“Kutia e Pandorës është hapur dhe tani pritet të dalin dosjet e tmerrshme të Sigurimit të Shtetit që të gjithë presin me ankth dhe për të cilët është folur gjithë këto vite, ku mijëra pseudonime kanë qarkulluar në media dhe afishe publike. Do të jetë gjithçka edhe më ndryshe pasi është ndryshuar neni për të riverifikuar figurat e zyrtarëve të lartë që kishin marrë “certifikatë pastërtie” nga dy komisione të ngritura në vitet pas rënies së komunizmit.
Të rrezikuarit kryesorë janë Ilir Metaj dhe Sali Berisha, por paralajmërimet e fundit nga socialistët dhe demokratët tregojnë se përveç tyre, janë gati për tu përjashtuar përgjithmonë nga jeta politike dhe politikanë të tjerë aktivë. “Nuk mendoj që i vetmi bashkëpunëtor i ish sigurimit të shtetit në politikën aktive shqiptare është vetëm Ilir Meta. Mendoj që duhet të jenë më shumë”, është shprehur pak ditë më parë kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla. Pra, socialistët nuk janë tërhequr nga qëllimi për të pastruar politikën nga ish bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit dhe lëvizjet e tyre ditët në vijim pritet të intensifikohen.
Lëvizja e PD
Nga ana tjetër dhe Partia Demokratike kërkon hapjen e dosjeve. Deputeti demokrat Kreshnik Çollaku do t’i drejtohet sot me një kërkese zyrtare Autoritetit të Dosjeve për të verifikuar të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, nëse kanë qenë apo jo bashkëpunëtore të ish-sigurimit të Shtetit. Ka qenë vetë Çollaku që e ka bërë me dije një vendim të tillë përmes një postimi në ‘Facebook’, ndërsa thotë se do t’i kërkojë autoritetit të dosjeve që t’i vërë në dispozicion të gjithë listën e deputetëve të verifikuar nga viti 1992 deri më tani. “Kam vendosur t’i drejtohem Autoritetit të Dosjeve, në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë kërkesë zyrtare për të verifikuar e për të më vënë në dispozicion, nga 1992 deri në 2023, listën e plotë të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, nëse kush ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit”, shkruan Çollaku.
2 ministra të PD kanë qenë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit
Pas hyrjes në fuqi të ligjit të spiunëve në 2 dhjetor të vitit të kaluar sjellim në vëmendje dhe deklaratën e ish-kryetarit të Shoqatës së të Përndjekurve Politikë, Nebil Çika, i cili përmes rrjetet sociale pak kohë më parë ka publikuar dy dokumente të Sigurimit të Shtetit, ku thekson se dy ministra të qeverisë së parë të PD-së në vitin 1992, kanë pasur dosje të Sigurimit dhe janë shantazhuar nga Sali Berisha. “Sa për të kuptuar përdorimin politik të dosjeve të Sigurimit nga Berisha! Këto janë dy dëshmi, njëra në hetuesi e Genc Rulit për Gjergj Peçin i dënuar për agjitacion e propagandë dhe tjetra në gjykatë e Abdyl Xhaja për Trifon Xhagjikën, poet i pushkatuar politik . Që të dy kanë marrë certifikatën e “pastërtisë” nga komisioni “Mezini”.
Të dy deputetë dhe ministra të PD -së. Por nuk janë vetëm këta duroni edhe pak se do shikoni thagma! Ja pse janë kundër hapjes së dosjeve, jo vetëm se nuk duan të dekonspirojnë spiunët por se nuk duan tu zbulohet manipulimi dhe përdorimi politik i tyre. Masakra që kanë bërë në shpinë të të përndjekurve politikë duke i detyruar të votojnë për ta! Se na hapën barkun ca të përndjekur politikë duke mbrojtur spiunët”, shkruan Çika.
Ky i fundit ndërkohë ka zbuluar se edhe ish-ministri dhe deputeti i “Foltores”, Tritan Shehu ka qenë spiun i ish-Sigurimit. “Një nga njerëzit që ka udhëhequr rininë komuniste në prishjen e kishave dhe xhamive ka qenë Tritan Shehu, dihet nga të gjithë e ke në gazeta dhe revista. Letrën që ja dërguan shokut Enver, që këta janë reaksionarë duhen vrarë, e ka firmosur ky. Ishte sekretari i rinisë i gjimnazit, kjo mjafton që ky të mos jetë përfaqësues i besimtarëve dhe i të përndjekurve politikë”, nënvizoi Çika.
30 deputetë aktualë kanë qenë spiunë të ish-Sigurimit
Gjithashtu dhe Myslim Murrizi u shpreh se 30 deputetë të Kuvendit kanë dosje. Murrizi e ka theksuar shpesh se dosjet duhet të hapen për të 140 deputetët aktualë të Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa ka shprehur bindjen gjithmonë se disa prej tyre kanë qenë spiunë të ish-Sigurimit të Shtetit. Madje, ai bëri me dije se 500 zyrtarë janë edhe xhelatë, edhe bashkëpunëtorë dhe kjo është arsyeja pse deri tani është hezituar të hapen plotësisht dosjet.
“Rreth 30 veta në Kuvend kanë qenë bashkëpunëtorë dhe xhelatë se shkonin direkt tek viktima. Ata që kanë arrestuar pse ke sharë partinë apo që kanë dënuar edhe me rënien e komunizmit pse ke hedhur bustin, të gjithë të katapultuar në drejtësinë e re. Këta nuk janë më pak fajtorë. Nga të gjitha llojet ka rreth 30 veta në parlamentin shqiptar”, deklaroi Murrizi pak muaj më parë. /Elmas Bogdani