Benet Beqiri
8 Mars, 20:27| Përditesimi: 8 Mars, 21:08
Kukësi është një prej qyteteve më të prekura nga emigrimi masiv, kryesisht drejt Britanisë së Madhe. Shumica e tyre janë integruar plotësisht në shoqërinë britanike, duke kontribuar edhe me taksa tek autoritete britanike e hapur sipërmarrjet e tyre me të cilat mbajnë familjet, por kanë punësuar edhe persona të tjerë.
“Jam nga Kukësi, jam shkolluar në Tiranë, kam mbaruar inxhinierinë e ndërtimit në Tiranë. Prej 3 vitesh kam ardhur në Angli. Punoj si inxhinier ndërtimi në një kompani lider në Britani. Miqtë e shokët që jam rrit në Kukës i gjeta këtu”.
“Kam një kompani time nuk është se jam shumë i suksesshëm, por jam i suksesshëm në rrugën time. Ndjehem krenar që paguaj taksat dhe kam kompaninë time”.
“Gjeta vështirësitë e para të jetës se nuk kisha zanat punova berber, mësova zanatin dhe sot prej 4 vjetësh kam dyqanin tim në zonën e Six me një skuadër prej 4 vetash”.
“Kam ardhur në 24 maj 1998 në Londër dhe kur erdha këtu erdha për një jetë më të mirë”.
Shumica kanë krijuar familjet e tyre dhe fëmijëve të lindur në Angli u kanë mësuar shkrimin dhe këndimin e gjuhës shqipe.
“Preferoj të flas shqip dhe fëmijët e mi unë ju flas shqip dhe të 3 fëmijët e flasin shqipen”.
Por pavarësisht se kanë arritur një stabilitet dhe garanci ekonomike, të gjithë e kanë mendjen e kanë të vendlindja nëse ndryshon diçka sado e vogël që t’u krijojë mundësinë atyre të rikthehen. Sipas tyre Kukësi, është vend i mikëpritjes së refugjatëve dhe jo i prodhimit të refugjatëve.
“Kam dy çuna që më kanë lindur në Angli, por kur kam ardhur nuk e mendova që do bëhesha familjar dhe do të shtoja popullsinë e Anglisë, por dua të shtoj popullsinë e Shqipërisë. Shkoj shpesh në Shqipëri, por nuk e gjej asnjëherë atë që mendoj por shpresoj. Kurbetin ta lavdrofshin e në të mos qofshin kanë thënë të moçmit tanë”.
Ndërkohë Kreu i bashkisë së Kukësit, Safet Gjici ka zhvilluar një takim me kuksianët në Londër. Ai u shpreh optimist se me investimet në infrastrukturë shumë kuksianë do të kthehen në vendin e tyre.