Pas rreth 1 vit hetime, SPAK ka marrë të pandehur ish ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediun, për rolin e tij në tragjedinë e Gërdecit. Këto ditë, SPAK do të referojë në Gjykatën e Posaçme dosjen penale në ngarkim të Fatmir Mediut, i cili akuzohet për shpërdorim detyre të dyfishtë, sipas Kodi Penal dhe Kodit Penal Ushtarak.
Fillimisht dosja do të verifikohet nga gjyqtari paraprak, i cili vendos për kalimin e dosjes për gjykim, pushimin e çështjes ose kthimin e dosjes për hetime të mëtejshme. Nëse dosja kalon për gjykim, Fatmir Mediu rrezikon të dënohet, por nuk përjashtohet as mundësia që të shpalljet i pafajshëm.
Si do që të jetë vendimi i Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë, palët ka gjasa që t’i drejtohen Apelit. Do të jetë Gjykata e Apelit ajo që do të vendosë në mënyrë të prerë, nëse Fatmir Mediu do të shkojë në burg apo do të dalë i pafajshëm.
Në 12 mars 2009, një vit pas tragjedisë së Gërdecit, produkt i korrupsionit shtetëror, Sali Berisha ka bërë një deklaratë të guximshme dhe me natyrë inkriminuese, në përpjekje për të mbrojtur në atë kohë Mediun dhe ushtruar presion ndaj Prokurorisë së Përgjithshme. Në një emision televiziv, Berisha ka deklaruar se Fatmir Mediu ka zbatuar me përpikmëri vetëm porositë e tij si kryeministër në procesin e ngritjes së fabrikës së vdekjes në Gërdec. Me këtë deklaratë Berisha shfajësonte Mediun, duke veshur me përgjegjësi veten.
“Si mund të akuzohet ministri që ka gënjyer qeverinë? Ja ku është kryeministri. Ministri ka zbatuar me përpikmëri absolute detyrën e ngarkuar nga kryeministri. Unë i kam ngarkuar atij detyrën me rigorozitetin më absolut dhe ai ka zbatuar vetëm porositë e Këshillit të Ministrave. Nga del akuza që ka gënjyer qeverinë? Del si ajo akuzë që thotë se e ka shmangur ushtrinë. Gënjen publikisht shqiptarët. Gënjeshtra do t’i kthehet atij që e prodhon”, deklaroi Berisha, duke fajësuar për Gërdecin vetëm ushtrinë.
Në atë kohë Berisha ishte në pushtet dhe prokuroria ishte e pafuqishme për të shtrirë hetimet përtej Fatmir Mediun, të cilin Berisha nuk e lëshonte, për shkak se Mediu, siç u zbulua më pas, kishte zbatuar në fakt porositë e Shkëlzen Berishës, i cili shfaqet si pronar në hije i biznesit në Gërdec. Deklarata inkriminuese e Berishës është e vërtetë, pasi Mediu praktikisht kishte zbatuar porositë e Shkëlzenit, i cili përdorte si fuqi pushtetin e babait kryeministër, Sali Berishës.
Sali Berisha e bëri këtë deklaratë edhe në kushtet kur kishte siguri se nuk mund të ndëshkohej nga drejtësia, pasi kishte kapur Gjykatën e Lartë. Edhe nëse Prokuroria e Përgjithshme nuk po hetonte sipas interesave të tij, Berisha kishte nën komandë Gjykatën e Lartë, e cila në 14 shtator 2009, shpëtoi Fatmir Mediun pa e kaluar fare dosjen për gjykim.
14 vite më pas, Sali Berisha jo vetëm është tërhequr nga ky qëndrim, por në mbrojte po merr vetëm djalin e tij, Shkëlzenin, i cili doli nervoz nga dera e SPAK-ut dy ditë më parë. Duke mos pasur pushtetin që kishte në 2009 mbi drejtësisë, Berisha sot po demostron shenja për lëshimin e Fatmir Mediut, me shpresë se do të shpëtojë veten dhe të birin.
Por a do pranojë Fatmir Mediu burgun e mundshëm, kur në fakt ka qenë vetëm zbatues i skemës së korrupsionit të Sali dhe Shkëlzen Berishës? A do të flasë më në fund Mediu apo do të respektojë kodin e heshtjes? Gjasat janë që Mediu të luftojë për pafajësi deri në fund, ndërsa nuk dihet nëse SPAK do të marrë në pyetje Sali Berishën.