte më Enrik Çoba, drejtori i famshëm, por Jani Papandile, një tjetër intelektual i njohur. Në atë rifillim, kontingjenti ishte i vogël, rreth 40-50 nxënës, por që brenda një kohe të shkurtër, u rrit deri në 200 fëmijë, të cilët u shpërndanë dhe u sistemuan në 8 brigada e kompani, me 20-25 fëmijë secila.
Tashmë, pranoheshin vetëm fëmijë nga 10-15 vjeç, jo më me moshe të madhe. Bashkë me rihapjen e shkollës, u rikthye edhe kontingjenti i kuadrove që kishin shërbyer vite më parë në atë Koloni. Edhe emri mbeti i tillë, pra, “Shkolla e Riedukimit”, që në masën popullore, njihej si “Shkolla e Vagabondëve”.
Program i veçantë mësimor nga Ministria
Situatat familjare prej nga vinin fëmijët, njiheshin mirë. Ishin kryesisht të prekur nga divorcet, burgosjet e prindërve, dhuna, prindër të arratisur, grabitës xhepash të trenave etj. Izolimi i fëmijës bazohej në ligjet e shtetit dhe propozimet vinin nga fshati, policia, lagjja, shkolla, Fronti, që i shoqëronin me argumente, motivin pse fëmija duhej të dërgohej në Shkollën e Riedukimit, si dhe kushtet familjare të tij. Në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit, funksiononte një komision, që vendoste për fëmijët që duhet të shkonin në këtë qendër. Drejtuesi i komisionit, përgatiste dosjen dhe pasi merrte shumicën e votave, i dërgonte në “Koloninë e Edukimit”, në korrik apo gusht, në fillim të vitit arsimor.
Periudha e qëndrimit, ishte nga 1-3 vjet. Fëmijët ishin të detyruar të qetheshin te berberi që vinte nga Tirana dhe zgjimi bëhej në orën 05:30 apo 06:00 dhe me vrap, ata shkonin deri tek Ura e Beshirit e kthim. Pas sistemimit të fjetoreve, mëngjesit, në orën 08:00, fillonte mësimi për ata që vazhdonin shkollën dhe puna në ofiçinë, për ata që kishin zanat. Programi i shkollës, ishte i veçantë dhe i miratuar nga Ministra e Arsimit, tri ditë shkollë e, tri ditë punë. Në mesditë, fëmijët merreshin me aktivitete sportive që zhvilloheshin brenda territorit të shkollës, i shtrirë në disa hektarë. Madje gjatë periudhës së verës, në breg të lumit Erzen, organizoheshin qëndrime të gjata me çadra të fëmijëve, që punonin dhe laheshin.
Puna prodhuese, Bilardot e famshme
Me shumë rëndësi dhe me mjaft efikasitet, ishte organizimi dhe produktet e shkollës, gjatë punës prodhuese të fëmijëve. Me kushte të mira dhe makineri modern, të siguruara nga shkolla, përveç zanatit, që fëmijët merrnin aty, prodhimet e tyre, ishin të preferuara për cilësinë dhe kryesisht realizoheshin e përdoreshin nga repartet ushtarake në varësi të Ministrisë së Brendshme. Por ato që kërkoheshin më shumë, ishin bilardot e realizuara pikërisht në këtë shkollë. Ato dërgoheshin në shtëpi e vatra kulture, mjedise të ministrive etj. Nuk prodhoheshin vetëm gurët, që vinin nga jashtë shtetit.
Jeta brenda mureve, “Dhoma e izolimit”
Në mjedisin e shkollë, kishte një dyqan ushqimor dhe për të nxitur ndërgjegjen e fëmijëve, ata ishin të detyruar që, pasi blinin diçka, të hidhnin në një kuti të vendosur brenda dyqanit, paratë me vlerën e sendit, që kishin blerë. Ndërkohë, për punë e sjellje të mire, edukatori merrte nga financa një sasi të vogël parash, 10 apo 20 lekë, dhe i’a jepte fëmijëve t’i shpenzonin, kur ata dilnin me liridalje. Funksiononte gjithashtu edhe “Dhoma e izolimit”, ose ndryshe: “Shkolla e Punës”.
Fëmijët që nuk silleshin mirë, bënin vjedhje apo grindeshin, me propozim të edukatorit dhe me urdhër të drejtorit, mbylleshin në “Shkollën e Punës”, një mjedis i vogël, jashtë rrethimit. Atje qëndronte një polic që merrej me ta. Fëmijët nuk kishin të drejtë të shkonin paradite në punë e shkollë, ndërsa kohën e lirë dhe fjetjen e kalonin aty. Qëndrimi në “Dhomën e izolimit”, zgjaste një muaj. Gjatë ditës, nuk merrnin kontakt me nxënës të tjerë, punonin në bujqësi e ktheheshin në dhomë. Çdo fëmijë kishte dosjen e tij personale.
“BODECI”, gara për sjellje të mirë
Nxitja për sjellje të mire, ka qenë sistematike dhe në shumë forma e mënyra të ndryshme brenda shkollës. Garat midis kompanive, ishin shumë efektive, edhe organizohej me sistem pikësh: Për veprime e nota të mira, jepeshin pikë pozitive, kurse negative, për veset, sjelljet e këqija, si pirja e duhanit, grindjet me njëri-tjetrin etj. Një herë në javë, më pas një herë në dy-tre muaj, bëhej konkluzioni dhe kompania që kishte fituar më shumë pikë, përfitonte liridalje, ndërsa fëmija dërgohej me leje në familjen e tij. Kjo i stimulonte fëmijët të ndryshonin qëndrime.
Një formë tjetër ishte “Bodeci”, një kënd i ngritur në shkollë, ku afishoheshin emra, karikatura me fëmijët që kishin bërë faje. Në Koloni, kishte shërbim mjekësor sistematik, madje në raste epidemie, angazhimi ishte më i madh dhe fëmijët dërgoheshin për kurim në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Kishte takim me prindër, një herë në javë, kur kishte probleme, dhe familjarët duhej të ishin të pranishëm në takim. Për familjet e fëmijëve të varfër, kishte një ndihmë financiare nga shkolla.
Temat politike, të ndaluara
Sipas programit, të hartuar në shkollë, nuk kishte lëndë muzikore, ndërsa nuk bëhej fjalë për orë me tema të karakterit politik. Për të tilla ku përfshiheshin fjalimet e udhëheqësit kryesor, Enver Hoxha, kongreset, çështjet dhe situatat e tensionuara politike të kohës, nuk kishte interes për nxënësit dhe ora e Edukatës Morale, nuk ekzistonte. Programi orientonte vetëm punë, mësim dhe aktivitete sportive, pa ngarkesa politike. Ndërkohë, nga vetë drejtoria e shkollës, organizoheshin anketa lidhur me vlerësimet që nxënësit kishin për edukatorët, mësuesit, për profesionet, me kushtin që drejtoria do t’i mbante të fshehur emrin e tij. Jo në pak raste, shkolla vizitohej në mënyrë surprizë nga zyrtarë të lartë të shtetit, si kryeministri Mehmet Shehu, apo ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu, që tregonin interes dhe kujdes për shkollën.
Sporti, shumë i dashur për fëmijët
Në Gramsh, dhe pas ardhjes në Tiranë, te Kolonia, sportet e preferuara kanë qenë boksi, mundja dhe peshëngritja. Një punë kolosale, bënte Myftar Marku, pedagogu i fizkulturës me fëmijët e pasionuar pas këtyre sporteve; organizonte kampionatin e mundjes në palestrën e shkollës. Nuk mungonin as në kampionatet e moshave, madje ka nxjerrë edhe kampionë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë vendit, me klubin e “Dinamos”. Sportistëve u jepnin leje të shkonin në stërvitje e, të riktheheshin në kamp.
Por, për fëmijët e kolonisë, pas transferimit në Tiranë, futbolli ishte ai që i tërhiqte më shumë, më pak basketbolli e volejbolli, edhe pse kishin fusha në mjedisin e shkollës. Ata krijuan edhe skuadrën e futbollit dhe në rastet kur luanin në fushën e Kombinatit të Tekstileve “Stalin”, ajo mbushej me spektatorë. Por, edhe sfidat edukatorë-nxënës, brenda shkollës, me porta të vogla, ishin spektakolare dhe me rivalitet. Në periudhë vere, fëmijët dërgoheshin për pushime në plazhin e Golemit, apo në malin e Dajtit.
Këshilli edukativ dhe vendimi i Këshillit të Ministrave
Në shkollë, funksiononte Këshilli Edukativ Mësimor, ku bënin pjesë edukatorët, mësuesit dhe mjeshtërit. Edukatorët propozonin para se të mbaronte viti se cilët fëmijë mund të liroheshin nga kjo kompani dhe ishte përfaqësia që vendoste. Bëhej lista me fëmijët që plotësonin kriteret për lirim, e cila dërgohej në Drejtorinë e Policisë. Pastaj, kjo u përcillej rretheve, ku shkonin edhe fëmijët me zanatet që kishin fituar. Zyra e Punës në Komitetin Ekzekutiv të rrethit, sipas një VKM-je, (Vendimi të Këshillit të Ministrave), duhej detyrimisht t’i sistemonte në punë, edhe sikur të mos kishin vende në organikë. Pasi mbaronin shkollën, fëmijët mund të mos e deklaronin apo të thoshin se kishin qenë në Shkollën e Edukimit (nuk ishte kusht), kur fillonin punë shoqëroheshin me dokumentin e kategorisë së punës që kishin marrë. Pasi dilnin në jetë, mësues e edukatorë shkonin dhe i ndiqnin ku jetonin dhe si punonin, duke parë konkretisht rezultatet e pas riedukimit.
Fundi si në filmin: “Na ishte një herë Shkolla e Vagabondëve”
I tillë ka qenë, një fund pa fund, duke mos lënë asnjë shenjë e gjurmë, kur Shkolla e Riedukimit, u mbyll në vitin 1990, duke ulur siparin për të mos e ngritur kurrë më. Në periudhën pas viteve ’90-të, ajo u transferua në Shëngjin, në një repart ushtarak, por në pak kohë humbi gjithçka. Kontingjenti i fëmijëve, nuk ishte më i seleksionuar, personeli edukues u largua dhe ajo nuk pati jetë. Nëse sot, do të rikthehesh në Yzberisht, në vendin dhe sipërfaqen ku ajo ka qenë për gati 30 vjet, nuk do të gjesh asgjë. As ndërtesën njëkatëshe, por të tjera ndërtime moderne, ku janë vendosur prej vitesh FNSH e Drejtoria e Kufirit dhe Emigracionit. Ka mbetur rruga dikur nacionale, ndonëse e dëmtuar, që të çon tek Ura e Beshirit, Ndroq, Pezë e Plepa. Ndërsa Shkollën e Riedukimit, nuk do ta gjesh më, pasi kështu e transformoi dhe e fshiu koha. Ta kujtosh në ditët e sotme një Koloni Edukimi që ka ekzistuar në Shqipëri, është njësoj sikur të flasësh për një film të njohur: “Na ishte një herë……”Shkolla e Vagabondëve”! /Memorie.al