Që nga viti 2013 e deri më sot, më shumë se 930 mijë shqiptarë janë larguar nga Shqipëria në vendet e Europës, por jo vetëm. Nga statistikat, janë të rinjtë ata që kanë zgjedhur të largohen, por nuk mbeten pas edhe mosha më e madhe.
Të ndodhur në këto shifra, prindërit në Shqipëri, i druhen shumë faktit se mos fëmijët e tyre largohen nga vendi, duke rrezikuar jetën, pasi shumë prej të rinjve në vitet e fundit janë larguar me gomone për në Angli.
I tillë është rasti i Afrim Cenaj nga Kukësi. Ai është mekanik në qytetin verior dhe ka një djalë tek të 20-tat. Afrimi tregon se po i mëson djalit të tij zanatin e mekanikut dhe po e bind që të mos largohet nga Shqipëria, pavarësisht shpresës së pakët se vendi ynë një ditë do të bëhet si të gjithë vendet e Europës.
Në simbolikë të kësaj, ai ka dërguar një fotografi, teksa i puth duart djalit të tij, pranë biznesit që ka hapur.
“Kjo është një foto e imja me djalin, po i puth duart se nuk dua që të emigrojë. Dua që të luftojmë për vendin tonë dhe jo për emigrimin. Edhe zanatin po ia mësoj djalit”– thotë Afrimi!