Populli thotë se: “Vesi del me shpirtin”. Kjo thënie apo postulat është më aktual se kurrë dhe i shkon për shtat spiunit të ish-Sigurimit të Shtetit, Ilir Meta. Ky i fundit është dje në shënjestrën e hakerave iranianë të “Homeland Justice”, të cilët kanë nxjerrë në dritë shumë sekrete të punës së Ilir Metë gjatë kohës që i ishte President i Republikës së Shqipërisë. Ata deri më tani kanë shënjestruar qeverinë, por ditën e djeshme ata kanë nxjerrë emailet që kanë shkëmbyer 10 këshilltarë të Metës, kur ky i fundit ishte president. Shumica janë emaile të karakterit institucional, por bien në sy emailet që ka marrë ish-këshilltarja e Metës për Integrimin, Ilda Zhulali.
Meta vë në monitorim sektarin Blinken
Në fillim të qershorit 2021, ajo ka nisur të informohet mbi të gjitha fjalimet dhe deklaratat e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, sidomos sa i takon shpalljeve “non grata” dhe sanksioneve për korrupsion. Nga një verifikim i lehtë i gazetës “SOT”, rezulton se këshilltarja e Metës është “abonuar” në DASH që të marrë emaile mbi sanksionet, menjëherë pasi Berisha u shpall “non grata”.
Më 19 maj të vitit 2021, ai u sanksionua nga SHBA dhe në qershor, Zhulai nis të informohet mbi sanksionet e amerikanëve. Pra duket se Ilir Meta filloi të trembej dhe ka nisur të riaktivizojë planin e tij B, atë të spiunit (fuksit), duke monitoruara amerikanët. Deri në atë kohë ai nuk mendonte që do të ndodhte një ndëshkim i tillë dhe si duket porositi këshilltarët që të ndiqnin sekretarin Blinken për gjithçka ai fliste, përfshirë intervistat, postimet në rrjetet sociale dhe deklaratat zyrtare. Në një prej e-maileve të publikuara dje nga hakerat iranianë, është njoftimi i Blinken mbi urdhrin e Biden për të korruptuarit.
Bëhet fjalë për urdhrin e famshëm ekzekutiv, ku Shqipëria u vu në grupin e shteteve që do të monitorohen nga SHBA për korrupsion dhe të gjithë zyrtarët që cenojnë stabilitetin rajonal dhe janë të zhytur në afera do sanksionohen. Ky urdhër terrorizoi gjithë klasën politike dhe si duket Meta është mes tyre, pasi e ka marrë të plotë urdhrin e presidentit Biden. Pas Berishës, Meta ishte kandidati në radhë për t’u shpallur “non grata” dhe si duket ai e dinte këtë gjë. Më vonë u mundua të qetësojë ujërat me amerikanët, të cilët i shau dhe akuzoi me gjuhë rrugaçi, por asnjëherë nuk i dihet se çfarë mund të vijë nga Uashingtoni. Po ashtu, nga të dhënat e publikuara, shihet se si Ilda Zhulali, gruaja e Aldo Bumçit, e cila punonte në Presidencë, porosiste streçe e rroba për palestër.
Mesazhi i hakerave
Ndërkohë bashkë me Metën dhe zonjën Zhulali, janë ‘hackeruar’ edhe këshilltarët e tij për fusha të ndryshe, këtu përmendim: Anna Maria Vasili, Jetmir Hyseni, Andi Hasani, Flamur Gashi, Ylli Asllani, Ilda Zhulali, Anjeza Burnazi, Arben Çiçi, Bledar Dervishaj dhe Albana Veizi. Me dhjetra faqe janë shkëputur nga posta e tyre elektronike, por edhe të dhëna nga organizime të shuma, duke përfshirë foto dhe video.
Dokumentat e publikuar në rrjetin e krijuar në aplikacionin “Telegram”, i kanë shoqëruar edhe me një mesazh lidhur me korrupsionin dhe sjelljen e pushtetarëve me qytetarët në vendin tonë. “Nuk mbulohet dielli me shoshë! Ha me ujqërit dhe qan me delet. Njerëzit nuk tallen më nga socializmi demokratik. Boll me korrupsionin”, shkruhet në mesazhin anglisht.
Çfarë ka ndodhur?
Kujtojmë se hakerat iranianë kanë nisur një varg sulmesh prej muajsh. Së fundmi ata publikuan të dhënat bankare të 1000 bizneseve të mëdha e të vegjël, të personave fizik e juridikë dhe të institucioneve shtetërore. Më herët bënë me dije se kanë hakeruar dhe serverat e Credins Bank, por vetë banka njoftoi se të gjitha llogaritë e të dhënat e klientëve kanë mbetur të paprekura dhe se ishte cenuar vetëm një sistem periferik. Hakerat kanë publikuar dhe certifikatat e sigurisë të punonjësve të Ministrisë, ndërsa më herët sfiduan kryeministrin Edi Rama me publikimin e listës së zgjedhësve. Të dhëna të tjera që janë publikuar prej tyre janë patentat, targat, pagat si dhe listën e punonjësve të SHISH. Ata kanë publikuar dhe të dhënat personale të kryepolicit Muhamet Rrumbullaku, kreut të SHISH, Helidon Bendo, nënkryetarit Oljan Kanushi, ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano si dhe e-mailet e këtij të fundit.
A është Ilir Meta pjesë e “listës së zezë” së SHBA?
Megjithatë, teksa shohim që Ilir Meta ka monitoruar amerikanët nga frika e sanksioneve, gjithkush me të drejtë pyet se a ka qenë apo është kreu i Partisë së Lirisë pjesë e “listës së zezë” së SHBA? Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim deklaroi pak ditë më parë se ka zyrtarë që nuk po i zë gjumi, pasi kanë frikë se do të jenë të radhës që do të shpallen “non grata” ose do të shkojnë në burg. Për këtë, ajo u ka bërë thirrje prokurorëve, gjyqtarëve, hetuesve të bëjnë punën e tyre pa asnjë hezitim. Por ajo kishte shumë të drejtë pasi i pari që ka filluar të trembet nga rreziku i shpalljes “non ngrata” është Ilir Meta.
Ish-presidenti për herë të parë akuzoi pak ditë më parë kryeministrin Edi Rama se ka dashur të ndikojë në vendimet e ndërkombëtarëve për ta shpallur “non-grata”. Në një farë mënyre Meta po jep sinjale se mund të jetë pjesë e “listës së zezë” që SHBA pritet të publikojë në vijim. “Emri im ka qenë i pari në çdo takim të Ramës, me çdo ndërkombëtar. Ai gjithmonë ka pasur një shqetësim se si ti korruptojë ndërkombëtarët, që të tregojë se Meta ka një problem me Amerikën e vendet e tjera për shkak se ka dashur të shpallem “non-grata”, është shprehur Meta. Është përfolur për një kohë të gjatë se Meta do shpallet “non grata”.
Pika kulmore ku filloi të përflitej ky skenar ishte reagimi nga Departamenti Amerikan i Shtetit në momentin kur futën në listën e zezë, Sali Berishën. Në letrën e DASH thuhet se “Për më tepër, siç vuri në dukje Sekretari, vetë retorika e z. Berisha tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve kundër korrupsionit dhe masave të llogaridhënies”. Po kush janë aleatët e Sali Berishës, të cilëve u referohet SHBA, si të përfshirë në praktika korruptive, në përdorimin e pushtetit për t’u pasuruar dhe që mbrohen nga Berisha që t’i shpëtojnë veprimit të drejtësisë? Sali Berisha aleat më të ngushtë dhe kryesor ka pasur Ilir Metën gjatë ushtrimit të pushtetit 2005-2013, kohë gjatë të cilës DASH thotë se është përfshirë në korrupsion.
Kreu i PL “non grata”?
Ndërkohë edhe aktivisti shqiptaro-amerikan, Gary Kokalari paralajmëroi pak ditë më parë shpalljen “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit të ish-presidentit Ilir Meta. “Unë e kam patur mendimin tim dhe ende e kam, që nëse ka kandidatë të denjë për tu sanksionuar nga SHBA ai është Ilir Meta. Sepse e kam thënë shumë herë këta individë e duan dhe qëndrojnë në politikë vetëm për para, nuk e di nëse kanë bërë diçka të mirë për Shqipërinë, apo për demokracinë shqiptare, ata kanë menduar vetëm për xhepat e tyre asgjë më shumë. Prandaj duhet të ikin”, u shpreh ai. Pra panorama e politikës shqiptare po qartësohet.
Sali Berisha dhe Ilir Meta janë bashkë në luftën kundër SHBA-ve, janë bashkë në frikën që kanë nga drejtësia dhe të koordinuar në gjithçka bëjnë dhe do vijojnë ta bëjnë deri në fund, derisa të vijë fundi i tyre. Por siç po shohim amerikanët nuk po falin askënd dhe siç mësohet SHBA nuk do të ndalet vetëm tek “non gratat”. Mësohet se janë nisur procedurat për të identifikuar qartë burimet ekonomike dhe mediatike që kanë mbështetur këta politikanë të korruptuar. Po ashtu janë bërë thirrje për institucionet e reja shqiptare që të vihen në lëvizje për të hetuar “non gratat”. /RIGELS SELIMAN