Ia dolëm Giova… Pas 30 vitesh!!!”, ky shkrim me shkronja të mëdha i shkruajtur me stilolaps të kuq, është një nga letrat e shumta të vendosura mbi varrin e Giovanni Falcone, gjyqtarit të famshëm italian i cili njihet për luftën e tij ndaj mafias. 3 pikëçuditëset sipas Ansa.it, duket se janë shprehje e lehtësimit, kënaqësisë, e mbase dhe zemërimit.
Shkrimi nuk ka emër, apo firmë, por vetëm një datë, 16 Janar 2023, data e arrestimit të Matteo Messina Denaro. Vënia në pranga e mafiozit, 30 vite pas masakrës në Capaci ku mbeti i vrarë gjyqtari është konsideruar një fitore e madhe dhe vënie e drejtësisë në vend për Giovani Falconen, edhe pse 30 vite me vonesë.
Fotoja me mesazhin e shkurtër, por të qartë, është publikuar në rrjetet sociale nga Fondacioni Falcone, në faqen e të cilit është postuar një foto të dyfishtë: mafiozi në duart e karabinierëve dhe varri i gjyqtarit, i mbushur me fletëpalosje dhe mesazhe.
“Një ditë e jashtëzakonshme! Një sukses i madh i Prokurorisë Publike të Palermos dhe Karabinierëve! Mënyra më e mirë për të kujtuar Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino në tridhjetvjetorin e masakrave që u morën jetën. Ne i jemi mirënjohës shtetit dhe institucioneve dhe, edhe në këtë ditë gëzimi, jemi në anën e duhur. Nga njëra anë arrestimi i bosit të fundit i masakrës Matteo Messina Denaro, kriminelit të arratisur më të keq në Itali, nga ana tjetër besimi dhe shpresa që fiton!”, thuhet në postimin e faqes Fondazione Falcone.
Kush e di se kush e ka lënë atë letër me mesazhin “Ia dolëm”?! Dikush mund të mendojë se pas mesazhit fshihet ndonjë prokuror, ose mbase një karabiner. Mund të ketë qenë edhe një qytetar, i cili ia la këtë mesazh gjyqtarit, një nga njerëzit që e kanë bërë të vetin mësimin e Falcone-s të shkruar edhe në mermerin e San Domenicos; “Burrat largohen, janë idetë ato që mbeten. Mbeten tensionet e tyre morale dhe ata vazhdojnë të ecin mbi këmbët e burrave të tjerë”.