Sinoptikani i njohur grek Sakis Arnaoutoglou që ndjek me vëmendje dhe interes të madh edhe zhvillimet e fenomeneve të motit në Ballkan e sidomos në Shqipëri, njofton se prej ditës së martë e deri të shtunën që vjen ka rrezik për përmbytje të mëdha në zonën e Shkodrës për shkak të reshjeve të dendura e të vazhdueshme të shiut.
Vala e motit të keq që vjen nga Europa qëndrore do të sjellë ,sipas tij ,fenomene thuajse të tejskajshme, në kufirin e Shqipërisë me Malin e Zi dhe më pas në zonat në veri të vendit. Madje midis Shkodrës dhe Kukësit parashikohen reshje të shumta bore .
“Priten në pjesën perëndimore të gadishullit ballkanik ,në Mal të Zi ,por kryesisht në pjesën veriore të Shqipërisë të kemi veçanërisht reshje të dëndura shiu, të cilat do të vazhdojnë gjithë javën deri të shtunën dhe nuk përjashtohet të shkaktojnë probleme të mëdha nëse do të dalin të vërteta parashikimet sinoptike.
Gjithashtu në zonat malore në veri të Shqipërisë do të ketë reshje bore që do të zbresin nga lartësia prej 1700m deri në zonat me lartësi 1000m nga e enjtja dhe flasim për reshje bore shumë të dendura.”- tha Sakis Arnautoglou sinoptikan i ERT
Sipas Arnaoutoglou në shumë vende trashësia e borës mund të kalojë edhe mbi 1m. Vala e motit të keq do të prekë prej së mërkurës edhe zonat kufitare të Shqipërisë me Greqinë pranë Janinës ku parashikohet të ketë edhe aty reshje të dendura shiu që mund të shkaktojnë përmbytje.