Historia e Shqipërisë është dominuar vazhdimisht nga ngjarjet tragjike dhe fatale që kanë kushtëzuar shumë edhe rrjedhën e saj të historisë. Në shumë momente kyçe, sidomos në demokraci, një periudhë që duhet të karakterizohet nga paqja, tolerenca, mirëkuptimi, përballja dhe konkurenca e drejtë politike, shqiptarët kanë përjetuar ose janë bërë dëshmitarë të ngjarjeve nga më të dhimbshmet, që në të vërtetë, kanë qenë të paarsyeshme për të ndodhur.
Nga Dario Velaj
Mars-korriku 1997 do të mbetet përgjithmonë si periudha më traumatike, gjakatare, shkatërrimtare, skizofrenike në memorien kolektive të shoqërisë, pasi si asnjëherë më parë në histori, shteti u kthye në armikun më të madh të qytetarëve duke u hequr lirinë, sigurinë, qetësinë, paratë, shpresën, perspektivën nëpërmjet skemave famëkeqe piramidale, tërheqjes së beftë të parave të kreditorëve, hapjes së depove të armatimeve që u pasuan më pas me seri krimesh të paimagjinueshme ku bandat kriminale morën atributet e shtetit. Por, përveç fajit të pakontestueshëm, por të pa gjykuar ligjërisht të ish-presidentit të kohës, Sali Berisha, lidershipit të Partisë Demokratike dhe autoriteteve shtetërorepër shkatërrimin e shtetit në një kohë rekord brenda 24 orëve, 1997 ka shumë mistere, “mite” që pas 26 vitesh po marrin disa përgjigje.
Ad
Vukaj dhe kontributi i tij në zbardhjen e një kapitulli të errët në historinë e Shqipërisë
Ish-ministri i Mbrojtjes së Pajtimit Kombëtar, Shaqir Vukaj, ish-diplomat karriere prej 16 vitesh në Bullgari, Republikën Çeke dhe Rusi ka zbuluar të dhëna tronditëse dhe të tmerrshme për mënyrën se si ajo kohë e trazuar mund të kishte precipituar në luftë të mirëfilltë civile, nëpërmjet një plani të hartuar nga shteti i kohës. Në librin e tij “Nga gjakosja e Shkodrës, te përgjakja e Shqipërisë”, ish-politikani socialist ka publikuar dokumente shtetërore për organizimin ushtarak me qëllim shtypjen e revoltave në jug të vend.
Ajo çfarë të tmerron më tepër nuk janë vetëm urdhrat për thirrjen e rezervistëve, por dhe qartësia e përdorimit të lëndëve helmuese luftarake, bombardimeve, eliminimeve të parapërgatitur të elementëve që nuk pajtoheshin me regjimin autoritar berishist të 1997. Bazuar në këto të dhëna, nënkuptohet se nëse ky plan sulmi, i cili nuk përmban firmën e asnjë autoriteti ushtarak e shtetëror të kohës, po të realizohej, do të prodhonte jo vetëm një bilanc më tragjik viktimash të pafajshme, por do ta zhyste Shqipërinë në një luftë civile, që ndoshta do të zgjaste me shumë e shumë vite. Një tjetër plan skandaloz është thirrja e vullnetarëve nga veriu i Shqipërisë, rajonit militantesk të PD dhe Berishës, që do të dërgoheshin në Vlorë të armatosur për të shtypur demonstratat anti-qeveritare.
Vukaj zbulon se dirigjuesi i këtij formacioni ishte Shaban Memia, i cili në vitet 2005-2013 kur PD erdhi në pushtet, drejtoi ALUIZNIN, agjencinë e pronave. Madje dhe ish-truproja e Sali Berishës, Izet Haxhia e ka pohuar 8 vite më parë organizimin e vullnetarëve të shtetit për të shkuar të armatosur në Vlorë. Më poshtë, do të publikojmë pjesë të intervistës së ish-ministrit Vukaj për kanalin “Dritare TV” në YouTube në 26 maj 2022, ku aty lexohen dhe fakte nga libri i tij “Nga gjakosja e Shkodrës, tek përgjakja e Shqipërisë” për planin ogurzi të eksponentëve shtetërorë të 1997 për të spastruar jugun e vendit nga rebeleët. Ajo çfarë do të kuptohet nga ky “dossier” është se qe merita e ushtarakëve të kohës që nuk pranuan ekzekutimin e planit të sulmit ushtarak, që shpëtoi vendin nga një kasaphanë e katastrofë humanitare akoma më të papërballueshme.
PD dhe Berishë thirrën rezervistët për të shkuar në jug, ata i injoruan
Për planin e thirrjes së rezervistëve nga veriu dhe Shqipëria e Mesme, pas rënies së piramidave dhe kaosit në Vlorë, Vukaj tregon në librin e tij se kjo dështoi pasi askush nuk iu përgjigj thirrjeve të PD dhe shtetit. Madje, ai e saktëson me detaje se vetëm në Elbasan, 30 mijë fletëthirrje për rezervistë nuk morën përgjigje pozitive. Planin për organizimin e sulmit të jugut, Vukajt e ka shprehur vite më pas ish-zv/kryeministri i kohës, Bashkim Kopliku, pjesë e qeverisë së Aleksandër Meksit se Sali Berisha kishte urdhëruar armatosjen e PD.
Ajo çfarë ka krijuar amulli në këtë histori është se asnjë autoritet apo titullar i Ministrisë së Mbrojtjes nuk firmos as realizimin e planit të sulmit ushtarak dhe as atë të pezullimit. Ish-deputeti socialist u shpreh se plani i sulmit dhe spastrimit të jugut nga rebelët e gjeti në Ministrinë e Mbrojtjes. “Bashkim Kopliku, ish-zv/ kryeministër, në një intervistë ka deklaruar që erdhi presidenti dhe na tha: ‘Të armatoset PD’. Këto persona që do armatoseshin, ishin të ashtëquajtur rezervista, pavarësisht se në atë periudhë nga 1992 gjoja nën parrullat e mohimit tëçdo gjëje që kishte lënë komunizmi, askush nuk u mor me rezervistët, kur dihet që rezervistët janë një forcë shumë e madhe nëraste të jashtëzakonshme.
Kur u desh, iu çuan fletëthirrje dhe nuk paraqiteshin. Kam një dokument shumë interesant nga Elbasani, që kanë shpërndarë rreth 30 mijë fletë thirrje dhe nuk është paraqitur asnjë. Ose në Shkodër, nuk pranonin shoferët të shkonin në jug me kë të luftonin. Kryesisht u shpërndanë në veri dhe Shqipëri të Mesme, jo në jug, se jugu do sulmohej. Ishte plan i përgatitur. (Plani) është në arkivin e Ministrisë së Mbrojtjes. Nuk ka firma. Siç më kanë thënë ushtarakët, ai plan është përgatitur nga ushtarakët, jo nga njerëzit e SHIK-ut, sepse ata nuk dinin. Se kush e ka përgatitur nuk del, por është i shoqëruar me harta, me hollësira. Është plan i rregullt ushtarak për të sulmuar jugun. Por, kam gjetur një dokument që të pezullohet zbatimi i planit. E kam përmendur në Kuvend. E kam gjetur në arkivin e Ministrisë së Mbrojtjes. Nuk e mbaj mend se kush ka urdhëruar pezullimin e këtij plani”, deklaroi në 2002 Shaqir Vukaj.
Urdhrat e kohës janë dokumentuar të gjitha në Librin e Urdhrave të MM
Edhe pse shumë urdhra të kohës janë dhënë me gojë për të proceduar me sulmin ndaj qyteteve jugore të Shqipërisë, përsëri ato regjistroheshin nëLibrin e Urdhrave të Ministrisë së Mbrojtjes. Vukaj vlerësoi ushtarakët e kohës që nuk u përfshinë në luftë vëllavrasëse. “U përqëndruan forcat në Përmet se nga aty do bëhej sulmi. Jam i bindur që ushtarakët tanë nuk do të pranonin të luftonin kundër popullit të tyrë.
Përjashtoj këtu kriminelë, njerëz të hurit e të litarit. Ushtarakët tanë nuk do ta bënin, siç nuk bënë aviatorët që u urdhëruan të bombardonin kodrat krah malit dhe ikën në Itali, sepse nuk donin të bombardonin. Urdhrat janë dhënë me gojë, por ka një gjë, sepse në rregullat ushtarake çdo gjë mbahet shënim. Natën e parë kur kam filluar punën në MM, u thashë kush mban shënime, ata të drejtimit. Kur kam parë Librin e Urdhrave, i kam thënë oficerit: ‘Ruaje, se është dokument i jashtëzakonshëm. Nuk e di se ku ndodhet sot. Disa jepeshin me shkrim, disa me gojë”, vazhdoi më tej Vukaj.
Plani luftarak, të detajuara në librin e Shaqir Vukajt, nga rezervistët te LHL dhe bombat
-Plani i veprimeve të forcave pjesëmarrëse në asgjësimin e kryengritësve rebelë në datën 1-30 mars 1997, nëpërmjet rezervistëve nga veriu e Shqipëria e Mesme dhe Trupat Komando Presidenciale, në përdorimin e aviacionit, lëndëve helmuese luftarae (LHL).
Në zonat kundërshtare të realizohet përqëndrimi i trupave në brigjet veriore të lumit Vjosa si bazë nisjeje të mësymjes së përgjithshme duke i dhënë goditjet kryesore në drejtimet Fier-Vlorë dhe atë ndihmëse Gjirokastër-Sarandë. Tëasgjësohen fizikisht të gjithë personat që kundërshtojnë dhe në pamundësi të realizimit të objektivave në terren, të përdoren për terror ndaj rebelëve bombardimet me aviacion LHL, mjetet e blinduara deri në vendosjen e plotë të pushtetit ushtarak.
-Hartimi i listave për personat që do të asgjësohen në qytetet Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër, Delvinë Sarandë.
-Kapja e urave kryesore të kalimit të trupave: Ura e Mifolit (Vlorë), e Pacinit (Mallakastër), ura e Dragoit Leklit (Tepelenë), Qafa e Muzinës (Gjirokastër), etj.
-Desantimi (ulja) i trupave speciale në rajonet e fushëÇajupit, aerodromi i Gjirokastrës, Sarandë, Rrafshnalta e Kurveleshit.
-Zbarkimi në drejtim të Vlorës, 4-6 mars 1997.
-Përdorimi i forcave të Akademisë së Rendit, forcave speciale në rajonet ushtarake të Arshi Lengos në Gjirokastër.
-Mbrojtja me çdo kusht e Tiranës nga marshimi i forcave rebele të jugut
-Përdorimi i aviacionit luftarak gjuajtës dhe bombardues nga regjimenti i Gjadrit do të përdorë avacionin kundër përqëndrimit të forcave rebele në Sarandë, Tepelenë dhe Vlorë. Forcat pjesëmarrëse: 3 BRG Tiranë-Kavajë, 2 në Gradec-Fushë Krujë, 2 në Vlorë-Gjirokastër, 1 brigadë xheniere, 1 aviacion në Gjadër, 1 distrikt detar në Durrës (për rrethimin e Vlorës).
Përfshirja e paraardhësit të Vukajt, Safet Zhulali në planin e sulmit ndaj jugut
-Urdhrat dhe masat për realizimin e operacionit, ministri Safet Zhulali, në shkresën 36, në datën 1 mars, urdhëron Divizionin e Shkodrës t’i japë Ministrisë së Brendshme 10 transportues të blinduar dhe 3 kamionë, për dorëzim të SHIK, 50 copë.
-Në 1 mars 1997, Zhulali urdhëron komandatin e repartit ushtarak në Rrëshën: ‘Dorëzoji SHIK 50 mitrolozë të lehtë të kalibrit 7.62, 100 mijë fishekë, 7.62 model 56, 720 granata mësymëse. (armët e ushtrisë).
-Presidenti Berisha urdhëron: të kryhet mobilizimi i pjesshëm në të gjithë Shqipërinë. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e tij. Sekretari i Përgjithshëm, Leonard Demi, me radiogramin e datës 2 mars 1997, urdhëron komandantin e repartit 7799 Shijak, të përgatitet me materiale dhe mjete për të hedhur në erë urën e Qafë Sokolit në Rrogozhinë. Po atë ditë, Demi urdhëron bëni armatosjen e efektivëve rezervistë të SHIK-ut mbi bazën e kërkesave që bëjnë komisariatet dhe degët e SHIK-ut nëpër rrethe, të cilat i kanë këto forca në varësi organizative.
Ad
“Do t’ju arrestoj e dërgoj në gjyq”, Zhulali kërcënoi komandatin për Urën e Mifolit
-Safet Zhulali jep urdhër për hedhjen në erë të Urës së Mifolit me goditje me bomba nga aviacioni i regjimentit gjuajtës-bombardues. Urdhri është dhënë nëpërmjet telefonit në orën 14:00. Seanca e datës 2 mars 1997 në të ashtëquajturin Kuvend filloi në orën 17:00, madje kur ka parë hezitimin e komandës, Zhulali ka kërcënuar: Do t’ju çoj në gjyq, do t’ju shkarkoj e arrestoj.
Për shumë pasoja, ku urdhër nuk u zbatua nga efektivi i Rinasit. -Zhulali nga arratia pranon se ka dhënë urdhër, por ka deklaruar se urdhrin për hedhjen në erë të Urës së Mifolit e ka dhënë presidenti Sali Berisha, dhe ai ka transmetuar për zbatimin Shefit të Shtabit Sheme Kosova, që nuk e ka zbatuar. Kjo ka qenë arsyeja që Berisha e shkarkoi Sheme Kosovën.
Ad
Takimi me Shaban Meminë dhe vullnetarët, si Vukaj u ndryshoi mendjen?
Një tjetër moment i tmerrshëm, është pas dështimit të thirrjes së rezervistëve. Vukaj mëson se Shaban Memia, kishte propozuar e organizuar thirrjen e vullnetarëve (mercenarëve) nga veriu e Shqipëria e Mesme për të shtypur jugun. Ai e takon pas shumë ditësh Meminë dhe shkon në një lokal në periferi të Tiranës ku ishin mbledhur të gjithë vullnetarët e PD të armatosur të gjithë me automatikë. Vukaj ulet qetësisht dhe bisedon me ta duke i bindur që të mos lyejnë duart me gjak për një luftë të pakuptimtë.
Dhe për fatin e mirë të Shqipërisë, ai ia arrin qëllimit që vullnetarët të hedhin armët dhe të largohen. “Me Shaban Meminë kam pasur marrëdhënie shumë të mira. Atë kohë, kishte llafe se ishte ideologu i trupave, as rezervistë s’mund t’i quaje. Doja të takoja Shabanin se më thanë qëShabani ka një grup të armatosur në rrethinat e Tiranës. Nuk e gjeja askund. Papritmas më merr Shabani në telefon. I thashë: ‘Ku je? Kam një punë me ty’. ‘Edhe unë kam një punë me ty’, më tha. Më tha:’Një oficeri jot do të më vrasë. Më ka çuar fjalë’. ‘Kush është?’, i thashë. Më dha emrin.
I thashë se e marr unë përsipër, si me humor shkodran:‘Mos ki gajle, se nuk të vret, se hyj unë garant, hyn në gjak me mua’.I thashëqë kam dëgjuar kështu për ty. ‘Po’, tha. I thashëse do vij si ministër i Mbrojtjes. Jemi të gjithë veriorë me tradita dhe zakone. Ti e di jam malësor. Ika të nesërmen të takoja Shabanin. Shkova me një shoqërues, nuk njoftova asnjeri. Ec këndej, ec andej në ca rrugë që nuk i dija në periferi të Tiranës. Ndalemi para një lokali. Po them 20, 25, 30 tavolina plot. Te tavolina e parë gjeta disa me automatikë te dora, të armatosur të gjithë. Te tavolina e parë gjeta një shishe rakie me ashtu bohçe misri.
E hapa shishen, u thashë: ‘Gëzuar, burra!’. Ata mbetën. Unë fola me ata si i tyre. ‘Jemi shqiptarë, do vritemi me njëri-tjetrin?!’, u thashë. U kuptuan. Duket dhe Shabani e kishte përgatitur. Përderisa shkova aty, nuk kisha frikë, sepse i besova Shabanit, se dhe Shabani malësor është, e dinin që nuk do më priste në besë. Nën urdhrat e Berishës vullnetarët? Nuk kam hyrë në këto hollësira”, tregoi për thyerjen e vullnetarëve të PD, Shaqir Vukaj
Izet Haxhia: Mblodhëm vullnetarë me vëllezërit e mi, mbrojtëm Presidencën
Në shtator 2014, në një dalje të parë për mediat, ish-badigardi i Sali Berishës nga viti 1992-1998, Izet Haxhia pranoi për gazetën “DITA” thashethemet e shumë viteve për “vullnetarët e PD që do sulmonin jugun”. Ai tregoi se me vëllezërit e tij mblodhën militantë të PD që i njihnin nga Tropoja, Tirana dhe vendet e tjera. Por, pasi nuk u urdhërua sulmi ndaj jugut, atëherë, ata u kthyen në Tiranë për të mbrojtur Berishën dhe godinën e Presidencës. “Berisha ndoqi këtë rrugë: fillimisht do i shtyp revoltat.
U mblodhën gjithë ata njerëz. Vëllai im komandonte pjesën e vullnetarëve që do shkonin për të shtypur revoltat në Vlorë, ishin të armatosur dhe prisnin për urdhër në Fier. Pastaj me një urdhër, se ç’a ndryshon aty, tërhiqen. Njerëzit u zhgënjyen shumë nga kjo, sepse ti i nxit njerëzit që do t’i shtypin, do ndaj shapin nga sheqeri, do i heq ‘të kuqtë’. Në 13 mars, shteti ra, u hapën burgjet e të tjerat. Ishim 4 vëllezër që merreshim me këto gjëra, një në Vlorë, një në Forca Speciale. Ata më thanë: ‘Të ikim të shohim punën tonë’. U thashë: ‘Nuk e lë Berishën’. Njerëzit ndryshuan mendje, por e ndjenë vetën të shitur, të tradhëtuar. Kanë ardhur me qindra vetë që njihte vëllai im nga Tropoja, Tirana. Vendosëm të mbronim Tiranën, Presidencën, se ajo kishte mbetur.
Nga ora 5 mbasdit, nga ana e Presidencës, ishin autoblind, makina të blinduara. Më thanë se Berisha do iki. E ka rregulluar te një vilë në Laç, te një mjek, më duket Bashkim Ulaj. ‘Ku do shkosh ti?’, i thashë. ‘Do iki më tha, Shqipëria mori fund’, tha. Gruan e strehuam në një bazë të sigurtë. Djalin, vazjën dhe mbesën, bllokuam anijen për në Itali dhe i nisëm. I thashë: ‘Njerëzit e tu, me këtë shtetin që krijove, ikën si minjtë. Po qe se bën një hap këtu do vritesh. Ne mbledhim njerëz këtu që të mbrojmë ty, ti do të largohesh. Asnjë s’ka marrë fund, kur do vdesim të gjithë ka marrë fund’. Kemi vënë në pikat kryesore të Tiranës, te korpusi universitar kemi vendosur armë të rënda. Ne u kundërpërgjigjëm me armë kur na sulmuan”, shprehej Haxhia në shtator 2014.
Fati i Safet Zhulalit, PD kërkoi ta dënonte në 1997, në 2009 e Imami e dekoroi pas vdekjes
Në mesin e trazirave të mars-korrik 1997, Safet Zhulali, ministër i Mbrojtjes së kohës arratiset nga Shqipëria drejt Italisë. Ai denoncoi në mediat italiane planin e Berishës për shkatërrimin e jugut të Shqipërisë. PD kërkoi “kokën” e Zhulalit kur ai u arratis nga Shqipëria në 1997 dhe propozoi ndjekjen penale.Në 23 gusht 1998, me urdhër të Prokurorisë së Përgjithshme, Zhulali së bashku me Bujar Ramën, ish-n/drejtorine SHIK; Halit Shamatën, ish-ministër i Brendshëm; Blerim Çelën, ish-kryetar i KLSH-së; Kreshnik Lushën, ish-zyrtar ushtarak në qeverinë e Aleksandër Meksit, dhe Sokol Mulosmanin, ish-shef i komisariatit të Vlorës, u arrestuan për akuzën e “krimeve kundër njerëzimit”.
Berisha, tashmë në opozitë, akuzoi Fatos Nanons se po bën sulm politik ndaj PD me arrestimin e 6 ish-zyrtarëve demokratë dhe paralajmëroi protesta. Pas 3-4 vitesh, ata shpallen të pafajshëm për mungesë provash. Në 2002, Zhulali vdes nga sëmundje e rëndë në Tiranë dhe në vitin 2009 u dekorua nga Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami me “Medaljen e Mirënjohjes” me motivacionin: “Për kontribut të shquar, si Ministër i parë i Mbrojtjes në periudhën e ndryshimeve demokratike të vendit, në reformimin, ristrukturimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura”.