Avokat Spartak Ngjela duke folur për audiopërgjimin ku sipas PD-së është i përfshirë vëllai i ministrit të Brendshëm, thotë se FBI i ka dhënë garanci Fatmir Xhafajt për autenticitetin e audios, dhe ndaj ai e sfidoi Bashën me dorëheqje. Sipas Ngjelës, i ftuar në “Politika Online”, ekspertët e FBI-së kanë konstatuar se zëri që dëgjohet në audiopërgjimin e “Babales”, nuk është i Agron Xhafajt.
“Nga ekspertiza që ka bërë FBI, nuk del se zëri që dëgjohet në audiopërgjim të jetë i Agron Xhafajt“, thotë Ngjela.
Lidhur me protestën e 26 majit të opozitës së bashkuar, Ngjela tha se Xhafaj qëndroi ne zyrë në Ministri, atje ku sipas tij kishte dhe ekspertë të FBI.
Ndërsa për ish-ministrin tjetër të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe reagimin e ambasadorit amerikan Donald Lu për presione mbi drejtësinë, Spartak Ngjela thotë se të vërtetën do ta nxjerrë SPAK-u, institucion i reformës në drejtësi që pritet të ngrihet.