Një ish-deputete afgane dhe truproja e saj janë qëlluar për vdekje në shtëpinë e saj në kryeqytetin e vendit Kabul, ka thënë policia afgane.
Mursal Nabizada, 32 vjeç, ishte një nga të paktat deputete femra që qëndruan në Kabul pasi talibanët morën pushtetin në gusht 2021.
Vëllai i saj dhe një roje e dytë e sigurisë u plagosën në sulmin të dielën.
Ish-kolegët e vlerësuan zonjën Nabizada si një “kampione e patrembur për Afganistanin”, e cila refuzoi një shans për t’u larguar nga vendi.
Që kur talebanët u kthyen në pushtet në vitin 2021, gratë janë larguar nga pothuajse të gjitha fushat e jetës publike. Zëdhënësi i policisë së Kabulit Khalid Zadran tha se forcat e sigurisë kishin nisur një hetim serioz për incidentin.
Ish-deputetja Mariam Solaimankhil tha se zonja Nabizada ishte “një pioniere e vërtetë – një grua e fortë, e hapur, e cila mbronte atë në të cilën ajo besonte, edhe përballë rrezikut”.
“Pavarësisht se iu ofrua mundësia të largohej nga Afganistani, ajo zgjodhi të qëndrojë dhe të luftojë për popullin e saj”, shkroi ajo në Twitter. Zonja Nabizada, nga provinca lindore e Nangarharit, u zgjodh deputete nga Kabuli në vitin 2018 dhe qëndroi në pushtet deri në marrjen e pushtetit nga talebanët.
Ajo ka qenë anëtare e komisionit parlamentar të mbrojtjes dhe ka punuar në Institutin për Zhvillim dhe Kërkim të Burimeve Njerëzore.
Hannah Neumann, një anëtare e Parlamentit Evropian, tha: “Jam e trishtuar dhe e zemëruar dhe dua që bota ta dijë!” në përgjigje të vrasjes.
“Ajo u vra në errësirë, por talebanët ndërtuan sistemin e tyre të aparteidit gjinor në dritën e plotë të ditës.”
Abdullah Abdullah, një ish-zyrtar i lartë në ish-qeverinë e Afganistanit të mbështetur nga Perëndimi, tha se ishte i pikëlluar nga vdekja e zonjës Nabizada dhe shpresonte që autorët të ndëshkoheshin.
Ai e përshkroi atë si një “përfaqësuese dhe shërbëtore të popullit”.
Shumë gra që kishin punë të spikatura profesionale në Afganistan pas pushtimit të udhëhequr nga SHBA dy dekada më parë u larguan nga vendi pasi talebanët u kthyen në pushtet.