Sot në Kuvend ngjau diçka e padëgjuar.
Shumica mbaroi punë dhe doli nga salla, ndërsa Doktori nuk lëvizi nga vendi.
Ne po shikonim të gjithë të shqetësuar nga ai.
Nuk e dinim planin.
-Të mos lëvizë njeri nga vendi, tha.
Kam një vit që më ka plas shpirti, nuk kam fol dot një herë sa kam dash në këtë Kuvend.
Mos lëvizni!
Ne po rrinim dhe po shikonim çfarë do bëhej.
Strazua u bë gati.
Nxorri celularin, e ndezi dhe bëri disa prova.
-Doktor, ka bateri për mbi një orë, i tha.
-Shumë mirë, i tha Doktori, fillojmë!
Doktori u ngrit dhe zuri podiumin.
Strazua u ul tek vendi i Taulant Ballës dhe filloi të filmonte.
Salianusi u ul tek Erion Braçja.
Albana Vokshi u ul pas në sfond, tek vendi i Manastirliut, ministres së Shëndetësisë.
Doktori e pa me inat dhe ja bëri me shenjë.
-Nuk du asnjeri pas, tha, se do shaj qeveritarët, dhe duket sikur u shaj ju.
Unë do shaj zonjën Manastirliu, do t’i them ndrikull, ti do dalësh në kamera sikur je ti ndrikull.
Nuk dua njeri nga pas.
Vokshi e kuptoi gabimin dhe zuri vendin e Vasilika Hysit në sallë.
Doktori filloi të fliste.
Flamuri po vinte vërdallë, nuk dinte ku të ulej.
Tek vendi i Samirit ishte keq.
Tek vendi i Xhafajt dhe më keq.
Më në fund vendosi dhe u ul tek vendi i Fate Veles.
Doktori filloi të flasë.
Tregonte me gisht nga pas shpine, ke vendi i Ramës, pastaj tek vendi i Xhafajt, pastaj tek vendi i Ahmetajt.
Ne duartrokisnim herë pas here.
Strazua filmonte nga vendi i Taulant Ballës.
Doktori i drejtohej herë pas here me gisht, duke thënë Taulant Gjura, por Strazua nuk e humbiste qetësinë.
Të gjithëve na kishte marrë malli për të dëgjuar Doktorin pa e ndërprerë njeri.
Pas Doktorit, donte të fliste Flamuri.
Strazua uli kamerën.
-Më filmo dhe mua, i tha Muli. Do shpallim grupin radikal të PD-së. Kam fol me Doktorin.
-Dakod, tha Strazua, por mos e zgjat shumë, se do të na zvogëlohet grupi.
Pasi mbaroi dhe Muli, Doktori duartrokiti dhe tha:
-Më në fund e pastruam Kuvendin nga qelbësirat. Kështu do pastrojmë gjithë Shqipërinë. Përpara!
Dhe dolëm jashtë.