Ish-Presidenti Bamir Topi ka folur në Report Tv për situatën në Partinë Demokratike teksa luftën për vulën dhe siglën e cilëson si mjerim politik. Në një intervistë për ‘Kontrast’ me gazetarin Denis Minga dhe analistin Lorenc Vangjeli, Bamir Topi u shpreh se Sali Berisha nuk ka qëndruar kaq gjatë për të mbyllur ciklin e tij por ka klonuar edhe 100 të tjerë të rinj që ndonëse të diplomuar artikulojnë njësoj si ai, ndaj mungon shpresa për qytetarët.
Topi shtoi se Edi Rama ka punuar gjatë gjithë kësaj kohe që ta kthejë Berishën në qesharak dhe ia ka dalë. Sipas ish-presidentit, gjithçka po ndodh është kurth i një plani politik i organizuar ndër vite nga kreu i qeverisë.
Ylli Pata: Furtuna për Xhelalin përballë fobisë së bashkimit të PD-së
LEXO EDHE:
Ylli Pata: Furtuna për Xhelalin përballë fobisë së bashkimit të PD-së
“E lexoj shumë mirë vendimin e Apelit. Së pari këto ndryshime që po bëhen po prishin disa gjëra dhe një ndjesi timen, sot je në pushtet, nesër po erdhi ai që ti e ke gatuar, nuk zbret më nga pushteti. Koha e konfirmoi. E them këtë sepse e gjithë kjo situatë është historia e një kurthi që në planin politik është organizuar me mjeshtëri ndër vite nga Rama. Ka inteligjencë të nevojshme për procesin e nuhatjes me funksion pastrimin. Berisha punon brenda oborrit të vet.
Historia e marrëdhënies me Ramën është e qartë, në vite Rama ka punuar për ta kthyer Berishën në qesharak dhe e ka realizuar. S’mund të lihet fati i një partie politike 2 ditë para regjistrimit. PD me siglën PD ku edhe unë kam pjesën e aksioneve duhet të ishte arshivuar. Një gjë që amortizohet deri në këtë pikë shkakto dhimbje. Pse luftojnë për vulën? Se janë njerëz të diskredituar. Një njeri me personalitet del edhe pa siglën. Në emër të asaj sigle ke spastruar njerëz pa fund. Unë nuk e kam për individin por për të tjerët. Ky individ (Berisha) nuk ndejti për të mbyllur ciklin e tij, ka klonuar edhe 100 të tjerë. Sheh sot njerëz në moshë të re që kanë mbaruar universitete që varfërojnë fjalorin e tyre dhe e sinkronizojnë me fjalorin empirik të Sali Berishës, atëherë ku është shpresa? Vula dhe sigla konsiderohet mjerimi politik, pjesa malinje që e shfrytëzon dhe mungesa e shpresës për qytetarët”, tha Topi.
Lorenc Vangjeli e cilësoi Berishën si strumbullar, të cilit po i kthehet gjithçka si ‘karma’. Sipas analistit, Berisha e di që është mbreti lakuriq dhe e ka të pamundur të kthejë PD në pushtet.
“Vendimet e gjykatës pranohen se nuk ke çfarë i bën. Një gjë është e saktë dhe e pandryshueshme, drejtësia e vonuar është e munguar. Të premten kishte drejtësi të munguar se ishte e vonuar. Ky është një nga ato momente që nëse do të ishte libër, vepër artistike apo një telenovelë, çdo shikues do e konsideronte si fantazi që nuk përkon me realitetin. Ky është momenti fatkeq ku realiteti e tejkalon fantazinë e sëmurë. Duke e nisur nga strumbullari i gjithçkaje, karma duket se po merret gjatë me doktorin dhe po i kthen atë çfarë ai i ka bërë të tjerëve. Kryetari i PD në mënyrë legale dhe formale mbetet Lulzim Basha. Edhe doktori e di që është mbreti lakuriq dhe nuk e sjell dot PD në pushtet.”, tha Vangjeli.
Teksa fliste për zgjedhjet e 14 majit, Topi komentoi koalicionin e Sali Berishës me Ilir Metën dhe mundësinë që kandidatët e primareve të futen në garë me siglën e Partisë së Lirisë. Sipas Topit, Berisha ka 2 mundësi, ose të largohet dhe t’i lërë vendin të tjerëve ose të pranojë atë që e quan ‘vdekje politike’ për shkak të koalicionit me një parti të majtë. Për zgjedhjet vendore, Topi u shpreh se do të fillojnë problemet serioze për qeverinë e Ramës ndërsa bëri thirrje partnerëve kryesorë që të ndërhyjnë për sjelljet e kryeministrit.
“Kemi një tendencë për të rrëshkitur në koalicion me një parti të majtë. Gjithçka është rrënuar dhe nga pikëpamja e moralit politik dhe gjithçka që del nga goja e Sali Berishës për kundërshtarët brenda partisë rrëzohet menjëherë.
Këto zgjedhje do krijojnë një lloj stabiliteti dhe kam bindjen se do fillojnë probleme serioze për qeverinë e Ramës. I drejtohem partnerëve kryesorë që në të ardhmen e afërt të kenë rigjenerimin e domosdoshëm dhe të ushtrojmë presion për të ndryshuar Kushtetutën dhe për të krijuar mundësitë që kryeministri i Shqipërisë të mos shkojë në parlament për të ushtruar presion por të pranojë cfarë thotë Kushtetuta”, tha Topi.
Ndërsa analisti Lorenc Vangjeli parashikon që do të ketë probleme në disa bashki. Po ashtu thekson se nga aleanca me Berishën, synimi i Ilir Metës është që të jetë kryetar i opozitës.