Kombëtarja e volejbollit për femra mundi në Tiranë 3-1 ekipin e Izraelit dhe tani skuadra që drejtohet nga trajnerët Altin Mërtiri dhe Roland Tarja është vetëm një pikë larg fazës gjysmëfinale në Divizionin e Argjendtë. Vetëm katër ditë pas fitores së thellë 3-0 në Raanana volejbollistet kuqezi regjistruan një tjetër sukses ndaj përfaqësueses izraelite, këtë herë në kryeqytet, duke konsoliduar akoma më shumë vendin e dytë në klasifikimin e Grupit B.
Në “Parkun Olimpik” të Tiranës përpara qindra spektatorëve këtë radhë ndeshja ndërmjet këtyre dy përfaqësueseve u zhvillua shumë më e fortë, pasi skuadra e Izraelit u shfaq krejt ndryshe dhe dukshëm më e motivuar. Takimi zgjati afërsisht dy orë, megjithatë vështirësitë e kësaj sfide u kuptuan që në setin hapës, kur volejbollistet izraelite mbajtën vazhdimisht nën presion lojtaret kuqezi, të cilat gjithsesi në fund ia dolën mbanë për të mbyllur llogaritë me rezultatin e ngushtë 25-23.
Në setin pasardhës Shqipëria u shkëput që në fillimin e pikëve të dyta, për të udhëhequr më pas 16-10, ndërsa në vazhdim lojtaret kuqezi ruajtën kryesimin në 21-16. Pas fitimit të setit të dytë me shifrat 25-19 dhe epërsisë 2-0 me sete volejbollistet shqiptare lëshuan disi dhe për rrjedhojë përfitoi skuadra e Izraelit, që arriti të përmbysë disavantazhin 21-18, për të fituar setin e tretë me rezultatin 29-27, set që zgjati plot 34′ dhe që ishte njëkohësisht edhe seti më i gjatë i gjithë takimit.
U duk sikur ekipi i veteranit italian Giuseppe Cuccarini rihapi ndeshjen, por në fakt ishte thjesht një iluzion sepse në setin e katërt volejbollistet shqiptare nuk toleruan më dhe e lanë prapa skuadrën mike që në start me shifrat 8-4. Në vijim shkëputja vazhdoi sërish me ritmin e dyfishit të pikëve, 16-8 dhe 21-9, sidoqoftë në fund pavarësisht pesë pikëve rresht të seleksionit të Izraelit lojtaret kuqezi mbyllën gjithçka me rezultatin 25-16 dhe krejt ndeshjen 3-1 me sete, në 113′ lojë.
Kështu Shqipëria mori përsëri 3 pikë të plota nga përballja me Izraelin, përfaqësuese që konsiderohej edhe si kundërshtarja kryesore në Grupin B për çështjen e kualifikimit, grup ku bëjnë pjesë gjithashtu edhe ekipet e Austrisë dhe Gjeorgjisë. Pak minuta më vonë Austria mposhti 3-1 në Amstetten skuadrën gjeorgjiane, kështu që pas katër ndeshjeve të para të Grupit B Austria kryeson me pikë të plota 12, Shqipëria pozicionohet në vendin e dytë në kuotën e 9 pikëve, ndërsa më pas ndjekin të distancuara përfaqësueset e Izraelit dhe Gjeorgjisë që renditen më poshtë respektivisht me nga 3 dhe 0 pikë.
Dy ndeshjet e fundit përfaqësuesja kuqezi do t’i luajë: fillimisht më 2 qershor në Qytetin e Enns-it me Austrinë dhe më 6 qershor në Tiranë me Gjeorgjinë, takime ku volejbollisteve shqiptare iu mjafton qoftë edhe një humbje me rezultatin 3-2, për të garantuar kështu pjesëmarrjen në fazën gjysmëfinale të Divizionit të Argjendtë, përsa i përket edicionit të sivjetshëm të Ligës Evropiane të Volejbollit për femra.
Për këtë sukses përgëzimet shkojnë për vajzat kuqezi, stafin e tyre teknik dhe sportdashësit e shumtë që po i ndjekin në pallatet e sportit dhe pas kaq shumë kohësh kombëtarja e femrave po ngjall atë madhështinë e dikurshme në volejboll.
Shqipëri – Izrael, 3-1 (25-23, 25-19, 27-29, 25-16)
SHQIPËRIA: Bici, E.Tuci, Xheka, Marina, Prenga, Thaka, Picaku, Sejfullai, Rexhepi, Kushi, Sijoni, M.Tuci, Shehi, Dodani. Trajner: Altin Martiri
IZRAELI: Dudockin, Kopilovitch, Stein, Jaloba, Goffer, Lander, Malik, Zilberman, Matviyenko, Marmen, Lahav, Ganah. Trajner: Giuseppe Cuccarini
Gjyqtarë: Andrei Taran (Rumani), Arjan Shehu (Shqipëri)