Edhe pse pas ka një vendim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm që ia heq totalisht të drejtën që ai të përdorë simbolet e Partisë Demokratike ish-kryeministri Sali Berisha ka sfiduar hapur drejtësinë.
Me urdhër të tij, përfaqësuesit ligjorë të “Foltores”, Ledio Nuraj dhe Franc Nuri depozituan pranë Komisionit Qendor të Zgjedhjeve dokumentacionin për regjistrimin si subjekt zgjedhor në emër të Partisë Demokratike për 14 majin. Ndërkohë që regjistrimin e PD e ka bërë dje fakt të kryer Enkelejd Alibeaj, të cilit në fakt sipas vendimit të Gjykatës i takon vula e partisë dhe e drejta për ta përfaqësuar në KQZ dhe në zgjedhje.
Por Berisha i ka firmosur dokumentet si kryetar i Partisë Demokratike, duke shkelur kështu hapur ligjin dhe rrezikuar burgun për falsifikim dokumentesh dhe jovetëm. Përtej debatit se kush ka të drejtë, skandal është se “Rithemelimi” i Berishës, ka falsifikuar firmën dhe logon e PD-së.
Kjo pasi në këresnë e dorëzuar në Komisinin Qendor të Zgjedhjeve, shihet vula dhe logoja e Partisë Demokrtike, në një kohë që kjo e fundit aktualisht njihet nga institucionet dhe aksesin për t’i përdorur ato e ka Enkelejd Alibeaj dhe Gazment Bardhi që janë mandatuar nga Lulzim Basha. Pra, thënë troç Berisha ka kryer vepër penale, pasi ka falsifikuar logon dhe vulën e PD-së dhe rrezikon të ndiqet penalisht.
Berisha rrezikon 4 deri në 7 vjet burg
Po çfarë penalitetesh ka kur dikush falsifikon vulat ose stampat. Kështu sipas Nenit 190 të Kodit Penal sa i takon falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve, thuhet se personi që ka kryer këtë vepër penale rrezikon heqje lirie. Kështu që nisur nga kjo që është e shkruar e zezë mbi të bardhë, Berisha rrezikon 4 deri në 7 vjet burg.
“Falsifikimi ose përdorimi i vulave, i stampave apo i formularëve të falsifikuar ose paraqitja e rrethanave të rreme në këto të fundit, që u drejtohen organeve shtetërore, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet. Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet. Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet”, thuhet në nenin 90 të Kodit Penal.
Argumentet e Berishës
Ndërkohë në argumentimin e kërkesës, Berisha e cilëson vendimin e Agron Zhukrit që ka njohur Kuvendin që ai ka zhvilluar më 11 dhjetor 2021 si të pashfuqizuar. Berisha thotë se do të bëhet rekurs nga ana e tij dhe kjo e bën vendimin jo të formës së prerë.
“Rekordet e organeve drejtuese të Partisë Demokratike të Shqipërisë që figurojnë të pasqyruara në Regjistrin e Partive Politike janë të vjetra dhe nuk pasqyrojnë korrektësisht organet drejtuese të saj, veçanërisht përsa i përket ish-kryetarit të partisë z. Lulzim Basha i cili, përveçse është shkarkuar nga kjo detyrë në Kuvendin Kombëtar të datës 11.12.2021 ka dhënë edhe dorëheqjen me një akt publik në datën 21.03.2022
Kërkesa për regjistrim e subjektit zgjedhor në zgjedhje, sipas nenit 64 të Kodit Zgjedhor dhe akte të tjera që lidhen me të, janë akte ekskluzive të cilat i takojnë Kryetarit të Partisë dhe nuk mund të delegohen te asnjë tjetër”, thuhet në kërkesën e Berishës.
Në kërkesë theksohet gjithashtu se mospasqyrimi i akteve të sipërcituara, në regjistrin e Partive Politike mund të rrezikojë procedurialisht, për herë të parë që nga viti 1990 regjistrimin e partisë më të madhe të opozitës në procesin zgjedhor.
“Nisur nga sa më sipër, kërkojmë nga ana juaj, regjistrimin e Partisë Demokratike si subjekt zgjedhor për zgjedhjet e përgjithshme vendore të datës 14.05.2023, në përputhje me parashikimet e nenit 64 e vijues të Kodit Zgjedhor dhe sipas jurisprudencës së krijuar nga vetë KQZ me vendimin e saj nr. 230 dt.27.04.2019, sipas dokumentacionit qe do te gjeni bashkëlidhur”, thuhet në kërkesën e “Foltores” dorëzuar në KQZ.