“Zotri Trump është i papërshtatshëm për poste publike”, thuhet në një ndër fjalitë e para në opinionin e Bordit Editorial të New York Times për kandidaturën e shpallur të Trump-it për zgjedhjet e ardhshme.
Konstatimi mbështetet në argumentimin se Trump është person i paqëndrueshëm, i cili luan brenda rregullave të demokracisë vetëm deri në momentin që i përshtaten atij.
Edhe Albin Kurti është i papërshtatshëm për poste publike, sepse ai e ka të pamundur të zotërojë vetë esencën e pozicionit brenda postit publik – marrjen e vendimeve.
Nuk ka person në Kosovë që nuk e ka një qëndrim për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe përveç njeriut që duhet ta marrë vendimin e prerë se a do ta themelojë Kosova këtë mekanizëm apo jo.
Kurti ndryshon qëndrim sa herë ndryshon audienca të cilës i flet.
Votuesve militantë u thotë se duhet të kundërshtohet themelimi i Asociacionit, ndërkombëtarëve u thotë se Asociacioni bën, por të jetë pjesë e marrëveshjes së përgjithshme.
Partisë së tij i thotë të dal me qëndrim se është kundër Asociacionit, ministrave të vetë u thotë të shkojnë në mbledhjen e organizuar nga Ambasada Amerikane e thirrur për të diskutuar rreth themelimit të Asociacionit.
Kjo nuk është një trajtë e zhvilluar tash rishtazi e Kurtit, ai është i qëndrueshëm në paqëndrueshmërinë e tij prejse flet publikisht për proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova.
Oksimoronet e tij fillojnë herët, në vitin 1999. Ai në një intervistë për një media të huaj thoshte se nuk beson në luftë, se është paqësor dhe se kurrë s’do të kapte një armë dhe në të njëjtën kohë ishte kundër Marrëveshjes së Rambujes, sepse besonte se shqiptarët në Kosovë mund të luftojnë e të çlirohen pa nevojën për ndihëm ndërkombëtare.
Njëjtë, ai thoshte pas luftës se shqiptarët më mirë do të ishte t’i shkonin vetë deri në fund dhe përkundër disproporcionit të forcave në terren kundrejt Serbisë të vazhdonin luftën, pastaj në rrethana shumë më të lehta, nuk largonte kamionët nga rrugët në veri përkundër se ruheshin nga disa banda pakrahasimisht më të dobëta se shteti i Serbisë me të cilin luftonte UÇK-ja.
Ai ishte kundër prezencës ndërkombëtare në kohën e luftës, kur vriteshin njerëz e ndodhnin masakra, derisa në kohë paqeje në një situatë shumë më të relaksuar ftonte për rritje të prezencës nga forcat e KFOR-it në Veri të Kosovës.
Ishte më pas kundër kësaj Kushtetute të Kosovës, sepse me nenin 1 të saj ndalohej bashkimi me Shqipërinë, ndërsa tani është kundër bashkimit me Shqipërinë sepse e ndalon Kushtetua.
E gjithë jeta publike e tij është me kundërthënie të tilla.
Por, çfarë bën Kurti kur është momenti për të vendosur? Edhe këtë e dimë nga e kaluara, dorëzohet.
“Dy delegacione nga UÇK-ja kanë ardhur që t’i thonë të vazhdojë aktivitetin në mal, të dyjave u ka thënë ‘jo’”, tregonte Avni Klinaku, ish i burgosur politik.
Kurti i ri në të 20-tat e tij, derisa po bëhej luftë në Kosovë qëndronte në banesën e tij.
“Unë kam pas debat të ashpër: Pse i ke prit në banesë, nuk pritet pushtuesi në banesë, më tha ‘e ka parim’”, shpaloste Klinaku debatin me Kurtin.
Kjo në fakt nuk është punë parimi, por paaftësie e pozicionimit edhe në situata krejtësisht të qarta si ajo e luftës.
Sot njëjtë, i ftuar edhe nga ndërkombëtarët për një opsion që nxjerr situatën nga ngërçi, Kurti vazhdon të jap deklarime ambige. Ai mund të flas 1 orë për qëndrimet e gabuara të paraardhësve të tij, por as 1 minutë për qëndrimin që ka ky si kryeministër.
Kurti dhe mbështetësit e tij nuk mund të pretendojnë më poziciononin e gjykuesit ndaj veprimeve të kundërshtarëve politik kur vetë ngecin në rastin e parë që kërkohet vendimi qeveritar për të qartësuar pozicionin e shtetit.
Kurti e ka mishëruar ekzistencën në fjali që nuk mbështetën asnjëherë me veprim dhe konstatime që ndryshojnë vazhdimisht. Ai është definitiv vetëm kur kërkohet të sqarohet vendimi i tjetrit.
Kryeministri edhe në këto bisedimet e fundit është treguar krejtësisht i paaftë për të kuptuar saktë raportin e fuqisë mes relevancës së pozicionit si kryeministër i Kosovës dhe faktorëve strukturorë e mundësitë politike që ofrohen në tavolina dialoguese.
E ka krejtësisht të paqartë marrëdhënien midis kontekstit të cilin operon, kufizimeve nga pozicioni historik dhe kapaciteteve burokratike, prandaj nuk është prodhuar asnjëherë as një faqe tekst që prezanton qëndrimin e Kosovës në dialog.
Por, kjo luhatje në artikulim dhe pasiviteti në veprim do bëhet rrezik domethënës për të ardhmen e Kosovës – drejtimin që do marrë, konsolidimin e shtetësisë dhe vetë idenë e pavarësisë.
Kurti ka lëvizur nga opozita në pushtet, por nuk është divorcuar nga praktikat e tij që konsistojnë në elaborimin e pozicionit të tjetrit si plotësim i boshllëkut të krijuar nga paqartësia pozicionimit të vetë.
Ai e di gjithmonë se çfarë duhet të bëhet, por vetëm pasi të ketë ndodhur zhvillimi dhe vetëm kur nuk është ai protagonisti. Derisa me heshtjen aktuale vazhdon të ushqejë elementët më ekstremistë të partisë së tij të cilët akuzojnë përfaqësuesit amerikanë e ata evropianë si të blerë nga presidenti i Serbisë.
Ky kryeministër që nuk arrin dot ta normalizojë vetën do ta ketë të pamundur të arrijë çfarëdo marrëveshje për normalizim me cilin do shtet. Duke i qëndruar konsistent paqëndrueshmërisë së tij ai vetëm se po çnormalizon edhe raporte që supozoheshin të etabluara pakthyeshëm.
Pse është kaq e vështirë të ushtrosh pozicionin e kryeministrit? Përse është kaq e pamundur të tregohesh krejtësisht i sinqertë dhe të deklarosh publikisht cilat janë qëndrimet tuaja të vërteta? Përse nuk ua shpjegoni njerëzve që asnjëherë s’ka qenë punë politikanësh tradhtarë, por negocimi gjithmonë ka qenë i vështirë, sepse nuk është çështja të shpjegimi i drejtë i pozicionit, por te navigimi i komplikuar nëpër labirintet e interesave të fuqive të mëdha?
A është e mundur një herë të vetme, në raste delikate si ky tani, të dëshmoni që fati i një shtetit të tërë është më i rëndësishëm se fati personal i një njeriu në politikë?
Përse nuk provoni kryeministër të imitoni politikanë normalë, por e keni kaq të nevojshëm këtë tension të vazhdueshëm.
“Përpiquni”, siç i thoshte intelektuali serb Radoje Stefanoviç, Vuçiç-it, sepse edhe pas gjithë mashtrimeve, telasheve dhe turbulencave që keni shkaktuar, mund t’i zëvendësoni deri në një pikë, nëse arrini të gjeni një shteg për ta normalizuar raportin pengues me Serbinë.
Gjithsesi, parakusht mbetet ta normalizoni fillimisht veten. /Albanianpost.com