Është bërë e qartë tashmë se në mediamerkaton shqiptare pritet të ketë një lëvizje të pamenduar deri dje: Blendi Fevziu, një ndër figurat ikonike të TV Klan, i identifikuar gjithashtu me logon e këtij televizioni, do kalojë te Top Channel. Afërmendsh, ndihet efekti Blushi në këtë lëvizje krejt të pazakontë.
Sepse Fevziu ngjante me ata lojtarë që e lidhin të gjithë karrierën e tyre vetëm me një fanellë – fjala vjen si Françesko Totti te Roma – pa preferuar të futen në pazare të llojeve jo vetëm financiare, që i çojnë sa andej-këndej ekraneve, pa u zënë të pasmet vend.
Duke përjashtuar startin e Opinion-it, te TVSH për ca muaj, një logo ende me prestigj asokohe kur dhe nisi emisioni, shtator ’97-të, Fevziu ka qenë totalisht një identitet i TV Klan. Por krejt ndryshe ka ndodhur me rivalin e tij direkt në audiencë, Sokol Ballën, që tanimë është në diskutim nëse kjo lëvizje e Fevzos do e detyrojë atë që të rikthehet atje, te shtëpia e tij e dikurshme, e para televizive, prej së cilës do dilte në mënyrë të pazakontë, përmes një sherrnaje fizike, ku ata që nuk e deshën thonin se u nxorr zvarrë nën një batare grushtash e shqelmash, prej Shakohoxhës e vëllait të vogël Frangaj, ngjarje e para afro 15 viteve.
Por se si ka qenë e vërteta e kulluar e atij sherri, pak dihet, pasi rrëfenjat gazetareske nuk ishin dhe aq të tilla, nxitur nga mërira, antipatira dhe preferenca emocionale. Dihet qartë vetëm efekti që pati në ekran, pasi atë ditë Klan-i nuk pati edicion lajmesh. Si pasojë e sherrit, news room-i i televizionit u shkërrmoq për punë minutash. Shumë gazetarë (më saktë gazetare), ikën bashkë me shefin e tyre të enjtur.
Balla do kishte më pas eksperiencën e parë post-Klan duke realizuar Kafazin e Artë në News 24, pararendësin e Big Brother-it të mëvonshëm, e pas tij zhvendoset në Vizion Plus me emisionin Fahrenheit. Kjo deri në kalimin te Top Channel, duke zëvëndësuar Andi Bejten si Drejtor Informacioni.
Aty nis dhe Top Story-n e tij, duke i vënë brrylin Shqip-it të Rudina Xhungës me një zhvendosje nga e enjtja në të hënë.
Kishte ardhur momenti për t’u ngrënë dhëmbë për dhëmbë në fashë orari me Fevziun. Emisioni i parë: Anthulla Rrapi denoncon Kadarenë për sëmundjen e të birit që i dashuronte vajzën.
Ç’prej atëhere rrodhën shumë ujra dhe sot Balla gjendet në Vizion Plus, i përfolur se mund të kthehet sërish në Klan, pas largimit të pritshëm të Fevziut drejt Top-it. Një rikthimi i tij te Frangajt, do ishte po aq “lajm i madh” sa braktisja e Frangajt nga Fevzo, më shumë se për Top-in, për Blushin. /tesheshi.com/