Nga Ogerta Manastirliu / Facebook
Nëse “Profesori” Petrit Vasili do të ishte i vetëm, dhe jo pjesë e një kori të shfazuar vajtojcash mbi shëndetësinë, nuk do të meritonte asnjë rresht përgjigje. Por ai meriton më shumë se një rresht.
Sepse në atë kor, “Profesori” është një ndër ata që e shpunë sistemin në buzë të greminës;
– që porositë e biznesit të të afërmve i shndërronte në urdhëra Ministri;
– që kur ishte në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, lejoi batërdinë me ilaçet e skaduara, të cilat “çuditërisht” kalonin gjithmonë nga e njëjta kompani…;
– që kur ishte Ministër u vendoste taksë të dyfishtë barnave: edhe TVSH, edhe pullë me tarifë të shtrenjtë;
– që u diktonte infermierëve të “kualifikoheshin” në Universitete të falimentuara dhe ligjshkelëse;
– që i mbushi oborret e spitaleve me kioska qoftesh dhe pizhamash shumëngjyrëshe;
dhe sot ka vendosur të hipë edhe një herë në “katedër”, dhe të vërë notë për Shëndetësinë.
Nëse do ta krahasonim Shëndetësinë sot, me kohën kur vajtojcat si “Profesor” Petrit Vasili e katandisën në gërmadhë, me siguri do të ishim shumë të kënaqur. Çdo krahasim me shëndetësinë e tyre do të na nxirrte lart, shumë lart, në çdo zë.
Por ne vetë të parët nuk jemi të kënaqur. Sepse krahasohemi jo me të shkuarën, po me të ardhmen. Jo me ato që kemi bërë, po me ato që do të bëjmë për ta çuar deri në fund transformimin e Shëndetësisë.
Prandaj ne do të vazhdojmë të punojmë çdo ditë, me gjithë fuqinë, për ta çuar sektorin, aty ku dhe ashtu siç e meritojnë qytetarët.
“Profesorin” do ta lëmë të vazhdojë të vendosë nota vajtimi, me zërin e lartë të kujt kujton se e kanë harruar çfarë bëri, kur i kishte në dorë t’i bënte, ato që sot nuk di as t’i kërkojë.
Por nganjëherë do t’ia kujtojmë sidoqoftë “kohërat e arta” të spitaleve, ku s’kishte as serume, as çarçafë e as derë ku të trokisje për t’u ankuar. Madje s’kishte as media që kërkonin më shumë, sepse të gjithë i ishin dorëzuar fatit të të qenit në dorë të vajtojcave të korit, ku spikaste dje dhe spikat sot, “Profesor” Petrit Vasili…