Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla do të kalojë në skanerin e Vetingut si të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e tjerë, ndërsa për ta përfaqësuar në betejën me sistemin e ri të drejtësisë, ai ka zgjedhur avokatin Sokol Hazizaj për ta mbrojtur, pasi prej disa muajsh nuk ndodhet në Shqipëri.
Në seancën e shkuar avokati Sokol Hazizaj u shpreh se nuk kishte kontakt me Llallën që prej largimit të tij nga Shqipëria dhe se vendndodhja e tij mendohej të ishte Gjermania.
Por në seancën e sotme të Kolegjit të Apelimit, vjen një tjetër detaj që ngre akoma më shumë pikëpyetje mbi vendqëndrimin e ish-kryeprokurorit? Sot avokati Hazizaj paraqiti një prokurë të lëshuar nga Turqia dhe të firmosur në Stamboll më 28 Maj si nga noteri turk ashtu edhe nga ish-kryeprokurori për ta përfaqësuar, që u pranua nga Kolegji.
“Jemi para një akti zyrtar në paraqitjen formale të hartuar në shtetin turk, kemi aktin të hartuar në gjuhën turke, është përkthyer në gjuhën shqipe, akti është i pajisur me vulën apostile sipas Konventës së Hagës. Përmbajtja; Emëroj si përfaqësues ligjor avokatin Sokol Hazizaj, i jap të drejtën për të më mbrojtur apo përfaqësuar para cdo organi gjyqësor.
Në kushtet kur kam marrë dijeni për orën dhe datën e gjykimit ditën enjte 31.5 2019 në orën 1- prapë KPA do të gjykohet në seancë gjyqësore publike cështja nr. 1 e vitit 2018, për ankimin që Komisioneri Publik ka bërë kundër vendimit të KPK për rivlerësimin.
E kam të pamundur të jem i pranishëm apo të paraqitem, si dhe më pas autorizoj caktoj si përfaqësues të posaçëm ligjor avokatit Hazizaj për të më përfaqësues gjatë dhe gjithë gjykimin në mungesën time. Avokatit i njoh të drejtën që të më mbrojë të paraqesë cdo ankesë dhe të grumbullojë prova dhe ti paraqesë ato para KPA” , shkruhej në prokurën e lexuar nga KPA.
Nuk dihet ende se kush zyrë noteriale ka zgjedhur t’i bëjë këtë “qokë në turqisht” ish kryeprokurorit Llalla, duke hedhur tymnajë për vendqëndrimin e tij. Gjithashtu pikëpyetje ngrihen edhe për faktin se përse ish-kryeprokurori nuk është paraqitur në asnjë seancë?