Vijon fshesa në ABC. Pronarët e rinj të televizionit ABC, Shkëlqim dhe Blerim Devolli, kanë larguar nga ky televizion gazetarin investigativ Artan Hoxha.
Gazetari Hoxha ishte pjesë e ABC që kur televizioni u ble nga Klodian Allajbeu. Pas shitjes së ABC nga Allajbeu tek grupi Devolli, nisi një ‘fshesë’ në këtë televizion.
Gazetari Hoxha, gjatë shkëmbimit të komenteve me gazetarin tjetër Flamur Vezaj, thotë se ABC-në e ka marrë në dorë pushteti.
Ndërkaq, dje, Artan Hoxha tha se ka marrë kërcënime pas publikimit të audio-përgjimit të Gardës në protestën e 21 Janarit të vitit 2011.
Në një intervistë me gazetaren Rudina Xhunga, Hoxha tha se kërcënimet “që kalojnë çdo normë etike” kanë shkuar në adresë të bashkëshortes së tij.
Ai tha më tej se me bashkëshorten ka diskutuar për të denoncuar rastin, por nuk e ka bërë pasi s’ka besim te prokuroria.
“Diskutimi im me bashkëshorten time këto ditë ishte për shkak të kërcënimeve që i kanë ardhur dhe e kalojnë çdo normë etike. Unë jam i mësuar dhe jam i pandjeshëm, por bashkëshortja më tha ta kallëzoj këtë çështje në prokurori. Por unë i thashë se unë në prokurori nuk po zgjidh dot këtë çështje që është me kaq rëndësi, jo më të zgjidh diçka timen personale dhe ndërkohë që ka edhe ngjarje të tjera.
Kjo u bë për shkak se hyri në ciklonin e politikës. Unë kam ndjekur shumë kolegë në media dhe mendoj se në punën tonë mbrojtja numër një është profesionalizmi dhe sa korrekt jemi ne me punën që bëjmë. Kjo është gjëja e parë që të mbron.
Këto ditë ajo që më shqetëson më shumë nuk është kërcënimi, pasi ndonjëherë kjo më bën përshtypje kur nuk më shkruan njeri, më është kthyer në lakmus. Më bezdis dhe më mërzit pjesa që njerëz që i njoh shumë mirë më thonë që të bëj kujdes, ose më thonë mos dil natën, mos dil vetëm, bëj kujdes se çfarë pi, kujdes se ku ulesh. Unë mundohem të mos i marr seriozisht këto gjëra. Por kur t’i thonë disa veta atëherë kjo nis të të bëjë përshtypje. Nënvlerësimi që i bëj kohës është kjo që politika të bëj punën e tij”, theksoi gazetari Hoxha.
Largimet nga ABC
Emisioni investigativ “Piranjat” ka informuar disa ditë më parë se në sezonin e ardhshëm nuk do të transmetohet më në televizionin ABC News.
Ditët e fundit është larguar nga ABC NEWS edhe kryeredaktori i webit, gazetari Emirjon Senja, i cili rriti dhe fuqizoi webin. Gazetari Senja ka njoftuar largimin.
Emisionet kritike ndaj pushtetit janë mbyllur menjëherë dhe paparajmërim në ABC NEWS
Gazetari Endri Xhafo, përmes një postimi në rrjetet sociale, bëri me dije se emisioni i tij “Log.” nuk do të transmetohet më në “Abc”.
“Sot paradite m’u komunikua se, me efekt të menjëhershëm, emisioni LOG. ndërpritet. Pra, për nesër, ditë e martë, duhet të njoftojmë të ftuarit të mos vijnë. Arsyeja zyrtare: Ristrukturim programor i ABC-së. Çështja është se me situatën aktuale të ABC-së faji mbetet kopil dhe të drejtën s’ke ku ta kërkosh. U daltë për hajër!”, tha Xhafo.
Emisioni i radhës që “i hiqet sinjali” i transmetimit është emisioni “Vetting” dhe këtë gjë e ka bërë me dije gazetarja Luli Progni.
Në një postim në rrjetet sociale ajo thotë se këtë të shtunë do të transmetohej tema “Administrata, si elektorat”, që trajton presionin e politikës ndaj administratës publike për t’u rreshtuar si elektorat, apo për të votuar partinë e rradhës në pushtet, por që nuk do të jepet.
Krahas mbylljes së emisioneve kritike, po planifikohen emisione me linjë pro qeverisë.