Nga Anri Bala
E gjetëm Vangjel… tezën e “Vitit 0”! Madhështore është padyshim, teoria më perfekte e ngritur deri më sot… për politikanët! E pse mos ta hedhin si teori, kur i kemi parë, i kemi dëgjuar dhe i kemi provuar të gjitha në kurriz?! Vetëm kjo, na kishte mbetur!
Ta vendosim menjëherë në praktikë them unë… meqë vettingu po bënë gjumin e tij “letargjik”, prej të cilit, as këtë pranverë nuk ka ndërmend të zgjohet… sepse nëse do e bënte, me “urinë disa mujore të ariut, të paktën do ta mbërthente ndonjë cironkë apo ndonjë peshk të shkretë”… që mos të ngordh nga uria!
Pse mos ta kërkojnë “politikanët e gjorë” vitin 0, kur shikojnë vetting-istat, që paguhen me paga milionëshe dhe prej tetorit të vitit kaluar kanë “masakruar” plotë… 8 vetë?! Vetëm 8 gjyqtarë në 8 muaj, kanë kaluar në “sitën” e vettingut, ndërsa prej 3 javësh, nuk është prekur asnjë dosje me dorë dhe procesi është tërësisht i bllokuar. Por, lajm i mirë është, se politikanët me “padurim” po numërojnë ditët, se kur do të vij dhe koha e tyre, se po plasin nga dëshira e madhe, për treguar “pastërtinë” e figurës!
Të pastër “qelibar” dhe meqë vettingu është i zënë dhe ka punë të tjera, mendojnë ta përshpejtojnë procesin e tyre vetë, me pak ndihmë, duke hedhur në shesh të burrave, tamam si ajo dopio gjashta… tezën e “Vitit 0”!
E para, më duhet të pranoj se ky angazhim i tyre, për t’i çuar gjërat përpara, e nderon imazhin e politikanit, por nga padija ndoshta, më duhet t’i bëj një sqarim të vogël, partisë së “11 Skifterave”, që të mos e dëmtojnë procesin e pastrimit të figurës, që edhe ne të jemi të qetë, e largëqoftë, ata të mos bëjnë ndonjë gabim, që do i njolloste përjetë!
E dashur shoqja Çizme dhe të nderuar deputetë të ish-partisë së Këmboraxhiut në Presidencë, me keqardhje më duhet t’iu informoj, se “Viti 0” nuk ekziston në kalendarin Gregorian, ai që përdorim sot! Madje, “viti 0” nuk ka ekzistuar në asnjë kalendar, as ata të përdorur më parë! Kështuqë, me dorën në zemër nga keqardhja e sipërmarrjes së partisë tuaj, “viti 0” bie si koncept krahasimor kohor, ndaj ju duhet një kohë tjetër… përshembull viti 1… muaji 1… dita 1… viti para se të ishte në pushtet Lavjerrësi, me numërim deri në vitin kur doli nga pushteti dhe u degdis në Presidencë “Rrjepsi”.
Viti 0 për ju, që numëratorin me shifrën e krimeve, e keni me dhjetë zero nga mbrapa… do ishte vdekje e moralit të një kombi! Por ku keni moral ju, ndaj as që e kuptoni se çfarë kërkoni, duke i hequr nga gjoksi medaljet e poshtërsive, që u duken si trimëri dhe fshehjen e milionave të grabitura, që u duket zotësi!
Por, sikurse unë, të gjithë shqiptarët e dinë fare mirë, se përse asnjë vit tjetër, përveç atij “zero”, si koncept abstrakt, nuk ju shkon shumë për shtat! Mos nuk i’u kuptuam dhe donit të na thoshit, se ne do të ndryshojmë, t’iu durojmë, e pse jo, edhe t’iu falim?! Dakord, por kemi një kusht për ju: Kaloni pak orë të Vetting-ut të “Ditës 1” dhe ne do na mjaftonte që të qetësoheshim, të bindur, se Viti 0 që kërkuat, sapo filloi për ju, në qelitë më të errëta të burgjeve, prej ku ditët e datat do të mund t’i shënonit e t’i numëronit veç nëpër mure, duke filluar nga viti zero me krim zero.
Besoj se nuk do u ngelte merak! Ju a plotësuam edhe amanetin e fundit dhe të parin… me gjithë shpirt!/Ekskluzive.al