Gjyqi i zhvilluar dje për zyrtarët e lartë të Ministrisë së Financave, zbuloi të tjera kulisa.
Zyrtarët mbetën në burg megjithë argumentimet e avokatëve mbrojtës. Gjyqtarja Rexhina Memlika nuk “u bind” të lironte Sekretarin e Përgjithshëm Arlind Gjokuta, megjithëse ai u shtrua në spital me atak kardiak.
Rexhina Memlika pak muaj më parë nxori bujshëm në “arrest shtëpie” killerin e droguar Ajas Sulejmani, i cili në kërkim ndërkombëtar, “fluturoi” në ajër te “21 dhjetori” çiftin me foshnjë në karrocë, apo kur shpëtoi anëtarin e grupit “Bajri” nga burgu, ama nuk pranoi të zbuste dorën për “hajdutët” e shtetit.
Gjyqtarja u kujdes që seanca të ishte me dyer të mbyllura. Emrat hermetikë. Publiku duhet të kuptonte vetëm se zyrtarët vodhën 1.2 milion $.
Afera u “zbulua” nga Oltion Naumi, përmbarues privat që kërkonte nga Ilir Thana 18,869 $ që ky i kishte marrë kredi te ish Banka NBG në 2003. Naumi ekzekutonte kërkesën e Abi Bank.
Ilir Thana kishte edhe një borxh 7 milion lekë nga viti 2010 që përmbarues Naumi e kërkonte për kërkesë të kreditor Tranzit.
Oltion Naumi lajmëron motrën e tij Kristina Naumi, administratore e “Tranzit” për lëvizjet që po shihte tek përmbaruesi tjetër Alban Ruli, i cili ekzekutonte interesat e Ilir Thanës për 1.2 milion $ ndaj Ministrisë së Arlind Gjokutaj.
Kristina Naumi që drejton “ofshorin” Tranzit me pronësi Abi Bank fillon “hetimin” e rastit.
Roza Naumi me detyrë drejtore e Financës dhe Buxhetit në Ministrinë e Financave bën një Memo ku nxjerr të palarat se përse nuk duhen paguar paratë e shtetit tek Ilir Thana.
Memo shoqërohet me “dorëheqje” edhe pse pensionistja Roza Naumi kishte një vit që kishte mbushur moshën 60 vjeç.
Tre Naumët u mblodhën dhe vendosën të denoncojnë aferën 1.2 milion $.
Kristina Naumi autorizoi Brikena Hoxhën drejtoren e Abi Bank të bëjë denoncim penal për hajdutin Ilir Thana që nuk jepte dollarët që kishte borxh.
Më pas do kujdesej prokurori Tavani për aferën. Ashtu si ndodhi…tre zyrtarët u plasën në burg.
Opinioni publik u mbush me shifrën 1.2 milion $ sikur u vodhën. “Tranzit” e ishujve Kajman me tre Naumët arriti qëllimin të shmangë nga vëmendja e mediave aferën e frikshme të pronave të ish- ”Veneto Bank”. Aferë me 1.2 miliardë $.