Deputetja e LSI-së, Klajda Gjosha ka bërë një propozim epik gjatë punimeve të djeshme të Komisionin e Ligjeve duke thënë se Shqipërisë i nevojitet të bëjë një amnisti për pasuritë e politikanëve të vendosura në mënyrë të paligjshme.
Duke përdorur konceptin e “vitit zero”, Gjosha tha se kjo nevojitet për të bërë një fillim të ri, ku nga ai moment e më tej askush të mos guxojë të vjedhë. Pas këtyre deklarave ka reaguar ashpër juristi Romeo Kara.
Postimi i plotë i Romeo Kara
E pabesueshme që politika kërkon të amnistojë veten dhe pasuritë e saj të vëna me vjedhje, korrupsion, mashtrim, shpërdorim detyre, trafik, grabitje, vrasje etj, dhe akoma më e pabesueshme është që këtë kërkesë e shpreh një ish ministër drejtesië.
Zakonisht amnistite fiskale, përmblidhen në atë që quhet amnistia e taksave e cila në vetvete është një mundësi e kufizuar kohore për një grup të caktuar të tatimpaguesve që të paguajnë një shumë të përcaktuar, në këmbim të faljes së një detyrimi tatimor (duke përfshirë interesat dhe gjobat) lidhur me një periudhë ose periudha të mëparshme tatimore dhe pa pasur frikë nga ndjekja penale.
Amnistia e predikuar me gjysmë zëri nga politikanët e sotëm, nuk ka të bëjë thjesht me realizimin e pagesës së tatimeve, por ka të bëjë me ligjërimin përjetë te paligjshmërisë dhe të gjitha pasojave të saj. Politikanët, pasi kryen dhe frymëzuan çdo shkelje morale e ligjore, kërkojne të pastrojnë ligjërisht veten e tyre dhe pasurite e vjedhura e grabitura pergjate ketyre 27 viteve.
Një amnisti e tillë mund të konceptohet vetëm nga një mendje diabolike dhe e çorientuar nga pasiguria e te ardhmes, pasi asnje shqiptar i ndershëm nuk mund të fale padrejtësinë ekstreme që i është bëre në një mënyre apo tjetrën përgjate këtyre viteve postkomunizëm.
Një amnisti e tillë hajdutësh, do të vriste përfundimisht shpresën për drejtësi e bashkëekzistencë dhe do godistë përfundimisht moralin dhe rezistencen që shqiptarët e ndershem i kanë bërë te keqes pergjate kesaj periudhe.
Personalisht do t’a ndjeja veten tepër të poshteruar kur të shikoja se si shkelësit e ligjit e kalojne lumin me një amnisti dhe une e të tjere si une te ndjehemi fatkeqë pse zbatuam ligjin. Një amnisti e tillë, do t’i jepte fund njëhere e mire paqes sociale ne vend, pasi zgjidhja e krizës moralo-politike do te kalonte detyrimisht per zgjidhje nga veprimet direkte te sovranit popull.
Kërmat e politikës t’a harrojnë se me marreveshje underground të ligjëruar nga llumi parlamentar do të mund t’ia hedhin drejtësise që i pret tek dera dhe pasojave të saj.
Se sa e miraton ky popull amnistinë e hajduteve të politikes, mjafton një referendum dhe të gjithë e imagjinojnë rezultatin e nje referendumi te tille. Hajduteve do t’u merren patjetër të gjitha pasuritë, të luajtshme dhe të paluajtshme, do t’u ndalohet përjetesisht te punojnë në sektorin publik si dhe do të vuajnë denimin sipas vepres se kryer.
Asnjë progres nuk do të mund të bëje ky popull nëse nuk përballet me këta hajdute dhe të vendosë një drejtesi të plotë ne te gjitha rrafshet e jetës. Përhere e më tepër njerëzit po binden se ndarja e vërtete politike apo beteja e vertete politike është ajo midis të mirës dhe së keqes.
Fatkeqësisht e keqja përfaqesohet nga partitë parlamentare, bankieret, oligarket, halldupet, kriminelet etj, ndërsa e mira nga fryma e paorganizuar, por në të njëjtin kohezion e individeve të shumtë, tashme të bindur se ky sistem politik duhet përmbysur dhe ndërtuar nje i ri i bazuar terësisht mbi drejtësinë dhe vlerat e vërteta.