Avokati i njohur, Spartak Ngjela komentoi dje situatën politike në vend, ndërkohë që e ndali theksin tek situata brenda Partisë Demokratike dhe marrja në pyetje nga SPAK e ish-presidentit Ilir Meta për çështjen “CEZ-DIA”.
Teksa ishte i ftuar në një studio televizive avokat Ngjela theksoi se SPAK ka prekur folenë e grerëzave të politikës dhe se sipas tij, tani po hetohet korrupsioni galopant i 30-viteve, referuar dëshmisë së Metës përpara prokurorëve specialë. Madje zoti Ngjela u shpreh se ish-presidenti Meta rrezikon të ndiqet penalisht për këtë çështje.
“Unë thash që brenda shkurtit do jetë në SPAK dhe ja e thirri SPAKU. Ia kanë njoftuar akuzën apo nuk ja kanë njoftuar ajo pastaj është tjetër gjë, e kanë thirrur për të bërë deklaratën e tij për atë që do t’i vij akuza. U provua që ishte CEZ DIA dhe ajo e rëndon, pastaj se çfarë do bëjë SPAK nuk e di, por në se SPAK e çon deri në fund hap derën për të tjerët. “CEZ-DIA” një nga aferat më të mëdha në këtë vend.
Është një nga të rëndësishmet që është involvuar qeveria e asaj kohe”, deklaroi ai. Më tej avokat Ngjela u shpreh se Meta foli si i pandehur dhe shihej i frikësuar kur doli nga SPAK dy ditë më parë. “Nuk kishte qartësi, domethënë ishte nënë akuzë ndihej si i pandehur dhe nuk dinte të mbrohej. Një i pandehur pa një avokatë dhe thoshte se nuk kam parë gjë dhe nuk di gjë. Ai nuk e tha aq hapur, por indirekt e tha sepse nuk ka avokati. Unë thash se ardhja e Dumanit do sjell ndryshim dhe ja u thirr edhe Meta”, u shpreh ai.
Akuzat e Berishës ndaj Metës për “CEZ-DIA”
Ndërkohë i pyetur për çështjen “CEZ-DIA” që ishte vetë Berisha që e ka akuzuar Metën vite më parë, avokat Spartak Ngjela u shpreh se ish-presidentin dhe ish-kryeministrin kanë të njëjtin interes. “I bashkon halli tani. Edhe ky është grupi që i bashkon mundësia e akuzës, nuk kanë mbrojtje as njëri as tjetri . por i bashkojnë interesa të përbashkëta, janë të dy të akuzuar por opozita e sotme mbrohet nga Moska edhe deri diku nga Beogradi, nëse je kundra Amerikës je me Moskës edhe nëse s’do ti të kap vetë Moska.
Edhe Enver Hoxha kur goditi Moskën thoshte rroftë Bashkimi Sovjetik, kurse këtu vazhdonte loja kundër tyre. Këta lloj politikanësh ka vendi ynë, politika shterp e Enver Hoxhës nuk ka ikur nga Shqipëria ende, por unë këtë e di sepse sapo bëjnë këta revoltën i vetmi shtyp në botë që i mbështet është shtypi rus. Pastaj kjo është politika nëse je kundër njërit je me kundërshtarin e tjetrit. Shqiptarët nuk i pranojnë dot sepse e kanë kuptuar”, tha ai.
SHBA, makth i të korruptuarve
Po ashtu, i ndalur tek akuzat e ish-kryeministrit Sali Berisha në adresë të ambsadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, avokat Spartak Ngjela u shpreh se ato bëhen, për shkak se SHBA-të janë makth për të korruptuarit, njëri prej të cilëve është kreu i “Foltores” i shpallur “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
“Nuk jam kundër Bashkimit Sovjetik tha Hoxha, por jam kundër Rushovit që po tradhton Bashkimin Sovjektik, ai thoshte ca të donte dhe gënjente si të donte se nuk hynte njeri këtu, kurse me këta tallen tjerët. Edhe këta këtë thonë jemi me Amerikën, por jemi kundër Yuri Kim që është përfaqësuese direkte e presidentit amerikan. Sepse edhe ai kishte frikë nga Bashkimi Sovjetik dhe këta kanë frikë nga Amerika”, shtoi ai.
Gjyqi për vulën e PD
Nga ana tjetër, avokat Ngjela thotë se protesta e 3 marsit e thirrur nga Sali Berisha, është kundër gjykatës, e cila në po të njëjtën datë, do të marrë vendimin për vulën dhe logon e Partisë Demokratike. Ngjela u shpreh se sipas retorikës së Berishës, ky i fundit nuk ka arritur ta blejë dot gjykatësin e kësaj çështjeje. Ndër të tjera, ai deklaroi se nëse rrëzohet vendimi i gjyqtarit Agron Zhukri që njohu statutin e dalë nga Kuvendi i 11 Dhjetorit 2021, atëherë për të do duhet të fillojë një proces penal.
“Fakti që Berisha bënë protestë në datën 3 është kundër gjykatës dhe ajo që kuptoj unë se nuk e kanë blerë dot dhe duan ta trembin me populizëm. Dhe duhet që të shohim nëse gjykata do të zbatoj ligjin, por unë them se gjykata do të zbatoj ligjin. Nëse ata e rrëzojnë Zhukrin do filloj proces penal për të, nëse ata duan të mbroj gjyqtarin dhe vazhdon kështu mendoj se do shkoj në Gjykatë të Lartë.
Nëse gjykata e jep vendimin në favor të Alibeaj ata do thonë që Rama i bleu, ke dëgjuar ndonjëherë këta të Saliut që të flasin me prova, asnjëherë. Problemi është se Berisha është ‘non-grata’ në Amerikë, ca shprese do ketë ai. Ai do vazhdojë luftën se ka të drejtën e vet, por çfarë reflekton në sytë e publikut”, theksoi ai.
Sakaq, avokat Ngjela paralajmëroi edhe tërheqjen e Berishës nga Partia Demokratike. “Ka shenja që Saliu do të tërhiqet, kur dështon tërhiqet dhe lë një zëdhënës që nuk ka kundërshti me Alibeajn dhe bëhet bashkimi. Edhe ai vet e di që nuk fiton dot se nuk ka parti, por duhet që të shohim se çfarë do të thotë gjykata. Por e vetmja shpresë e të mundurit është se nuk ka asnjë shpresë”, nënvizoi Ngjela.