U kallëzuan penalisht për korrupsion nga Pavllo Mihali, babai i Marvi Mihalit, i vrarë me thikë në korrik 2017 për një karikues celulari, Prokuroria e Krimeve të Rënda nis zyrtarisht hetimet për Prokurorin Artan Lulaj dhe dy gjyqtarët e Gjykatës së Tiranës, Sokol Pasho dhe Bedri Qorri.
Krimet e Rënda pohojnë ekskluzivisht për Report Tv se “kemi regjistruar kallëzimin dhe po kryejmë verifikimin e pretendimeve të Pavllo Mihalit”. Dy ditë me parë Pavllo Mihali akuzoi se Prokurori Lulo, kundrejt pagesës, liroi tre nga 4 vrasësit e djalit të tij.
(Përgjigjja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për Report Tv)
Dy gjyqtarët dhe prokurori liruan tre të pandehurit për vrasjen e 21-vjeçarit, Eugen Bitraj, Marsel dhe Kridens Alla, ndërsa në qeli mbeti vetëm Devi Bitraj i akuzuar si autori kryesor i vrasjes. Eugen Bitraj, Marsel dhe Kridens Alla u liruan në fillim të majit nga Gjykata e Tiranës me pretendimin se kishin mbaruar afatet e paraburgimit.
Por dy javë pas këtij vendimi dhe kallëzimit të ngritur nga Pavllo Mihali, çështja i kalon prokurorit Gjergji Tako (me ndërhyrjen edhe të kryeprokurores Arta Marku) i cili kërkoi ndryshimin e akuzës për tre të rinjtë. Gjykata pranoi kërkesën e prokurorit Tako dhe tre të rinjtë do përballen me akuzën e “vrasjes së kryer në bashkëpunim”. Menjëherë pas marrjes në dorëzim të kësaj çështjeje, prokurori Tako kërkoi ndryshimin e akuzës për tre të rinjtë, ndërsa pritet që ai të kërkojë edhe rikthimin e tyre në qeli.
Marvi Mihali u vra më 31 korrik të vitit 2017 në zonën e stadiumit “Dinamo”. Miku i tij Armend Haxhiu i kishte shitur një telefon Devi Bitrajt por nuk i kishte dhënë karikuesin. Pas debateve mes Haxhiut dhe Bitrajve është vendosur që të takohen për t’u sqaruar tek Dinamo. Haxhiu ka kërkuar që aty të shkonte edhe miku i tij Marvi Mihali dhe pas shumë telefonatash ka arritur ta bindë Marvin.