Fjoralba Dizdari, që militon në radhët e Partisë Demokratike ka pranuar prezencën në një foto që qarkullon së fundmi, ku ajo dhe një tjetër zyrtar i PD, Enri Ceno, shfaqen me ish-zyrtarin e FBI nën hetim, Charles McGonigal.
“Për sqarim të opinionit publik, kjo foto është e datës 16 nëntor, i 5 viteve me parë, ku unë dhe ish partneri im, po darkonim për ditëlindjen time.
Pranë tavolinës tonë ishte një mik i joni me partneren e tij, të cilët na u bashkuan në mbrëmje. Në përfundim të darkës, nëpërmjet një të njohurit tonë, na ftuan të dy çifteve për një pije dhe aty u prezantuam me zyrtarin e huaj.
Kjo foto është bërë me insistimin e tyre dhe pranuam pa asnjë kompleks” – shkruan Dizdari në një postim në rrjete sociale.
Ish-prezantuesja e motit dhe modele, tani politikane, e mbyllur me shprehjen që kjo që ka ndodhur e “bën misionin tim politik akoma më të vendosur”.
Reagimi i plotë:
Për sqarim të opinionit publik, kjo foto është e datës 16 nëntor, i 5 viteve me parë, ku unë dhe ish partneri im, po darkonim për ditëlindjen time.
Pranë tavolinës tonë ishte një mik i joni me partneren e tij, të cilët na u bashkuan në mbrëmje. Në përfundim të darkës, nëpërmjet një të njohurit tonë, na ftuan të dy çifteve për një pije dhe aty u prezantuam me zyrtarin e huaj. Kjo foto është bërë me insistimin e tyre dhe pranuam pa asnjë kompleks. Tavolinës i’u shtuan zyrtarë të Partisë Socialiste dhe ne nuk ndejtëm gjatë dhe u larguam. Ka qënë hera e parë dhe e fundit që unë jam takuar me këtë njeri, ndryshe nga zyrtarë të lartë të qeverisë Rama.
Nuk kam qënë e përfshirë asnjëherë në interesa financiare me personat në fjalë, as si shtetase shqiptare, as si pjesë e Partisë Demokratike dhe asnjë aludim i këtij lloji.
Propaganda dhe lojrat e qeverisë, nuk mund të fshijnë aferat e tyre me lajme si kjo e ditës së sotme, apo foto rastësore, për të cilën duke qënë pjesë e medias prej vitesh, nuk arrij ta kuptoj, se si një media pranon të përdoret si mashë e qeverisë, për të zbehur aferat korruptive dhe për të relativizuar rrokullisjen e pashmangshme të pushtetit, me lajme të tilla.
Këto manipulime, thjesht më konfirmojnë frikën e njerëzve të perfshirë në akuzat e ditëve të fundit dhe e bën misionin tim politik akoma më të vendosur.