Kryeministri i vendit Edi Rama ka reaguar përmes zyrës së tij të shtypit në lidhje me akuzat që opozita ka hedhur drejt tij për çështjen e ish-zyrtarit të FBI-së McGonigal.
Kryeministri Rama thotë se hetimi është zhvilluar në SHBA dhe konkluzioni i tij nuk ka lidhje as me të dhe as me qeverinë shqiptare.
Rama deklaron se “zyrtari i lartë i FBI-së hetohet vetëm për konflikt interesi në marrjen e borxhit nga miku i vet shqiptaro-amerikan dhe mosdeklarim të tij.
“Ky mal i madh mbarsur me fantazi dhe ligësi, do të pjellë edhe më pak se një mi. Fatmirësisht gjithçka është e hetuar në SHBA dhe konkluzioni i hetimit s’ka asnjë lidhje me mua a me qeverinë shqiptare. Paratë e marra prej rusëve nga PD nuk janë shpikje, po fakt po ashtu i hetuar dhe i provuar botërisht.
Deri dje thoshin Edi Rama dhe Sorosi, sot thonë Edi Rama dhe zyrtari i lartë i FBI, por si njëra si tjetra bien përtokë përballë fakteve të hetuara.
Në këtë çështje zyrtari i lartë i FBI nuk akuzohet fare për asgjë nga këto që fliten me ulërima në Shqipëri, po vetëm për konflikt interesi në marrjen e borxhit nga miku i vet shqiptaro-amerikan dhe mosdeklarim të tij”, thuhet në reagimin e Kryeministrit Rama.