Mediat italiane raportojnë për tensione shumë të larta në brigjet e Italisë, pasi Rusia vazhdon të sfidojë Perëndimin me anijet e saj në detin Mesdhe.
Njoftohet se dy anije moderne ruse po gjurmojnë aeroplanmbajtësen amerikane “Bush” duke krijuar një situatë të re tensioni që rrezikon të precipitojë.
Sipas ekspertëve që citon La Repubblica në Itali, dy anijet ruse janë duke gjurmuar aeroplanmbajtësen amerikane Bush, e cila aktualisht po lundron në Adriatik në brigjet e Pulias, shumë afër dhe me Shqipërinë.
Kjo po ndodh pasi Rusia po zhvillon një nga operacionet më tinzare të muajve të fundit mes Kalabrisë dhe ishullit të Korfuzit.
Satelitët kanë zbuluar praninë e anijes ruse “Kola”, e cila ka ardhur ditët e fundit nga Oqeani Atlantik.
Sipas mediave italiane, dyshimet janë që kjo anije t’i bashkohet korvetës raketore që do të niset nga baza siriane e Tartous.
Kjo është patrulla e parë në Mesdhe pas rreth 12 muajsh. Kasatanov është një nga anijet më moderne të flotës ruse. Rusët tashmë nuk po fshihen. Ata komunikojnë me bazën e tyre dhe dërgojnë një sinjal të qartë në NATO: “Ne jemi këtu, në detin tuaj!”
Italiania La Repubblica njoftoi se, një P-72 e Forcave Ajrore italiane është nisur nga aeroporti i Sigonella dhe po monitoron situatën.
Por duket se kjo ngjarje nuk mbaron me kaq. Në brigjet e Siçilisë ndodhet edhe anija Ammirgalio Kasatanov dhe cisterna Akademik Pashin.
Me këtë zhvillim të ri, duket qartë se Rusia po avancon me presionin mbi NATO-n përgjatë detit që rrethon gadishullin italian dhe që është porta për në Evropë.
Dhe paralelisht me shtimin e forcave detare në Detin e Zi, Rusia po rrit edhe praninë e saj në Mesdhe.
Nuk është hera e parë që marina ruse e bën të prezente praninë e saj në Mesdhe. Pak muaj më parë, në Kanalin e Otrantos, disa anije ruse u panë pikërisht në ujërat që ruajnë rubinetin e gazsjellësit që sjell gazin e Azerbajxhanit në Itali, i cili zëvendëson gazin rus.