Drejtori i ‘Rrugëve’ Evis Berberi, një nga drejtorët më të lakuar për afera korruptive të grupit të Belinda Ballukut, ka nisur avazin e ndarjes së parave publike, me tenderave të dyshimtë, që ditët e para të vitit 2023, pa iu tretur mirë gjeli i Vitit të Ri.
Disa ditë më parë, Berberi ka “qerasur” me 400 milionë lekë kompaninë Florida të Zeqir Bushgjokajt dhe Lulzim Rrahmanajt, duke u dhënë tenderin e mirëmbajtjes së rrugës Dushaj-Sheshi i Trageteve-Lekbibaj.
Themi ‘qerasur’ për tre arsye.
Së pari, praktikisht nuk ka pasur garë, pasi në procedurë ka marrë vetëm kompania fituese.
Së dyti, pothuajse nuk ka ndryshime mes fondit limit dhe ofertës fituese.
Së treti, objekt i tenderit është mirëmbajtja, që do të thotë se thjeshtë do të ndahen paratë, pasi kontratat e mirëmbajtjes nuk zbatohen asnjëherë ose zbatohen sa 10 % e vlerës së kontratës.
Zeqir Bushgjokajt, njëri nga bashkëpronarët e kompanisë fituese, ka qenë kandidat për deputet i Partisë Republikane të Fatmir Mediut, i cili është marrë i pandehur nga SPAK-u për Gërdecin.
Një tjetër tender pa garë, Berberi, me sa duket me urdhër të Ballukut, i ka dhënë kompanisë ‘Udha’ të Arben Çelës, me vlerë 120 milionë lekë, për mirëmbajtjen e rrugës Ura e Matit deri tek Kthesa e Lapidarit. SPAK dhe BKH-ja të monitorojnë lëvizjet e shoferëve të palëve kur të shkëmbejnë ndarjen e parave për këtë tender fiktiv.
Një tender me vlerë 1.7 milionë euro, Evis Berberi ua ka dhënë çerrave të tenderave korruptive, Anea dhe Aldi Llazi, për ndërtimin e godinës së qendrës së monitorimit të trafikut.
Dy çerrat u japin paga shumë të ulëta punëtorëve që u kanë mbetur, por njihen për ‘kafen e madhe’ që japin tek pushtetarët që diktojnë tenderat. Ftojmë BKH-në të monitorojnë dy çerrat nga fshatrat e Lushnjes se më kë do t’i ndajnë paratë e këtij tenderi.
Një tjetër tender me vlerë mbi 1 milionë euro, Berberi ua ka dhënë Musa Selamit dhe kompanisë “COMPANY RIVIERA 2008” të grupit Kola.
Tenderin me vlerë mbi 1 milionë euro për sistemin dhe rivitalizimin e skarpatave në Shkallën e Tujanit, Berberi ia ka dhënë sekserit të pastrimit të parave, Bardhjus Bushaj.
Tenderi i fundit duhet hetuar si korruptiv pasi objekti i kontratës ka të bënë me segmentin e Rrugës së Arbërit, për ndërtimin të cilës është paguar oligarku Rrok Gjoka.